Ndërron jetë Ismail Kadare, por vepra e tij mbetet e pavdekshme, mesazhet e personaliteteve shqiptare

1 Korrik, 10:02| Përditesimi: 1 Korrik, 22:16

  • Share

U nda nga jeta mëngjesin e sotëm, kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare. Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, ishte 88 vjeç.

Personalitete të larta të vendit dhe jo vetëm kanë përcjellë mesazhet e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të shkrimtarit që shqiptarëve u fali dritën kur ishin në errësirën e diktaturës ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa. 

Më poshtë do të jenë të gjitha mesazhet e personaliteteve për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë

Ora 22:15
Visar Zhiti: Mirënjohje dhe dhimbje për gjithçka që bëtë Kadare

1719856864_KADARE.JPG

Shkrimtari Visar Zhiti, ka reaguar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadares.

Me një postim në rrjetet sociale, Zhiti shkruan se brezat janë rritur me veprat e tij, ndërsa kujton bisedat dhe takimet më të.  

“Ikja nga kjo jetë e Shkrimtarit dëshpëron të gjithë ata që e duan, por vepra e bën të pranishëm te çdo lexues i tij, bashkëbisedimi vazhdon. Kadare i dha gjuhës shqipe shumë dhe romanit shqiptar njohje botërore. Brezin tim e rritën me veprën e tij, ajo u bë e madhe, iu përshtat kohëve dhe u bë kohë dhe vetë. Mes adhurimeve të merituara dhe qortimeve të shumta po ashtu, ne e shohim si mjeshtër të fjalës shqipe. Botimet “Onufri” me përkushtim dhe besnikëri e kanë dhënë të plotë Kadarenë shkrimtar. Ai aty jeton. Takimet dhe bisedat me të i çmoj, nga ana njerëzore ato për mua kanë diçka nga dhënia e zjarrit dhe e cigareve të miqësisë, atë tym të ditëve aq shumë shqiptare. Mirënjohje dhe dhimbje për gjithçka që bëtë, Kadare!", shkruan ai. 

Ora 21:48
Ndarja nga jeta e Kadares, Kumbaro: Historia moderne e Shqipërisë dhe e letërsisë europiane, u kthye në përjetësi

1719832224_d65b1c414037t8otja.jpg

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, ka shprehur ngushëllimet e saj për humbjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

Me një postim në rrjetet sociale, ministrja ka zgjedhur fare disa vargje të një poezie të të tij.

“Ç'ish për t'u thënë është thënë, si gurët që zënë vend në tokë. Në jetë vend ne kemi zënë. Ismail Kadare, historia moderne e Shqipërisë dhe e letërsisë europiane, u kthye në përjetësi”, shkruan Kumbaro.

Ora 20:54
Spiropali reagon për vdekjen e Kadaresë: Ngriti Shqipërinë në lartësi të panjohura më parë! Mjerë kritizerët trukokallë

Lidhur me ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare ka reaguar edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila vlerëson veprën letrare të Kadare dhe nga ana tjetër kritikon ata që e përbaltin figurën e tij

Postimi i Spiropalit në Facebook:

Hyu Kadare

Hyu Kadare nuk qe një ardhës dhe ikës i zakonshëm, një shëtitës, një kalimtar, ndër të shumtit e kësaj bote.

Hyu Kadare ishte i rrallë, i çmuar, i jashtëzakonshëm.

Kadare ishte nga raca e qiellorëve, gjenialëve, profetëvë. Atyre që popujve, kombeve, komuniteteve, bashkësive, racave, u sjellin fat kur janë në mjerim, u tregojnë zgjidhje kur janë në hall, në vështirësi, në moment kritik, u sjellin një udhërrëfyes kur nuk dinë nga t'ia mbajnë, kur zjarri po fiket dhe duhet ndezur, kur drita meket dhe duhet gjallëruar.

Hyu Kadare erdhi, mblodhi shkarpat, ndezi zjarrin, edukoi brezat, frymëzoi miliona individë, nuk la të degradojë shija, të shprishet estetika, të kalbet dëshira për të lexuar, punuar, kontribuar për një Shqipëri të mbarë e të begatë.

Kadare ushqeu shpirtërisht dhe lartësoi mendërisht një popull të tërë.

Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë.

Mjerë kritizerët trukokallë që thonë se qe i tillë si shkrimtar, e i atillë si njeri, dhe broçkulla të tjera që Hyut veçse ia shtojnë lavdinë, dhe mediokrit i hedhin në honet e harresës.

Ta nderojmë, respektojmë, kujtojmë në pafundësi, është më e pakta që duhet dhe mund ta bëjmë për Hyun Kadare që erdhi na fali gjithçka, dhe iku pa na marrë asgjë.

Mall

 

 

Ora 19:05
Yuri Kim: Kadare e vendosi Shqipërinë në hartën letrare, ai do të jetë i pavdekshëm

1719853821_kimn.JPG

Ish-ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim, ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Isamil Kadare.

Me një postim në rrjetet sociale, teksa ka ndarë edhe një foto kur ka takuar Kadaren, Kim shkruan se Kadare e vendosi Shqipërinë në hartën letrare. 

“Ismail Kadare e vendosi Shqipërinë në hartën letrare, por si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, ai kapërcen kohën dhe vendin. Është bukur të dish se shumë kohë pasi ai dhe ne të kemi ikur, dikush që nuk ka lindur ende do të marrë një nga librat e tij, ai mund të jetë "Prilli i thyer"?, ndoshta "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"?. Por jini të emocionuar, ashtu si të gjithë ne që patëm fatin të ndajmë kohën me Ismailin.  Ai do të jetë i pavdekshëm”, shkruan ajo.

Ora 18:31
'Kohë e pamjaftueshme!' Besjana Kadare zgjedh disa vargje për të kujtuar babanë e ndjerë

Besjana Kadare, vajza e shkrimtarit të madh të letrave shqipe që u nda nga jeta mëngjesin e sotëm zgjodhi një poezi të ndjerë të të atit për të shprehur dhimbjen që ka kapluar në familjen e tyre.

Poezia titullohet “Kohë e pamjaftueshme”, të cilën Besiana ka vendosur ta publikojë në  rrjetet sociale. Kolosi i letërsisë shqiptare ndërroi jete sot në moshën 88 vjeçare.

Kohë e pamjaftueshme

S'kam kohë të harroj shumë gjëra
Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
Do t'më duhen së paku dy vjet.

Dhe ndoshta po aq për Danten,
Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.

Si udhëtari me peshë të tepërt
Para avionit që niset pas pak
I ngarkuar rëndshëm ende
Do t'afrohem tek varri humbak.

Nga supet si ta heq këtë barrë?
Ku ta hedh këte peshë, si?
Me të s'mund të zbres atje poshtë
Por as lart dot s'e lë kurrsesi.

I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t'ju bëj të gjithëve e do ik.

Ismail Kadare

Ora 18:24
‘Fish City’, të martën në zi për Kadarenë!’ Gjergj Luca, dedikim prekës korifeut të letrave shqipe

 

Mes shumë mesazheve ngushëlluese, një dedikim prekës për Kadarenë ka ardhur nga sipërmarrësi Gjergj Luca. Ky i fundit, me anë të një videomesazhi tregon impaktin që i madhi Kadare la në familjen e tij, duke kujtuar fjalët e gjyshes së ndjerë.

Gjergj Luca thotë se shkrimtari shqiptar është ndër të paktët zotërinj në Shqipëri, ndërsa thekson se fjala Zotëri nuk duhet të përdoret rëndomtë për çdo njeri.

Sipërmarrësi deklaron se ka shpallur të martën ditë zie kombëtare në “Fish City” dhe flamurin kombëtar do ta ulë në gjysmë shtizë.

Mesazhi i plotë:

Në atë periudhë që ne jemi rritur dhe jemi formuar, në shoqërinë tonë dhe në familjet tona fjala zotni përdorej shumë pak. Nga ato të pakta herë që unë e kam dëgjuar prej gjyshes sime, fjala zotni ka qenë për këtë njeri, kur ajo e emocionuar pas çdo shkrimi të këtij burri, fillonte fjalën zotni Ismaili ka përcjellë këtë mendim, ka përcjellë këtë ide, ka qenë kaq emocionale, ka dashur të thotë këtë ose atë gjë dhe ju e dini që në atë periudhë ne përdornim fjalën shokë dhe fjala zotni përdorej për shumë pak njerëz, përdorej për shumë pak burra, për shumë pak artistë, mjekë inxhinierë që e meritonin vërtetë fjalën zotni.

Kohët kaluan i dashur Ismail dhe fjala shokë që përdorej atëherë rëndomtë dhe tani në këtë periudhë që ne jetojmë u zëvendësua me fjalën zotni. Pra, në këtë vend tani ka shumë shumë zotni dhe ka shumë shumë pak, dhe përherë e më pak shokë. E çuditshme, tani që lexova që ju keni ikur në parajsë se keni ndërruar jetë, e para gjë më ngacmoi, më ngacmoi fjala e gjyshes sime që thonte për ju zotni.

E turpshme miq, e turpshme në këtë vend se kujt i themi ne sot zotni. Zotni ne i themi të gjithë qenërisë, të gjithë llumit, të gjithë të pangourrve.

A e meritojnë ata njerëz të jenë Zotni dhe të quhen njësoj si ky burrë, kur ky burrë quhej zotni kur të gjithë quheshin shokë? Dhe ne kur bënim thashetheme për këtë njeri bënim se çfarë donte të thonte, dhe thashethemet e asaj kohe janë zëvendësuar me qenërinë dhe me kafshët dhe me barbarizmin e këtyre lloj zontive, e këtyre lloj qenve, që non-stop, përditë helmojnë mendjet, shpirtin e shqiptarëve, a ka më turp miq?!

Turp për ne që nuk i mbrojmë dot dhe ata pak zotni që kanë mbetur në këtë vend, ata pak zotni që kanë pak kurajo akoma si ky burrë që thonë të vërtetën.

Zotni, zotni Ismail, nesër në qytetin tim do të jetë zi kombëtare, të gjithë punëtorët e mi, të gjithë njerëzit që njoh, do të flitet për ju dhe flamuri jonë nesër do të jetë në gjysmë shtizë për këtë burrë të madh të historisë së Shqipërisë që ka thënë vetëm të vërtetën.

Ora 16:00
Ndarja nga jeta e Kadares, regjisori Piro Milkani: Ngushëllimet më të sinqerta, ka dhënë kontribut edhe në kinematografi

 

Regjisori i mirënjohur Piro Milkani ka dhënë një mesazh ngushëllimi ditën e sotme lidhur me ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Nga Pogradeci ku ndodhet për Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, Milkani shpreh mesazhin e tij drejtuar dhe familjes Kadare, ndërsa shton se vitin e ardhshëm edicioni i 15-të i Festivalit do t'i kushtohet veprës kinematografike që në thelb ka krijimtarinë e Kadares.

'Stafi organizatori të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec shpreh ngushëllimet e thella dhe të sinqerta për humbjen e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare.  Ky staf është themeluar para 14 vjetësh nga Fatos Baxhaku, Eno Milkani, Gerta Qurku dhe po funksionon nga viti në vit më mirë. Vitin e ardhshëm, në edicionin e 15-të do të ketë ditë që do i kushtohen veprës kinematografike në thelb të së cilës është krijimtaria letrare e Ismail Kadares, i cili ka dhënë një kontribut të shkëlqyer me veprat e tija. Edhe një herë shprehim familjes Kadare ngushëllimet tona të sinqerta.', shprehet Pirro Milkani.

Ora 15:59
Ramush Haradinaj për Ismail Kadare: Ky emër do t'i jetojë epokat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar me anë të një postimi në facebook për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.

Sot nuk ka emër më të madh ndër shqiptarë, se sa emri Ismail Kadare. Jo vetëm se ai mbetet emblema e letërsisë, e krijimtarisë dhe e krenarisë shqiptare, por sepse ishte shqiptari më i famshëm në Glob. Njeriu që e lartësoi Kombin, që e lartësoi Shqipërinë, që lartësoi Kosovën dhe që letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme.

Ne sot e kemi humbur gjeneralin e letrave shqipe, e kemi humbur ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në Botë, e kemi humbur Ismail Kadarenë, emri i të cilit i ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t'i ketë njeriu!

Ky emër do t'i jetojë epokat!

Lamtumirë Mjeshtër!

Ora 13:45
Bledi Çuçi për Ismail Kadare: Kolosi ynë i mendimit, iku në përjetësi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.

Ismail Kadare nuk është më! Kolosi ynë i mendimit, gjeniu i letrave e mbrojtësi i identitetit europian të shqiptarëve iku në përjetësi. Evropa e bota mbarë humbën një ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne, të përkthyer në mbi 40 gjuhë të ndryshme e të nderuar me çmime prestigjoze. Zor të gjesh fjalë për njeriun e penës dhe mendimtarin që kaq shumë krenarë na bën ne shqiptarëve. Emri dhe vepra që ai ka lënë pas e bëjnë Ismail Kadarenë të pavdekshëm e përjetësisht të përbotshëm. Prehu në paqe shkrimtari ynë i madh.

Ora 13:18
'Ah qenkeni nga vendi i Ismail Kadaresë', Taulant Balla reagon për ndarjen nga jeta të shkrimtarit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në rrjetet e tij sociale për vdekjen e kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare.

"Sa shumë herë na ka rënë rasti të takojmë të huaj kudo në glob dhe kur i jemi prezantuar se vij nga Shqipëria të na thonë: “ah qenkeni nga vendi i Ismail Kadaresë”.

Kolosi i letërsisë botërore u nda sot nga ne vetëm fizikisht, ndërsa emri i tij dhe i Shqipërisë sonë do të jenë bashkë përgjithmonë. Mirënjohje Ambasadorit të përjetshëm të Shqipërisë.

Nuk do ta harroj kurrë mesazhin e fundit të para pak ditësh prej tij, me disa rreshta, por më shumë mësime brenda. Kishim lënë të takoheshim për një kafe për ta vijuar atë mesazh", shkruan Balla.

Ora 13:05
Sandër Lleshaj: Lamtumirë Ismail Kadare!

Ismail Kadare shkoi sot në amshim. Shkoi krejt në paqë, në mënyrën më të zakonshme, pas një pranie krejt të jashtëzakonshme, e cila ka shenjuar dy shekuj të historisë shqiptare.

Largimi i tij është një ngjarje normale. Por nuk ishte aspak e tillë prania e tij. Ajo ishte krejtësisht përtej normales.

Kadare lindi në një Shqipëri pothuajse analfabete, u rrit aty dhe mbërriti që, me gjuhën e saj të munduar e prej shekujsh të ndaluar, t'i dëshmojë Botës artin e madh të shpirtit të një populli tragjikisht europian.

Ne patëm fatin të jetojmë në kohën e tij e, ndoshta pikërisht prej kësaj afërsie, edhe pamundësinë për ta rrokur plotësisht domethënien shumë përmasore të veprës së tij të pashoqe.

Sot ne kemi të drejtën të jemi të lumtur për veprën e madhe që Kadare na la trashëgim dhe të trishtuar për zbrazëtirën që pason.

Por më shumë se sa ne, sot duhet të vajtojë shekulli i ri, që nisi pa Kadarenë.

Zoti të dhashtë paqen e pasosur mjeshtër!

Ora 13:03
Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, Igli Hasani: Një figurë monumentale në letërsinë shqiptare dhe evropiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka reaguar në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare.

“Trishtim për humbjen e Ismail Kadaresë, një figurë monumentale në letërsinë shqiptare dhe evropiane. Shkëlqimi i tij letrar i kapërceu kufijtë, duke formësuar thellësisht kuptimin e historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë. Veprat e tij magjepsën miliona lexues në mbarë botën, duke e cilësuar padyshim si shkrimtarin më të madh dhe më me ndikim shqiptar të kohës sonë.

Në atdhe, kryeveprat e Kadaresë kanë qenë shoqërues të vazhdueshëm për breza, duke shërbyer si fener shprese dhe krenarie në kohëra të errëta dhe më të ndritshme. Mendimi dhe urtësia e tij intelektuale shërbyen si drita udhëzuese, gjithmonë drejt përparimit dhe emancipimit.

Një shqiptar i madh, një kolos i Ballkanit, një evropian i dalluar! Trashëgimia e tij do të vazhdojë të na frymëzojë dhe të na lidhë të gjithëve.

Pusho në paqe!”, shkruan Hasani.

Ora 12:58
Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, ambasada e SHBA: Trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij në letra

1719817344_kadare.jpg

Ambasada e SHBA në Tiranë ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare. Ambasada shkruan se trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij në letra.

Ambasada e SHBA nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë në vitin 2020

“Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë, letërsia e të cilit frymëzon lexues në mbarë botën. Kujtojmë me kënaqësi që Ambasada e SHBA nderoi Kadarenë me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë në vitin 2020. Vepra e tij ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës dhe trashëgimia e tij do të jetojë si një dëshmi e gjeniut të tij në letra. Mendimet tona janë me familjen e tij, me të dashurit e tij dhe me popullin shqiptar”, shkruan ambasada.

Ora 12:36
Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, 1 minutë heshtje në Komisionin e Medias

Me 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë ka nisur mbledhja e Komisionin e Medias dhe Edukimit.

Kryetarja Flutura Açka kërkoi 1 minutë heshtje në nder të shkrimtarit të madh.

Ora 12:35
Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, BE: Gjigant letrar, zëri i tij i fuqishëm bëri jehonë në gjithë Evropën e më gjerë

Delegacioni i BE në vendin tonë ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Delegacioni i BE shkruan se zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë, bëri jehonë në të gjithë Evropën dhe më gjerë

"Lajm i trishtë nga Tirana. Ismail Kadare, një gjigant letrar dhe një zë i dashur i Shqipërisë, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare. Zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë, bëri jehonë në të gjithë Evropën dhe më gjerë, duke shfaqur kulturën e pasur dhe të larmishme shqiptare në mbarë botën. Proza e tij e mprehtë, depërtuese dhe megjithatë dashamirës pasqyronte kompleksitetin e historisë dhe dijes së Shqipërisë. Ngushëllimet tona më të thella për të dashurit e tij dhe të gjithë ata që e admiruan gjenialitetin e tij. Trashëgimia e Kadaresë do të qëndrojë."

Ora 12:27
Veliaj për Ismail Kadarenë: Një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të  shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj nënvizon se Kadare la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.

“Shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare - një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore. Kadareja la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante.  Ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe. Pusho në paqe, i dashur Ismail”, shkruan Veliaj.

Pesë vite më parë, Bashkia e Tiranës mori iniciativë për ta kthyer banesën ku jetoi dhe punoi Ismail Kadare në vitet e komunizmit në një shtëpi-muze. Ai është kthyer tashmë një destinacion për shumë prej turistëve të huaj.

Ora 12:08
Vdekja e Kadaresë, Akademia e Shkencave: Humbëm zëdhënësin e kombit, qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve

1719826511_kadare.jpg

Akademia e Shkencave ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të shkrimtarit të njohur shqiptar me famë ndërkombëtare, Ismail Kadare.

Përmes një mesazhi, Akademia e Shkencave thekson se sot humbi jetën zëdhënësi i një kombi e një rajoni, ndërsa qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.

Reagimi i Akademisë së Shkencave

Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë ikjen pa kthim të prijësit historik të letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash; anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe politike të Francës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi; fituesit të çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë (International Booker Man Prize, Prince of Asturias Aëard, Jerusalem Prize, Neustadt International Prize, Nonino, Park Kyong-ni); personalitetit që u nderua mirënjohjet më prestigjioze në Shqipëri e jashtë vendit, në të gjitha kontinentet, shkrimtarit Ismail Kadare, mikut tonë të pazëvendësueshëm, akademikut që i e mbushi me kuptim këtë titull të lartë, me veprën e të cilit u rritën e u formuan dhjetëra breza në Shqipëri e kudo që flitet gjuha shqipe.

Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës. Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe.

Ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për letërsinë shqipe dhe ekuilibret e saj, për gjuhën shqipe dhe folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore. Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.

Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij përbën arkitrarin e letërsisë shqipe. Letërsia e I. Kadaresë e ka ndërkombëtarizuar kulturën shqiptare në shkallë europiane e botërore. Gjuhët me të cilat ka folur letërsia e tij janë mbi 50 dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500. Vepra e tij studiohet në universitete në kuadër të historisë së letërsisë europiane dhe të asaj botërore. Shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi. Sot vepra e Kadaresë përkthehet e studiohet edhe në ndonjë vend ku ka pasur kufizime.

Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.

Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta në këtë çast të rëndë familjes së shkrimtarit Ismail Kadare, studiuesve e lexuesve të panumërt të veprës së tij, bashkësisë akademike e botës universitare, përkthyesve e shqipëruesve kudo në Botë.

Emri dhe vepra e tij do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë Botës.

Tiranë, 1 korrik 2024

Ora 11:35
Shuhet Kadare/ Sali Berisha: Mbështeti Lëvizjen Studentore që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri

1718741982_saliberisha.JPG

Foto:Sali Berisha
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përmes një mesazhi ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë shprehet se shkrimtari ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë dhe se nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri.

Postimi i plote

Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare.

Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij.

Laureat i çmimeve me prestigjoze të letrave si Man Booker, Prince des Asturies, Jerusalem Prize, veprat e Ismail Kadares u përkthyen në rreth 45 gjuhë të botës.

Në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativen me te mire burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i Prokrustit me vepra si “Pallati i Ëndrrave” etj për të cilat regjimi e censuroi për vite të tëra. Në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë. Ai pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri.

Duke u përulur me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë para kujtimit dhe veprës të ndritur të Ismail Kadares, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar miqve, të afërmëve dhe lutem së bashku me ta që shiprti i madh i tij të prehet në paqen e merituar. Amin!

Ora 11:33
Shuhet Kadare/ Albin Kurti: Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij


Foto: Ismail Kadare

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili u shua sot në moshën 88 vjeçare, në Tiranë.  

Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë.

Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë, shkruan Albin Kurti.  Ngushëllime të gjithëve.

Ora 11:23
Ndarja nga jeta e Kadaresë, reagon Vjosa Osmani: Lartësoi kulturën dhe popullin shqiptar në botë

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë.

Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet.

Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore.

Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin "Hasan Prishtina".

Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht.

Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit.

Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare!

Ora 11:09
Shuhet Kadare/ Edi Rama: Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më

Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare - ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve...

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

"Mendimin tuaj,

që ëndërron në trurin e butë,

si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

gjersa të ngopem, idhnak e brutal."

Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më

Ora 10:58
Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, Inva Mula: Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq sa nuk po zgjohemi vallë

Artistja e madhe Inva Mula ka reaguar sot për ndarjen nga jeta të kolosit të letërsisë shqipe Ismail Kadare.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Inva shprehet e shokuar nga lajmi.

“Lamtumirë mjeshtër! Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq sa nuk po zgjohemi vallë?”, shkruan Inva Mula në Instagram.

 

Ora 10:08
Shuhet Kadare/ Çollaku: Sot kombi është në zi! Tabaku: Një ditë e trishtë kjo e sotmja

1719824376_kadare.jpg

Të shumë janë reagimet për ndarjen nga jeta të gjeniut të letrave shqipe

Mesazhi i Kreshnik Çollakut
Sot kombi është në zi. Një ndër mendjet më të ndriçuara të tij,është shuar përjetësisht. Një ditë zie mbarë kombëtare,do të ishte detyrimi minimal për këtë kollos të mendjes e të penës. Prehu në Paqe,Ismail Kadare !!

Mesazhi i Jorida Tabakut

Një ditë e trishtë kjo e sotmja. Një ditë e trishtë kjo e gjuhës shqipe ndërsa prej botës sonë largohet një gjigand i letërsisë shqiptare që në kohë të errëta ishte një dritare shprese për shumë shqiptarë. Ndërsa në kohët e një demokracie të turbullt ishte njeriu që preku zemrat dhe emocionet e një brezi të trazuar nga një botë e re.

Një kristal i dy kohëve të turbullta që tejkaloi kufijtë e hekurt të një bote të ndarë në kampe. Një shpirt në luftë që u përpoq t’i ofronte qetësinë një shoqërie në kaos.

Në s'gjetsha hon ku të të hedh

Të gjej një fushë a një lulnajë

Ku butësisht porsi polen

Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

U prehsh në paqe gjigandi jonë! Trashëgimia jote në prozë e poezi do të vazhdojë të trashëgohet brez pas brezi.

Ora 10:05
Shuhet Kadare/ Ministri i Kulturës Blendi Gonxhe: Do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq

1719826511_kadare.jpg

Ministri i Ekonomisë dhe Kulturës e Inovacionit Blendi Gonxhe e quajti lajm të trishtë humbjen e Ismail Kadaresë

Lajm i trishtë ndarja nga jeta e të madhit Ismail Kadare! Gjeni i letrave, një figurë madhore e letërsisë shqiptare që bëri jehonë përtej kufijve e anembanë duke na përfaqësuar denjësisht!

Ismail Kadare do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq, vlerë e trashëgimi e pasur kulturore që përmes rreshtave të tij do jetojë ndër breza!

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen! U prehsh në paqe, mjeshtër i madh, shkruan Gonxhe. 

Ora 10:04
Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, Meta: Humbëm gjeniun e madh të letrave, ishte për shqiptarët një dritë shprese

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi pas ndarjes nga jeta të ismail Kadaresë. 

"Kombi shqiptar humbi sot gjeniun e madh të letrave dhe shprehësin më të jashtëzakonshëm të fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës tonë krijuese, që si askush tjetër u dha atyre përmasa botërore, duke na bërë krenarë të gjithëve. Ismail Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese në një nga periudhat më të errëta të vendit, zëri universal kundër totalitarizmit, një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, që me kryeveprat letrare të lëna trashëgim do t’i jemi mirënjohës përjetë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së dashur Kadare, komunitetit të shkrimtarëve e publicistëve dhe mbarë kombit shqiptar për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme", shkruan Meta. 

Ora 09:50
Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, Begaj: Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave

1719820737_begajkadare.jpg

Presidenti Bajram Begaj ka regauar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë.

Begaj shkruan se: Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!

Ora 09:41
Ndarja nga jeta e Kadaresë, Nikolla: Shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave

 1719826511_kadare.jpg

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.

Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe.
Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror.”

Ora 09:30
Shuhet Kadare/ Basha: Patriarku i letrave shqipe mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë

1719828213_1719824507ismailkadare.JPG

Kryetari i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta ditën e sotme të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare.

"Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar. 

Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.

Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët  mikun e tyre të pazëvendësueshëm. Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar!

Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!"

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pelioni: 01/07/2024 14:07

    Ky Meta,ky gamori i çapit po të ketë lexuar qoftë edhe një rresht nga vepra e te madhit,gjenialit dhe epokalit Kadare unë shpohem në hundë ky vetëm Baftjari njhe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?