E vendosur përballë Detit Baltik, antena anonime gjigante 40 metra e lartë del papritur nga hiçi pranë Okunevos, në Kaliningrad, enklavën ruse mes Polonisë dhe Lituanisë. Ajo ndodhet vetëm 98 kilometra, në vijë ajrore, nga Gdańsk-u (Bashkimi Evropian) dhe konsiderohet si një nga përgjegjëset për mijëra raste ndërhyrjesh në sistemet e navigimit të avionëve dhe anijeve — madje edhe qindra kilometra larg — që prej vitit 2022, vit i pushtimit rus në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Triangulimet
Për ta zbuluar, ekspertë nga vende të ndryshme janë detyruar të përdorin një sërë triangulimesh dhe imazhe satelitore. Dhe në Bruksel — ku ndodhet selia e NATO-s — mes viteve 2023 dhe 2024 disa gjeneralë evropianë kanë propozuar që ajo të "rrëzohet ose çaktivizohet", shpjegon për Corriere një burim perëndimor. Më shumë për të dhënë një sinjal sesa për të shuar rrjetin e Moskës të emetimeve anormale të valëve elektromagnetike. Por ideja u refuzua muajt e fundit, vijon burimi, si për shkak të kundërshtimit amerikan, ashtu edhe për frikën e një zgjerimi të konfliktit.
Njësitë ruse
Antenat e Okunevos nuk janë të vetmet që përdorin rusët. Pika të tjera "me interes" janë identifikuar në Baltiysk dhe Yantarnyy, po në zonë, pranë Shën Petersburgut dhe më në jug, përgjatë kufirit me Ukrainën. Pajisje të tjera penguese, sipas akuzave të bëra nga Talini në qershor, rusët i kanë instaluar rreth 20 kilometra nga kufiri me Estoninë. Bëhet fjalë për postacione fikse dhe lëvizëse, të dukshme edhe nga satelitët ose të kamufluara. Ato menaxhohen kryesisht nga dy njësi: Brigada e 16-të (në Kursk, në kufirin me Ukrainën lindore) dhe Regjimenti i 218-të, të dy me mision të merren me luftën elektronike.
Mbi tre vjet probleme
Prej më shumë se tre vitesh dhjetëra avionë mes Evropës dhe Lindjes së Mesme janë detyruar të përballen me probleme në marrjen dhe transmetimin e të dhënave satelitore gjatë fluturimit. Zyrtarisht, pajisjet përdoren nga Moska për të penguar sinjalet e navigimit të dronëve ukrainas. Por efekti anësor është se ndërhyrjet përplasen fort me sistemin global të pozicionimit (Gps) të përdorur nga avionët dhe anijet civile.
Statistikat
Sipas platformës së monitorimit të Universitetit të Stanfordit, gushtin e kaluar mes 90 dhe 150 avionë në ditë kanë raportuar probleme serioze me funksionimin e instrumenteve në bord. OpsGroup, platformë referente e sektorit ajror, ka llogaritur se një vit më parë 1.400 fluturime në ditë humbnin sinjalin GPS mes Evropës, Lindjes së Mesme dhe Rusisë. Nga IATA, Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, bëjnë me dije se numri i rasteve të humbjes së sinjalit "është rritur me 220% mes viteve 2021 dhe 2024". Incidenca, vitin e kaluar, ka qenë 56,3 raste për çdo një mijë fluturime.
Llojet e ndërhyrjes
Sipas specialistëve, ndërhyrjet shfaqen në formën e jamming (bllokim i sinjalit) dhe spoofing (shtrembërim i të dhënave të pozicionit). Në muajt e fundit këto çrregullime kanë sjellë devijimin e fluturimeve diku tjetër (siç ndodhi janarin e kaluar kur një Boeing 737 i Ryanair që shkonte për në Vilnius, Lituani, u devijua në Poloni), anulimin për një muaj të një rruge të tërë (rasti i Finnair në lidhjet me Tartu, Estoni lindore), si edhe mbylljen e përkohshme të aeroporteve. Bullgaria, vend ku avioni i Ursula von der Leyen hasi probleme gjatë uljes, prej kohësh bën pjesë në zonën e prekur nga fenomeni.
Fenomene gjithnjë e më komplekse
"Ndërhyrjet po evoluojnë si në aspektin e shpeshtësisë ashtu edhe të kompleksitetit", ka shpjeguar së fundmi Jesper Rasmussen, drejtor i standardeve të fluturimit në EASA, Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit. Në lartësi të mëdha, rendisin ekspertët e OpsGroup, "spoofing" ka krijuar probleme të konfirmuara në sistemin e menaxhimit të fluturimit, në sistemin hibrid të referencës inerciale (i aftë gjurmojë pozicionin e avionit), në orën e avionit, në sistemet kundër përplasjes me tokën ose me një tjetër avion, në radarët e motit, në komunikimet mes pilotit dhe kullës, në transponderët që transmetojnë të dhënat identifikuese.
Debati në OKB
"Me tensionet gjeopolitike të vazhdueshme është e vështirë të imagjinohet një kthim pas të këtij trendi në afat të shkurtër", ka shpjeguar në një aktivitet në qershor Nick Careen, nënkryetar i Operacioneve dhe sigurisë në IATA. Për këtë arsye kompanitë ajrore kërkojnë një ndërhyrje zyrtare të Icao-s, agjencia e OKB-së për aviacionin civil. Por aty, zë kanë edhe ata, rusët./Corriere della sera
Komente
