Ndërtimi dhe çmimi i apartamenteve në Tiranë, Veliaj: Deri në 25% e tyre blihen nga të huajt! Banorët autoktonë kompensohen me shtëpi të reja

2 Shkurt 2023, 21:54| Përditesimi: 2 Shkurt 2023, 22:28

  • Share

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar çmimin e apartamenteve në Tiranë dhe nevojën për ndërtime të reja. Në një intervistë në Real Story, Veliaj sqaroi se në Tiranë vijnë mesatarisht 20-25 mijë veta duke krijuar nevojën për të paktën 8 mijë apartamente të reja. Ai shtoi se është detyrë e kryetarit të bashkisë të sigurohet që kjo kërkesë të ketë ofertën e vet. 

“Nëse vjen një italian dhe blen një apartament në Tiranë - njoh shumë prej tyre që kanë bërë investime - nuk është detyra e kryetarit të bashkisë t’i kontrollojë atij çantat, xhepat apo llogarinë bankare. Në Tiranë vijnë 20-25 mijë veta në vit. Nëse mesatarja e një familje është tre veta, i bie që Tirana ka nevojë për 8 mijë apartamente në vit. Detyra e kryetarit të bashkisë është sigurohet që kjo kërkesë të ketë ofertën e vet. Nëse për 8 mijë apartamente që kërkohen, Tirana do kishte vetëm 1 mijë, atëherë do kishte betejë 8 me 1 se kush do e marrë apartament ose do e merrte më i pasuri. Dhe 7 të tjerët nuk do vinin fare në Tiranë ose do fillonin të ndërtonin pa leje”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se 15-25% të apartamenteve blihen nga të huajt që vijnë në Tiranë, duke përmendur edhe shtetasit ukrainas që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës. Një tjetër kategori që ka kërkesë për të blerë apartamente në Tiranë, tha Veliaj, janë edhe emigrantët shqiptarë që përbëjnë ¼ të shitjes së banesave të reja. 

“Nga 8 mijë apartamente, 2 mijë apartamente, diku te 15-25% blihen nga shqiptarë ose nga të huaj. Kemi 1800 ukrainas sot në Tiranë. Jo të gjithë kanë ikur me leckat e trupit nga ajo situatë e vështirë. Pjesa më e madhe kanë transferuar para, bizneset e tyre, kanë ardhur këtu me familjet e tyre, i kanë regjistruar nëpër shkolla, kanë blerë apartamente. ¼ është ose shqiptarë që vijnë nga Italia, Greqia, Australia, Gjermania, Kanadaja, që vijnë këtu dhe nuk i marrin nga sistemi ynë bankar kreditë. Pra ai i merr nga banka e vet në Itali ose Angli. Ose nga kursimet poshtë dyshekut të tij”, deklaroi Veliaj.

Veliaj sqaroi se 30-35% e apartamenteve përllogaritet për banorët autoktonë, që kompensohen për banesat e vjetra me shtëpi të reja dhe shumë më të forta që zgjidh edhe problemin e kurorave brenda një familje. 

“Për sa kohë një pjesë vjen nga këto blerje, gjysma siç thonë dhe kritikët, vjen nga sistemi bankar, ja ku është 50%, dhe 30-35% janë tironsit që marrin në metra katrorë ish shtëpinë e tyre të qerpiçit. Ja ku u bënë 50 dhe 35, 85. Këto të paktën i pranojmë se këto i dimë se janë evidente. Në sistemin noterial 30-35% të çdo ndërtimi të ri e merr familja tironse që zgjidh dhe hallin e kurorave që ishin bërë palë-palë. Për sa kohë që kritikët e pranojnë që 50% vjen nga sistemi bankar, 30-35% vjen nga tironsit që marrin në natyrë shkëmbimin për tokën që kanë dhënë dhe shtëpinë e qerpiçit që kanë dhënë. Pjesa tjetër që shkon nga 15-20% në varësi të vitit vjen nga blerjet nga jashtë, në pjesën më të madhe emigrantët tanë dhe siç kemi parë dhe së fundmi dhe të huaj. Ja ku del llogaria e 100% të ndërtimit në Tiranë. Tani kam unë një pyetje për të gjithë ata që thonë lekët e drogës dhe krimit. Kush? Më thoni një emër dhe unë do shkoj me atë denoncues, ta bëj edhe unë denoncimin. Por të hedhësh baltë në një industri që po punëson njerëz dhe po i rrit vlerat këtij qyteti, më duket hipokrizi shumë e madhe”, tha ai.


Lajmi kryesor:

Veliaj në Report Tv: Trafiku në Tiranë do lirohet pas përfundimit të ‘Unazës së Madhe’! Punimet u bllokuan nga opozita! Fluks ndërtimesh? Kryebashkiaku: 25% blihen nga të huajt


B.V//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?