Luiza Papa Çako

Kultura

Ndarja nga jeta e sopranos Luiza Çako, reagon TKOB: Personalitet i vyer i muzikës shqiptare! Ka lënë gjurmë në repertorin operistik

29 Shtator, 11:14| Përditesimi: 29 Shtator, 11:17

  • Share

1759137351_luizaakopapa.jpg

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor ka reaguar për ndarjen nga jeta të sopranos së mirënjohur Luiza Papa Çako.

Në reagim janë renditur rolet e vëna në skenë prej vitesh nga Luiza Çako duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të vyera të muzikës shqiptare.

“Të prekur nga lajmi i ndarjes nga jeta të artistes së madhe, Luiza Papa Çako, një prej zërave më të bukur dhe personaliteteve më të vyera të muzikës shqiptare.

E lindur në Tiranë më 14 qershor 1937, ajo u formua në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Konservatorin “P. I. Çajkovski” në Moskë, duke u kthyer në një prej solisteve më të spikatura të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku shërbeu nga viti 1956 deri në vitin 1983.

Me një repertor të gjerë e të larmishëm, që nga muzika popullore deri te veprat operistike më të mëdha, Luiza Papa i dha jetë dhjetëra roleve, duke mbetur e paharruar në kujtesën e publikut shqiptar.

Ndër rolet e saj spikasin Flora e Anina në La Traviata, Lola në Cavalleria Rusticana, Norina në Don Pasquale, Musetta në La Bohème, Susanna në Dasma e Figaros, Mamica në Skënderbeu, Dava në Mrika dhe shumë të tjera që kanë lënë gjurmë në historinë e repertorit operistik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Përveç skenës së TKOBAP-së, ajo mori pjesë në festivale, koncerte e turne brenda dhe jashtë vendit, duke lënë gjurmë në jetën muzikore shqiptare për dekada me radhë.

Në këtë moment të dhimbshëm, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët të cilët kanë pasur mundësinë të punojnë me të.

Qoftë i paharruar kujtimi i saj!” shkruhet në reagimin e TKOB.


Lajmi kryesor:

Ndahet nga jeta sopranoja e njohur Luiza Çako, nëna e kantautorit Pirro Çako! Zëri i rrallë i skenës operistike shqiptare


K.B/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?