Kultura

Nderime për Kadarenë në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta, Helena: U mbijetoi marrëzive të kohës që jetuam, ashtu si shqiptari e Shqipëria (VIDEO)

1 Korrik, 14:49| Përditesimi: 1 Korrik, 16:24

  • Share

Zëri në sfond është ai i Ismail Kadaresë ndërsa lexon disa nga poezitë që vetë ka krijuar. Ato “e sollën të gjallë” shkrimtarin, ndërsa kujtohej me një aktivitet të veçantë në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ku u fol për kontributin e tij të pazëvendësueshëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare, por edhe për rolin e tij të veçantë në një shoqëri, ku nuk ishte e thjeshtë të mbijetoje e për më tepër të krijojë”, tha Elena Kadare.

Mes shkrimtarëve, studiuesve, njerëzve të letrave, medias dhe politikës, ishte e pranishme edhe bashkëshortja e autorit, Hlena Kadare.

“Kur bëhet fjalë për figurën e Ismail Kadaresë unë jam e ndjeshme ndaj tonit elitar të folësve dhe vlerësimin që iu bë veprës së tij. Të gjithë e dimë që historia jonë ka qenë lufta për të mbijetuar, për të ekzistuar në tallazet tragjike dhe dramatike të shovinizmave dhe egoizmave çmendurake si pjesë e marrëzisë së botës ku jetojmë. Ashtu si mbijetoi shqiptari dhe Shqipëria mbijetoi edhe vetë Ismaili”, vijoi Helena Kadare.

Studiuesi Piro Misha, drejtues i Bibliotekës Kombëtare preku çështjen e disidencës së Kadaresë, duke thënë se vepra e tij është ajo që dëshmon pikërisht diçka të tillë.

“Në radhë të parë, duhet kuptuar që Shqipëria e kohës së Enver Hoxhës nuk ishte Çekia e Václav Havel apo Polonia e kohës. Në Shqipëri ishte e pamundur të kishte disident politik të tillë si Václav Havel që ishte në burg. Ismail Kadareja nuk mund të ishte disident politik i tillë, se ishte e pamundur në atë kontekst, por vepra e Ismail Kadaresë, për të gjithë ata që kanë jetuar atë kohë, kishte komponentë të qartë disidence ndaj vizionit të regjimit për botën, ishte një lloj kundër kulture e narrativës që kishte regjimi për letërsinë”, tha Pirro Misha.

Botuesi i veprave të shkrimtarit, njëkohësisht një ndër njerëzit që ka qëndruar më afër tij, vuri në dukje se ai arriti të ikte i plotësuar, pasi Kadare e ka botuar të plotë veprën.

“Vepra e plotë e Kadaresë është kryer në gjallje të tij, nën udhëheqjen e tij. Është në shtatë vëllime, mbi 7 mijë faqe që ai i ka parë në vite. Ka lënë jashtë vetëm dorëshkrime, që sipas tij nuk e kanë merituar nga ana artistike që t’i fusë në kolanë. Ai iku i lumtur mendoj nga kjo botë. Jam i lumtur që kisha fatin të kisha një shkrimtar botëror”, tha Bujar Hudhri.

Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe dhe ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore. Vepra e tij është përkthyer në mbi 45 gjuhë të huaja.

SI.E./a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • vera: 01/07/2025 19:58

    ELENA ,,NE JEMI KRENAR ME VEPREN E MADHE QE LA ISMAILI...SHKRIMTAR I MADH..ERUDIT,,NJOHES I MADH I HISTORISE TE POPULLIT TONE,,..NJE SHKOLLE E GJALLE...KEMI QENE ME FAT QE E KEMI PATUR NE SHQIPERI..,,EDHE FRANCA E MADHE E DONTE NE GJIRIN E VET.....AI DO JETE I PERJETSHEM MES NESH NEPERMJET VEPRES SE TIJ.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    I nxehti ekstrem, duhet të marrë masa Shqipëria për të mbrojtur qytetarët?