Lamtumirë Ismail Kadare! Homazhe publike në TKOB e ceremoni familjare varrimi! Edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut nderuan kolosin e letërsisë shqipe

3 Korrik, 07:20| Përditesimi: 4 Korrik, 00:49

  • Share

TIRANË-  Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i dhanë sot (3 korrik 2024) lamtumirën e fundit kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare. Shkrimtari i madh që e ngriti letërsinë shqipe në panteonin e letërsisë botërore, Kadare, u nda nga jeta të hënën e 1 korrikut në moshën 88 vjeçare.

Në rrugëtimin e tij në botën e përtejme u përcoll me duartrokitje, karafila të bardhë drejt arkivolit, nderime por dhe polemika, ashtu siç krijoi dhe me veprat e tij letrare.

"Cmë panë sytë e cmë tha mendja duke u marrë me funeralin tënd. Së paku më duhet të të falenderoj për këtë telefonovelë të pashkruar e cila është padiskutim për mua ajo shenja që shkruaje se do të bëje para se do të ikje, më dhe  atë përgjigje që nuk ta mora dot së gjalli. Që më thoje nuk shkruaj më. Kur të pyesja po përse jo, ma ktheje: I kam thënë të tëra! -  tregoi kryeministri Edi Rama ndër rreshtat e fjalimit të tij përkujtimor pranë arkivolit të shkrimtarit Kadare. 

Përplasjet e opinioneve në skenë dhe prapaskenë lindën për vendvarrimin e tij, menjëherë sapo u mësua vdekja dhe ngritja e komisionit të posaçëm shtetëror që do të merrej me organizimin e ceremonisë funebre të 'shqiptarit që i takon botës".

"...Propozime të pakërkuara për ta varrosur tek Vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë, tek Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacional – Çlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë." tregoi Rama. 

Homazhet publike ne TKOB
Kryeministria zgjodhi Teatrin e Operas dhe Baletit për të mbajtur homazhet publike për gjeniun e letrave shqipe aty ku më parë ishte ngritur (për një shfaqje të planifikuar më parë) një skenografi me bustin e Nënë Terezës që nuk mund të hiqej. 

Arkivoli i mbuluar me flamurin shqiptar e lule u vendos në skenë ndërsa në sfond ishte silueta e Nënë Terezës, me shaminë e murgeshës bardhë e blu, duart që luten e rruzaret me një kryq të varur. 

 "Nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndihej i marrë në mbrojtje nga të tërë ata  shumë që s’e donin, po edhe nga ata jo pak që e donin po s’do t’i donte asesi rrotull, përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën." tha Rama, i cili ishte dhe organizatori i ceremonisë shtetërore të varrimit.

Pak metra larg arkivolit, ishte vendosur tavolina me librin e ngushëllimeve. Ata që kishin ardhur për ta nderuar linin nga një shënim në librin e lamtumirës ndërsa portreti i madh i Ismail Kadaresë rrinte i vështronte.

 

Foto: Ceremonia e varrimit të Ismail Kadaresë, homazhet në TKOB, 3 korrik 2024! Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shkruan në librin e ngushëllimeve

Të veshur me të zeza bashkëshortja Helena Kadare dhe dy vajzat e shkrimtarit, Gresa dhe Besjana të ulur në reshtin e parë pritën ngushëllimet e një kortezhi të madh me njerëz, pjesë e të cilit ishin dhe krerët më të lartë të Shqipërisë, Kosovës  e Maqedonisë së Veriut, personalitete të shquara të kulturës dhe artit në botën shqiptare, miq dhe dashamirës të autorit, por dhe qytetarë të thjeshtë. Ata që në shtëpitë e tyre kanë të paktën një libër të Kadaresë dhe me artin e fjalës së tij i bëri të ëndërrojnë përtej kufijve të Shqipërisë. 

“Shkrimtari kombëtar Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, dhe letërsinë shqipe e ngjiti në panteonin botëror letrar. Nën hijen e shqiptares që i takon botës bëhet përcjellja më e mirë nga jeta e shqiptarit që i takon botës, i cili e kishte Nënë Terezën shenjtoren e tij të dashur”, tha në ceremoni kryeministri.

Me kërkesë të familjes Kadare, ishte caktuar vetëm ai të mbante fjjalimin e rastit. 

"Ismail Kadareja jetoi si dëshmitar i një fjale për të cilën mori të tëra lëvdatat e nderimet e mundshme të botës dhe të tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Nuk e mori çmimin Nobel, po mbeti në arkivat e proçes-verbaleve të Komitetit të Nobelit, i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij" tha Rama.

Në homazhet që vijuan nga ora 09.00 deri në 12:50, nuk munguan personalitetet politike të vendit, si presidenti Bajram Begaj,dy ish presidentët, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani. Nga Kosova udhëtoi drejt Tiranës presidentja Vjosa Osmani, e kryeministri Albin Kurti e shumë politikanë të tjerë. Nga Maqedonia e Veriut kishte ardhur kreu i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i bashkisë së Tetovës, Bilal Kasemi. Kadare ishte zëri në mbështetje të Kosovës dhe shqiptarisë

Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën. Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare!’’, shkruajti presidentja Osmani në librin e ngushëllimeve.

" Historia me gjithë mitet, politika me gjithë intrigat, gjuha me gjithë bukurinë, me romanet dhe pozitë e Ismail Kadaresë u bënë dije dhe vetëdije për popullin tonë. Lum ne që e patëm kaq shumë. Vepra e tij do të rrojë gjatë, jo vetëm për ne" shkruajti kryeministri Kurti

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti u kërkoi të rinjve të ecin në gjurmët të artit të Kadaresë.  

Foto: Ceremonia e varrimit të Ismail Kadaresë, homazhet në TKOB, 3 korrik 2024

Kadare i pazëvendësueshëm
Për shkrimtarët e bashkëpunëtorët e tij do të mbetet i pazëvendësueshëm.

Kadarenë do ta kujtoj si nje mik të dashur dhe shkrimtar të madh të permasave botërore, është fenomen letrar dhe shkolle letrare- tha shkrimtari Fatos Kongoli.

Kam menduar që kurre nuk do ta vuaj që ai nuk është, se ai është diku, edhe sot ai është diku, në panteonin e letërsisë botërore- tha Bujar Hudhri, botuesi i veprave të tij.

Po percjellim njeriun Kadare, por shkrimtari Kadare do jetë gjithnjë te ne. Breza të tërë do ikin dhe ai do të mbetet me veprën e tij- theksoi Rita Petro, shkrimtare.

Ceremonia private e varrimit
Në orën 12:30 u mbajt një minutë heshtje dhe më pas arkivoli doli nga Teatri i Operas dhe Baletit për të vijuar me një ceremoni të ngushtë familjare në varrezat e Tufinës, ashtu siç ishte dhe vullneti i familjarëve dhe i vetë shkrimtarit. 

"Sa për sot, është kërkesë legjitime e hijes së tij të pandashme, Helenës, që vendosja e përkohshme e trupit të tij në Tufinë të bëhet vetëm me praninë e familjarëve. S’ka asnjë dyshim se ky do të ishte edhe vullneti i Ismailit nëse do të pyetej, prandaj në emër të saj, u kërkoj të gjithëve respektimin e këtij vullneti dhe mbylljen e homazheve në çastin e nisjes së korteut të vogël familjar nga sheshi këtu, për në varrezat e qytetit" tha Rama.

Foto: Ceremonia e varrimit të Ismail Kadaresë, 3 korrik 2024

Në Tufinë përkohësisht
Shkrimtari i madh do të prehet përkohësisht atje deri kur të jetë gati një banesë e fundit vetëm e tija

Ismail Kadareja e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija.  Jo bashkë me dëshmorët, sepse ai as ishte dëshmor dhe as nuk kishte gjëkundi, në asnjë qelizë të tijën dëshirën apo gatishmërinë për të rënë dëshmor.

Jo bashkë me vëllezërit Frashëri, të cilët ishin ndër fare të paktët që ai i donte dhe respektonte sinqerisht, sepse as nuk ia kanë borxh t’i bëjnë vend në varret e tyre. 

Jo tek parku përballë Rognerit dhe as tek fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë...'  tha Rama

Foto: Dy vajzat, nipi dhe mbesa e Kadaresë në ceremoninë e varrimit, 3 korrik 2024

Lamtumire baba! 
Në varrezat e Tufinës, ceremonia e lamtumirës ishte private me pak njerëz, familjarë e miq të Kadaresë. Secila prej vajzave të tij, Besiana dhe Gresa mbajtën fjalën e tyre të shkurtër para arkivolit.   

"E përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon.... Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij" tha Besjana Kadare.

Gresa kujtoi momentet me të atin. 

"Nuk m’a kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rrjesht përshembull nga përkthimi i Nolit që ishte i goditur"  

Mes dhimjes dhe lotëve lamtumirën e fundit gjeniut të letrave shqipe ia dha dhe nipi dhe mbesa e tij

Lamtumirë baba! thanë në shqip e frëngjisht 

1720006432_kadare.jpg

Foto: Ceremonia e varrimit të Ismail Kadaresë, ne Tufine, 3 korrik 2024

Ismail Kadare një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohor, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërroi jetë në moshën 88 vjeç, mëngjesin e 1 korrikut 2024. Kadare pësoi "arrest kardio-respirator", në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë. 

Ndërsa sot me dhimbje e nderime iu dha lamtumira. 

"Ai erdhi, shkroi dhe iku!

Ne i kemi vetëm një detyrim. T’ia respektojmë ikjen, duke i dhënë në kohën dhe vendin e duhur një banesë të fundit, ku të mos ndjehet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar, që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar, që e kishte lemeri dhe as jo e jo nga tubimet, nderimet e fjalimet sidomos, që i kishte llahtari" tha Rama në fjalimin e tij të rastit. Lexoni ketu te plote fjalimin e Edi Rames

Foto: Ceremonia e varrimit të Ismail Kadaresë, homazhet në TKOB, 3 korrik 2024

Në nder të tij u shpallën dy ditë zie në Shqipëri,(2 dhe 3 korrik 2024) ndërsa në Kosovë u shpall ditë zie data 3 korrik.

Ora 20:53
Ndarja nga jeta e Kadaresë, vajza e Dritëro Agollit: Lamtumirë xhaxhi Ismail! Do të mbetesh më i gjallë ndër të gjallët

1720032949_KADARE.JPG

Vajza e shkrimtarit Dritëro Agollli, Elona Agolli ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Ismail Kadares.

Me një postim në rrjetet sociale, Elona Agolli shkruan se edhe pse ai u largua nga kjo jetë do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët.

“Ndoshta do të kishin dashur të prisnin ndryshe të fundmen ditë …njëlloj ashtu siç i madhi Niko Kazanxaqis admironte vdekjen në këmbë, të njëjtë me ushtarët e Pompeut . Apo si ai që përfshihej nga llava e vdiste në këmbë si statujë.  Edhe atë ditë që babi nuk më lëshonte duart nga flokët duke i tërhequr si litarë, atë ditë në spitalin me muret gri dhe frymën e kobshme të vdekjes, ai këtë gjë donte të më thonte. Jam e bindur që edhe ai, miku i hershëm dhe i gjithjetshëm i babait tim, ashtu do ta dëshironte.  E sido që të jetë, Ismail Kadare që sot do të prehet në banesën e fundme, me kurmin në tokë, por shpirtin afër qiellit, ashtu siç përherë të mëdhenjtë shkrimtarë e kanë, në jetën tokësore por edhe në atë në amshim, brez pas brezi e shekull pas shekulli, do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët, më i ndriçuar ndër të ndriçuarit.  Lamtumirë i adhuruari shkrimtar! Lamtumirë, për mua, xhaxhi Ismail",shkruan ajo. 

Ora 20:08
Ambasadat amerikane në Shqipëri dhe Kosovë vlerësojnë Kadarenë: Kontributet i tij ka lënë gjurmë në botë

1720030248_AMBASAFPORI.JPG

Ambasadat amerikane në Shqipëri dhe Kosovë kanë vlersuar shkrimtarin Ismail Kadare.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka ngushëlluar për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare, ndërsa ka bërë homazhe dhe shkruar edhe në librin e zisë që ishte i vendosur në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë.

“Sot, teksa Kosova mban Ditën Kombëtare të Zisë, unë pata nderin të nënshkruaj librin e ngushëllimeve, duke kujtuar gjigantin letrar Ismail Kadare, kontributet e tij të jashtëzakonshme në letërsinë e gjuhës shqipe kanë lënë gjurmë të pabesueshme në botë. Ngushëllimet e mia më të thella për familjen, miqtë dhe admiruesit e tij”, ka thënë Hovenier në platformën X.

Ndërsa, Ambasada amerikane në Tiranë ka zgjedhur ta kujtojë në një tjetër formë shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadarenë, i cili u nda nga jeta më datë 1 korrik 2024.

Ambasada iu ka kërkuar diplomatëve amerikanë të saj në Tiranë të ndajnë mendimet e tyre për disa nga veprat më të njohura të shkrimtarit të madh.

“Në nder të veprës së gjigandit shqiptar të letërsisë Ismail Kadare, ne u kërkuam diplomatëve amerikanë në Ambasadën e ShBA në Tiranë të ndajnë mendimet e tyre për disa prej librave të tij. Shihni vlerësimet e tyre dhe bashkojuni bisedës duke ndarë me ne librin tuaj të preferuar të Kadaresë në komente”, thuhet në postimin e ambasadës.

Në postimin e ambasadës amerikanë janë edhe përshtypjet e diplomatëve për librat e Kadaresë.

 

Ora 15:58
“I the të gjitha, fli i qetë! Pikëllimi është i thellë sepse admirimi është i lartë”, mesazhet e lëna nga Rama dhe Kurti për Ismail Kadarenë

Shqiptarët i dhanë këtë të mërkurë lamtumirën e fundit shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare, mëngjesin e 1 korrikut.

Në një ceremoni shtetërore të mbajtur në Teatrin e Operas dhe Baletit, krerët më të lartë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës, personalitete të shquara të kulturës dhe artit në botën shqiptare, miq dhe dashamirës të autorit, por dhe qytetarë të ndryshëm morën pjesë në homazhet e zhvilluara në nderim të shkrimtarit.

Mes të pranishmëve ishin dhe kryeministrat Rama e Kurti, ku krahas vendosjes së buqetave me lule lanë dhe një shënim në librin e lamtumirës për Ismail Kadarenë.

Kryeministri Rama zgjodhi një mesazh të shkurtër, ku shkruan: “I the të gjitha, fli i qetë”.

Ndërkohë që mesazhi i lënë nga bashkëshortja e kryeministrit Rama, Linda Rama, ishte: “Ismail! Të privilegjuar të ishim bashkëkohës, të privilegjuar të të lexonim në shqip, Linda Rama”.

Sakaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti la një mesazh më të gjatë në librin e kujtimeve të shkrimtarit. Në mesazhin e tij, Kurit vlerëson maksimalisht figurën e Kadaresë dhe thekson se vepra e tij do të jetojë gjatë.

“Pikëllimi është i thellë sepse admirimi është i lartë. Historia me gjithë mitet, politika me gjithë intrigat, gjuha me gjithë bukurinë, me romanet dhe pozitë e Ismail Kadaresë u bënë dije dhe vetëdije për popullin tonë. Lum ne që e patëm kaq shumë. Vepra e tij do të rrojë gjatë, jo vetëm për ne Me mall e mirënjohje, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës!”, shkruan Kurti.

 

 

 

Ora 14:23
'Lamtumirë baba!' Mes lotësh, mbesa dhe nipi përcjellin Kadarenë për në banesën e fundit

1720006795_varrimi.png

Nipi dhe mbesa i dhanë lamtumirën mes lotëve dhe dhimbjes së gjyshit të tyre, shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

 Në përcjelljen për në banesën e fundit, mbesa e shkrimtarit të madh u përlot teksa tha: 

Lamtumirë baba, ashtu si të kam quajtur gjithmonë!

Nipi i Ismail Kadaresë recitoi poezi të gjyshit të tij në gjuhën frënge.

"Lamtumirë baba"

Shkrimtari i madh, Kadare u përcoll ditën e sotme për në banesën e fundit në Tufinë, ku do të prehet përkohësisht. Siç bëri të ditur kryeministri Edi Rama, shkrimtari i madh do të prehet aty përkohësisht, deri kur të jetë gati një banesë e fundit vetëm e tij.

Ora 14:20
'Homazhi më i mirë është të lexojmë veprat e tij', Fjalimet e dy vajzave të Ismail Kadaresë pranë varrit të tij

 

 

Në ceremoninë private të varrimit të Ismail Kadaresë, në varrezat e Tufinës në Tiranë mbajtën fjalën dy vajzat e tij.

Besiana Kadare, në fjalën e saj në varreza, tha se e përfytyron që Kadare ‘është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon’. Më tej ajo shtoi se një nga mënyrat më të mira për t’i bërë homazh është që të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij.

Besiana Kadare, vajza e Ismail Kadare: Të dashur miq faleminderit që keni ardhur sot. Jemi të gjithë shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri, mesazhet e ngushëllimit, shumë ceremoni prekëse. Nuk do bëj ndonjë fjalim, e përfytyroj që thoshte një nga frazat e tij të preferuara ‘do na lësh rehat tani, nuk dua’. E përfytyroj është ngjitur, është si në një vorbull drite, e përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij. Faleminderit që keni ardhur sot.

Gjithashtu fjalën e mbajti edhe vajza tjetër e gjeniut të letrave shqipe, Gresa Kadare, e cila tha se Kadare ishte krejt i veçantë në të gjithë gjërat. Më tej ajo u shpreh se kurrë nuk është mërzitur me të apo me neglizhencat e saj qëkur ajo ishte fëmijë.

Gresa Kadare: Të dashur miq faleminderit për prezencën tuaj. Desha të them diçka të vogël. Ismaili ka qenë gjithnjë një baba ndryshe nga të gjithë etërit e shokëve e shoqeve të mia. Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera dhe i bindej vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia për punët e shtëpisë, e plotë e plotë të tjera, por nuk m’a kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Nga ana tjetër entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rrjesht përshembull nga përkthimi i Nolit, i Don Kishotit, që ishte i goditur. Këtë filozofi dora dorës ndoshta e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria.

Ora 11:56
Homazhet për Kadarenë/ Mevlan Shanaj: Lamtumirë gjeni! Nuk vjen më një si ai

Mevlan Shanaj, aktori dhe regjisor I njohur dhe një mik i Kadaresë tha se humbja është e madhe.

Mevlan Shanaj: Ismail Kadareja na bëri të mencur e trima. Nuk vjen më një si ai. Lamtumirë gjeni
 

Ora 11:47
Lamtumira për Ismail Kadarenë/ Personalitete nga Maqedonia e Veriut në homazhe, Ali Ahmeti: Vepra e Kadaresë të vijojë! Kasemi: Nobelin ia dhanë lexuesit 

Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti dhe kryetari i Tetovës Bilall Kasami erdhën në Tiranë për ti dhënë lamtumirën e fundit  shkrimtarit Ismail Kadare.

Ahmeti përcolli mesazhin për të gjithë të rinjtë që duan të ndjekin artin ecin në gjurmët e Kadaresë.

Ali Ahmeti: “Atyre që krijojnë prozë e poezi të vijojnë vazhdimisësinë e Kadaresë dhe Agollit” tha ai.

Bilal Kasemi: Sot Tetova humb një qytetarë të saj. Ismail Kadare mbetet shkrimtari që padrejtësisht iu mohua cmimi Nobel për letërsinë, por besoj se cmimin ia dhanë lexuesit”

Pak kohë më parë Tetova i dha Kadaresë titullin “Qytetar Nderi’

 

Ora 11:30
Lamtumira për Kadarenë/ Fatos Kongoli: Ishte shkollë letrare! Rita Petro: donte një diell perëndimor për Shqipërinë

Në homazhe për t'i dhënë lamtumirën Ismail Kadaresë erdhën dhe shkrimtarë shqiptarë.

Shkrimtari Fatos Kongoli e quajti një shkollë letrare, Ismail Kadarenë dhe tregon bisedat e fundit me të.

Fatos Kongoli: “Kadare është shkrimtar i madh i përmasave botërore. E kam adhuruar gjithmonë si autor Kadarenë dhe atëherë kur nuk më shkonte mendja të bëhesha unë shkrimtar. Vitet e fundit u miqësuam me njëri tjetrin. Kishim një mik të përbashkët dhe vila e Kadaresë në Qerret takoheshim shpesh. Më ndodhte të takohesha dhe në raste festash.Ismaili nuk është shkrimtar i zakonshëm. Është shkollë letrare” 

Rita Petro: Shkrimtari Kadare do të vijojë të jetë mes nesh edhe kur ne të mos jemi. Nuk ka shtëpi pa një libër të Kadaresë. Madje dy ditët e para, 1 dhe 2 korrik, (Kadare vdiq më 1 korrik) qielli ishte shumë I ngrysur njëlloj si në romanet e Kadaresë. Ai donte një diell perëndimor. Është shkrimtari I të gjithë shqiparëve.

 

Ora 11:19
FOTO+VIDEO/ Dy ish-presidentët Meidani e Moisiu nderojnë Ismail Kadarenë

 

Të shumtë janë personalitetet që kanë kryer homazhe në nder të shkrimtarit Ismail Kadare.

Në homazhe u panë edhe dy ish-presidentët, Alfred Moisiu e Rexhep Meidani, të cilët nderuan Kadarenë.

1719997715_moisiu.jpg

Ora 11:14
Kosova nderon Ismail Kadarenë, Albin Kurti homazhe për kolosin e letërsisë shqiptare

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga delegacioni it ij ka mbërritur në Teatrin e Operas dhe Baletit për të nderuar kolosin e letërsisë shqiptare, Ismail Kadare.

Kurti, Mimoza Kusari Lila me delegacionin, kryetari i Kuvendi Glauk Konjufca morën pjesë në homazhet për Kadarenë.

Ora 11:09
Fatos Kongoli, Reshat Arbana dhe Luftar Paja homazhe për Ismail Kadarenë

Personalitete të artit dhe letërsisë ndodhen në TKOB për të dhënë lamtumirën e fundit shkrimtarit që I frymëzoi në karrierën e tyre.

Mes tyre dhe shkrimtari Fatos Kongoli dhe aktori Reshat Arbana, e Luftar Paja, Timo Flloko, Vera Grabocka, Kastriot Çaushi.

Fatos Kongoli një nga mjeshtrat e letërsisë shqipe në një intervistë tha se Kadareja ishte shkrimitari më mirëfillti shqiptar

Mbaj mend një artikull idiot që e sulmonte se Kadareja nuk shkruante për lexuesin shqiptar. Kadareja nuk është lexuar si shkrimtar i mirëfilltë, por ai ka qenë më mirëfillti shqiptar. Kadareja ishte njeri i zgjuar, nuk ishte naiv dhe ai e përdori regjimin në interes të krijimtarisë së tij.

Ka pasur smirë, ligësi sa të duash. Kjo smirë dhe ligësi e kolegëve e ka ndjekur deri në fund Kadarenë, por pjesa më e madhe e adhuronin se ishte shkrimtar i madh”-u shpreh Kongoli në një intervistë për top channel më 1 korrik.

Ora 11:06
Lamtumirë Ismail Kadare, në homazhe edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës

Figura të larta nga Kosova kanë nderuar Ismail Kadarenë. Në homazhe në nder të shkrimtarit mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ora 11:05
Lamtumirë Ismail Kadare, në homazhe Taulant Balla

 

Ministri i brendshëm Taulant Balla mori pjesë në homazhet për shkrimtarin Ismail Kadare.

Balla ishte i shoqëruar nga disa efektivë policie.

Ora 11:01
Preç Zogaj homazhe për Ismail Kadarenë: Themeloi letërsinë e re moderne shqipe

 

Shkrimtari Preç Zogaj mori pjesë në homazhet për Ismail Kadarenë. Ai u ndal edhe në një prononcim për mediat, ndërsa kujtoi edhe takimet me Kadarenë.

Vdekja e tij do shërbeje për të rivendosur në lartësinë e merituar konceptin për letërsinë. Ka një keqkuptim për letërsinë sot, se shumë autorë, nuk e startojnë nga majat. Majat janë fillesat e gjithë atyre që fillojnë.

Takimi i fundit me Kadarenë? Takimet e fundit kanë qenë spontante gjatë shëtitjeve të tij, ose në ndonjë kafe. Jam takuar në bulevard jemi ulur në kafe. Kadareja ka qenë disi i sofistikuar, duhet të zotëroje një lloj kodi për komunikimet me të. Shakatë e tij nuk ishin të rëndomta. Kjo është mbresa që kam ruajtur, nuk bëhej kurrë banal. Dinte të qëndronte gjithnjë mbi, duke i thënë të gjitha.

Shkrimtari që ka dijen e dhuntisë, ka një mision ta ruajë dhuntinë. Kadare këtë bëri, e sendërtoi dhuntinë me vepra që themeluan letërsinë e re moderne shqipe.

Ora 10:41
Homazhet për Ismail Kadarenë, Helena me dy vajzat me lot në sy

I jepet lamtumira e fundit shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cilësuar si kolosi i letërsisë shqipe që futi Shqipërinë në hartën botërore letrare.

Homazhet po mbahen në Teatrin të Operas dhe Baletit, ku marrin pjesë familjare, miq, figura dhe personalitete të larta e dashamirës.

Në këtë foto shihet edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare dhe vajzat e saj, veshur në të zeza e me lot në sy.

Ora 10:21
Lamtumira për Kadarenë, në homazhe edhe Basha e Meta

Deputeti demokrat Lulzim Basha mori pjesë në homazhet për Ismail Kadarenë. Në homazhet në nder të shkrimtarit mori pjesë edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili shoqërohej nga Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho.

Basha në një prononcim për mediat vlerësoi figurën dhe krijimtarinë e Kadaresë, ndërsa një mesazh kishte edhe për të rinjtë të cilëve u thotë se duhet t’i lexojnë veprat e kolosit të letërsisë shqipe.

"Kadare është ngjitur në Panteonin e përjetësisë si njeriu që në kohën më të vështirë për kombin shqiptar i kujtoi bashkëkombësve dhe gjithë botës se ne jemi një ndër kombet e identitetit europian dhe i formimit të identitetit europian. Kjo në një kohë që u bë çdo përpjekje për të shkatërruar lidhjet shqiptarëve me habitatin e tyre që është Europa. Kisha një mesazh për të rinjtë, që të përpiqen të lexojnë qoftë edhe një poezi, apo roman të Ismail Kadaresë se do ti shndërrojë dhe do ti ndryshojë, të kuptojë vlerën e tyre si shqiptarë, qoftë edhe si individ", tha Basha. 

Meta u shpreh se Kadare me krijimtarinë e tij e ngriti Shqipërinë në majat e letërsisë botërore.

“Për t’i dhënë lamtumirën gjeniut të kombit që me penën e tij e ngriti Shqipërinë dhe shqiptarët në majat e letërsisë botërore atëherë kur Shqipëria ishte më e izoluar se kurrë. Me sakrificë i parapriu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh dhe të papërsëritshëm”, tha Meta.

Ora 09:43
Homazhet për Ismail Kaderenë në TKOB me simbolin e Nënë Terezës! Lexohen poezitë dhe pjesë të prozës së tij

 

Në sallën e TKOB kanë nisur homazhet publike dhe ceremonia shtetërore e lamtumirës për gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare. Bashkëshortja Helena dhe bijat e shkrimtarit të ndjerë po presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë.

Protokolli ka menduar edhe të vendosë simbolet e Nënë Terezës në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit ku është vendosur arkivoli i shkrimtarit, i cili është i mbuluar me flamurin shqiptar. 

Ndërkohë në sfond lexohen poezitë dhe pjesë të prozës së Kadaresë nën ingujt e muzikës funebre. 

Ora 09:35
Homazhe për Ismail Kadarenë, Alda Bardhyli: Iku i qetë, e botoi krijimtarinë e tij

 

Kadare iku i qetë pasi ai mendonte se e kishte kryer atë që ishte shumë e rëndësishme për një shkrimtar, botimin veprës së plotë. Kjo e bënte atë të qetë.

Kështu është shprehur studiuesja e njohur e letërsisë, Alda Bardhyli, në ditën e përcjelljes për në banesën e fundit të Ismail Kadaresë.

Bardhyli ka qenë një nga personat që i ka qëndruar pranë shkrimtarit, sidomos vitet e fundit.

Ora 09:19
Lamtumira për Ismail Kadarenë/ Helena me të zeza mbërrin në TKOB e shoqëron Veliaj

 

Bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare ka mbërritur në Teatrin e Operas dhe Baletit  ku dhe do të mbahen homazhet. Ajo është parë të shoqërohet nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

Në homazhe do të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit, politikës dhe personalitete të artit.

Ora 08:57
Sot homazhet për Ismail Kadarenë, arkëmorti mbërrin në Teatrin e Operas dhe Baletit! E bija në lot

 

Në Teatrin e Operas dhe Baletit mbahen homazhet për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili u nda nga jetë në moshën 88-vjeçare. Krerët më të lartë të shtetit, politikës e personalitete të artit do të marrin pjesë në homazhe.

Në Teatrin e Operas dhe Baletit ka mbërritur edhe arkëmorti i Kadaresë, ndërsa vajza e tij Besjana Kadara dallohet në lot.

I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vori: 04/07/2024 10:32

    Perse ANDI BEJTJA nuk pelqen qyteterimin perendimor?

    Përgjigju
  • Fshati: 04/07/2024 10:08

    Le te presë dhe pak kolosi i letërsisë, se si të tjerët do të përfundojë, Skënderbeu i madh ishte por ja n sajuam nënën serbe, Ismail Qemali I madh ishte por ja sajuam gruan greke, edhe këtij do ta sajojme diçka por është shpejt akoma.

    Përgjigju
  • Iris: 04/07/2024 03:57

    Silueta e Nene Terezes ishte pa vend,duket si skene teatri dhe largonte vemendjen dhe e bente arkivolin te dukej shume i vogel.Nje foto e me permasa te pranueshme e Kadarese do te kishte qene me e pershtatshme.

    Përgjigju
  • Populli: 03/07/2024 12:19

    Qe ta kuptoni nje here e mire, ata qe planifikojne te tilla provokime (duke vendosur kryq tek nje figure kombetare) nuk jane besimtar, por vegla te nje grupi te caktuar. Nqs doni per tu futur dhe nga ana fetare, kryqi dhe gjysem hena nuk kane lidhje me besimin, nuk permenden as ne Bibel e as ne Kuran. Nji besimtar i mirefillte i di keto gjera, kurse fatkeqsisht masa nuk i percepton. Jezusi nuk i tha njerezve perdorni kryqin, por i tha besoni ne Zot. Muhamedi nuk i tha njerezve perdorni gjysemhenen, por i tha po percjelli fjalen e Zotit ashtu siç e percjellen dhe profetet e meparshem.

    Përgjigju
  • Pensionisti: 03/07/2024 10:41

    Si kuptoj keta njerez qe shkojne ne nje ceremoni mortore shtetrore me kapele, xhinse, bluza apo edhe me shapka e sandale disa sikur po ven per kafe apo ne pazar. Edhe mbahen per intelektual! Turp, pa pike etike dhe klasi.

    Përgjigju
  • adela: 03/07/2024 10:38

    tani me falni, se sjam as besimtare asgje. PO ai e ka emrin ISMAIL... clidhje ka kryqi. e para qe nga emri tij e dyta SJEMI AS VEND KATOLIK AS MYSLIMAN. Mund ti kursenin keto rite fetare idiote

    Përgjigju
    • Mara emigrante ne Itali: 03/07/2024 11:09

      Po çfar rendesie ka emri moj Adele,edhe une emrin e kam katolik dhe fene myslimane .tregove se sa e zgjuar je .Populli shqiptar nuk eshte nisur nga feja per te vendosur emra .Injorante .

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?