Vajza e shkrimtarit Dritëro Agollli, Elona Agolli ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Ismail Kadares.
Me një postim në rrjetet sociale, Elona Agolli shkruan se edhe pse ai u largua nga kjo jetë do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët.
“Ndoshta do të kishin dashur të prisnin ndryshe të fundmen ditë …njëlloj ashtu siç i madhi Niko Kazanxaqis admironte vdekjen në këmbë, të njëjtë me ushtarët e Pompeut . Apo si ai që përfshihej nga llava e vdiste në këmbë si statujë. Edhe atë ditë që babi nuk më lëshonte duart nga flokët duke i tërhequr si litarë, atë ditë në spitalin me muret gri dhe frymën e kobshme të vdekjes, ai këtë gjë donte të më thonte. Jam e bindur që edhe ai, miku i hershëm dhe i gjithjetshëm i babait tim, ashtu do ta dëshironte. E sido që të jetë, Ismail Kadare që sot do të prehet në banesën e fundme, me kurmin në tokë, por shpirtin afër qiellit, ashtu siç përherë të mëdhenjtë shkrimtarë e kanë, në jetën tokësore por edhe në atë në amshim, brez pas brezi e shekull pas shekulli, do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët, më i ndriçuar ndër të ndriçuarit. Lamtumirë i adhuruari shkrimtar! Lamtumirë, për mua, xhaxhi Ismail",shkruan ajo.
Lajmi kryesor:
Lamtumirë Ismail Kadare! Homazhe publike në TKOB e ceremoni familjare varrimi! Edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut nderuan kolosin e letërsisë shqipe
S.B/ReportTv.al