Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka reaguar për ndarjen nga jeta, të ish-kryeministrit Bujar Bukoshi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Majko shprehet se Bukoshi ishte një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara, ndërsa thekson se ishte një njeri që tejkaloi veten.
Mesazhi i plotë:
Bujar Bukoshi ka ndërruar jetë! Kryeministri i parë i Republikës së Kosovës ka qenë një njeri që tejkaloi veten! Vdekja për cilindo është ajo që ndodh në fund! Për Bujarin, është stacioni i fundit për të kuptuar si bëhet njeriu ai që është!
Bujar Bukoshi ishte një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara! Edhe për këtë arsye Bujari u bë kryeministri Bukoshi i cili pati një jetë të paprecedentë për të parë të gjitha të vertetat që një individ mund të duroj!
Bujar Bukoshi ishte kryeministër i një shteti që nuk ekzistonte duke qenë një “lajmës” i çuditshëm për atë që po vinte për Kosovën! E shkuara është peshë! Nuk mund të “notosh” po nuk e mbajte mbi shpinë!
Në kohët kur duket se na përkufizojnë gënjeshtrat dhe sekretet, Bujar Bukoshi është ndër të vërtetat që ka prodhuar historia e Kosovës! Kopja tingëllon si një melodi e kënduar nga një fëmijë, e kompozuar nga dikush tjetër! Sot, Kosova ka humbur një politikan të dorës së parë i cili nuk imitoi askënd!
Për Bujar Bukoshin, meritat vlejnë më shume se dobësitë e tij! Ai kishte bërë paqe me veten dhe të kaluarën! Sot, Kosova ka humbur një protagonist të historisë së saj! Lamtumirë Bujar!
Lajmi kryesor:
Shuhet në moshën 78 vjeçare ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi! Vuante nga një sëmundje e rëndë
Xh.K/ReportTv.al