Luiza Çako dhe Gaqo Çako

Kultura

Ndahet nga jeta sopranoja e njohur Luiza Çako, nëna e kantautorit Pirro Çako! Zëri i rrallë i skenës operistike shqiptare

29 Shtator, 09:25| Përditesimi: 29 Shtator, 16:09

  • Share

Sopranoja e njohur Luiza Çako Papa ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare!

Luiza Çako është bashkëshortja e legjendës së muzikës operistike Gaqo Çako dhe gjithashtu nëna e kantautorit të njohur, Pirro Çako.

Soparoja ka lënë pas një karrierë të pasur dhe të gjatë artistike me vepra e interpretime që do të mbeten gjithmonë shenjë në artin shqiptar.

Luiza Çako shquhej për talentin e rrallë, për përkushtimin e saj në skenë dhe për kontributin e vyer që i ka dhënë artit në vend.

Ndarja e saj nga jeta lë një boshllëk të madh në artin shqiptar e më shumë në skenën operistike, ndërsa trashëgimia e Luiza Çakos do të jetë frymëzim për gjeneratat pasardhëse.

Ora 16:05
Ndarja nga jeta e sopranos Luiza Çako, Gonxhe: La pas një trashëgimi të vyer në artin shqiptar

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhe, ka reaguar për ndarjen nga jeta të sopranos së njohur shqiptare Luiza Papa (Çako).

Në një postim në Facebook, Gonxhe shkruan se Luiza Papa mbetet një nga figurat më të rëndësishme të skenës lirike shqiptare.

Ndërsa më tej, ministri thekson se zëri dhe interpretimi i Papës i dhanë madhështi artit tonë operistik, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare.

Postimi i plotë i Gonxhes:

In Memoriam – Luiza Papa (1937 – 2025)

Sopranoja e shquar Luiza Papa, u nda sot nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të vyer në artin lirik shqiptar.

Ajo kreu studimet e para për kanto në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të vijuar më pas karrierën si soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku për gati tre dekada i dha skenës shqiptare një interpretim të rrallë, me role të spikatura në operat shqiptare dhe botërore. Studimet e larta i thelloi në Konservatorin “P. I. Çajkovski” në Moskë dhe më pas në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.

Luiza Papa mbetet një nga figurat më të rëndësishme të skenës lirike shqiptare, duke dhënë kontribute të spikatura edhe në koncerte, festivale e aktivitete të mëdha muzikore brenda dhe jashtë vendit. Zëri dhe interpretimet e saj i dhanë madhështi artit tonë operistik, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare.

Ora 11:14
Ndarja nga jeta e sopranos Luiza Çako, reagon TKOB: Personalitet i vyer i muzikës shqiptare! Ka lënë gjurmë në repertorin operistik

1759137351_luizaakopapa.jpg

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor ka reaguar për ndarjen nga jeta të sopranos së mirënjohur Luiza Papa Çako.

Në reagim janë renditur rolet e vëna në skenë prej vitesh nga Luiza Çako duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të vyera të muzikës shqiptare.

“Të prekur nga lajmi i ndarjes nga jeta të artistes së madhe, Luiza Papa Çako, një prej zërave më të bukur dhe personaliteteve më të vyera të muzikës shqiptare.

E lindur në Tiranë më 14 qershor 1937, ajo u formua në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Konservatorin “P. I. Çajkovski” në Moskë, duke u kthyer në një prej solisteve më të spikatura të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku shërbeu nga viti 1956 deri në vitin 1983.

Me një repertor të gjerë e të larmishëm, që nga muzika popullore deri te veprat operistike më të mëdha, Luiza Papa i dha jetë dhjetëra roleve, duke mbetur e paharruar në kujtesën e publikut shqiptar.

Ndër rolet e saj spikasin Flora e Anina në La Traviata, Lola në Cavalleria Rusticana, Norina në Don Pasquale, Musetta në La Bohème, Susanna në Dasma e Figaros, Mamica në Skënderbeu, Dava në Mrika dhe shumë të tjera që kanë lënë gjurmë në historinë e repertorit operistik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Përveç skenës së TKOBAP-së, ajo mori pjesë në festivale, koncerte e turne brenda dhe jashtë vendit, duke lënë gjurmë në jetën muzikore shqiptare për dekada me radhë.

Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët të cilët kanë pasur mundësinë të punojnë me të.

Qoftë i paharruar kujtimi i saj!” shkruhet në reagimin e TKOB.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ngushéllime: 29/09/2025 14:49

    Ngushéllime

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?