Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe ish-deputetit të Partisë Demokratike, Bardhyl Londo.
Basha ka rikujtuar përmes mesazhit të tij ngushëllues kontributin e shkrimtarit në Partinë Demokratike, ndërsa ka shprehur se ka pasur nderin të shkëmbenin ide muajit e fundit.
“Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tim, shkrimtarit, politikanit, frymëzuesit të shumë brezave Bardhyl Londo.
Bardhyl Londo i përket atij brezi intelektualësh shqiptarë që talentin dhe identitetin e tyre kulturor e lidhën fort me fatet e vendit dhe shoqërisë shqiptare.
Poeti i njohur la pas vepra dhe vlera si rrallëkush këto 30 vite në demokraci. Ishte fat për mua ta kisha pranë dhe përgjatë muajve të fundit të shkëmbeja me të ide dhe mendime të një diapazoni të gjerë siç dinte veç ai.
Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm si deputet, anëtar Kryesie, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Bardhyl Londo ishte frymëzuesi i madh i ndryshimit në vitin 1990 dhe poezitë e tij për demokracinë ishin refren i shumë shesheve ku u zhvilluan mitingjet e para të Partisë Demokratike.
Ai vazhdoi të ishte krijues i talentuar, intelektual i angazhuar dhe një veprimtar i rëndësishëm i Partisë Demokratike deri në fund të jetës së tij.
Largimi i tij është një humbje e madhe jo veç për familjen e tij por dhe për kulturën, artin dhe politikën shqiptare.
Me ikjen e tij, Shqipëria ka humbur prej qytetarisë dhe urtësisë se tij një zë që dëgjohej me respekt. Familja ka humbur bashkëshortin, babain dhe shtyllën e urtë të saj.
Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike, i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të thella për largimin nga kjo jetë të Bardhyl Londos!
Shpirti i tij u prehtë në paqe!”, shkruan Basha.
Lajmi kryesor:
Prej 10 ditësh në reanimacion, humb betejën me sëmundjen e rëndë shkrimtari dhe ish deputeti Bardhyl Londo, ndërron jetë në moshën 74-vjeçare! Homazhet nesër te Kuvendi
J.GJ./ReportTv.al