Presidenti Barjam Begaj, ka shprehur një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta ditën e sotme të Hekuran Nikollarit, dervishi i Teqesë në Alipostivan në Përmet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj shkruan se falë punës së tij të madhe teqeja e Baba Aliut në Alipostivan u ringrit nga rrënojat.
'Mësova me dhimbje kalimin nga kjo jetë të Baba Hekuran Nikollarit, klerikut që vazhdoi veprën e Baba Aliut, duke shërbyer si frymëzim dhe udhërrëfyes për komunitetin bektashi të qarkut të Gjirokastrës e më gjerë.
Falë punës së jashtëzakonshme të Baba Hekuran Nikollarit, Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan u ringrit nga rrënojat. Ai e riktheu këtë vend të shenjtë në simbol të vlerave shqiptare, monument të qetësisë, dashurisë dhe ndihmës për të pamundurit.
Baba Hekurani do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin ndaj besimtarëve, si mbrojtës i identitetit kombëtar dhe përhapjes së harmonisë fetare. I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, besimtarëve bektashinj dhe i bashkohem lutjeve për prehjen në paqe të shpirtit të Baba Hekuran Nikollarit', shkruan ai.
Lajmi kryesor:
Përmet/ Ndërron jetë Baba Hekurani, Dervishi i Teqesë së Baba Aliut
S.B/ReportTv.al
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)