TIRANË - Kombëtarja është duke intensifikuar përgatitjet në prag të ndeshjes kundër Serbisë, e cila luhet më 11 tetor në orën 20:45 në Leskovac. Dueli vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026 dhe është si një finale për fatet e kualifikimit.
Për të komentuar formën e ekipit, ndeshjen e radhës dhe sesi shihet ky duel mes futbollistëve, këtë të mërkurë para medieve folën Armando Broja dhe Arlind Ajeti.
Mbrojtësi i Bodrumspor në Turqi, Ajeti, tha se përtej emocioneve kjo është një ndeshje futbolli dhe të jenë sa më profesionistë për tri pikët. Ai përmendi edhe sulmin e mirë të serbëve.
"Aspekti emocional dhe historik për këtë takim?
Emocionet i kemi si para çdo ndeshje. Ne e shohim si takim futbolli, të jemi profesionistë dhe të marrim tri pikët. Ndeshja do jetë e vështirë në fushë dhe me emocione.
Pikat e forta të Serbisë dhe çfarë klime prisni atje?
Ka kualitet në sulm. Vlahovic dhe Mitrovic janë të fortë, ne analizojmë çdo lojtar në detaje dhe duam të bëjmë mirë. Në Serbi do jetë më vështirë se ndeshja e parë në Tiranë (0-0), këtu kishim tifozët dhe atje nuk do i kemi. Ne do bëjmë më të mirën dhe shpresojmë t'ia dalim.
Tri pikët dhe këshillat për sulmin?
Ne si mbrojtësa nuk mund t'i japim këshilla sulmit. Të shfrytëzojmë rastet dhe ne në mbrojtje ta mbajmë portën e pastër. Sulmuesit e dinë vetë punën e tyre", tha Ajeti.
Sulmuesi i Burnley, Armando Broja pranoi se i mungon goli, por trajneri Sylvinho e udhëzon që të jetë i fokusuar sepse rasti para porte do krijohet.
"Ju mungon goli?
Për mua rëndësi ka që të fitojmë ndeshjen, unë dua të shënoj, por më mirë të fitojë ekipi. Siç thashtë, na duhen tri pikët duke fituar ndeshjen.
Atmosfera në ekip dhe rëndësia e veçantë duke parë historinë...
Ne e shohim si ndeshje shumë të rëndësishme në futboll. Jemi të fokusuar, është një ndeshje e madhe në udhëtim. Jemi bashkë si ekip dhe të bëjmë ato që duhen në fushë.
3 qershor 2024 goli i fundit. A doni të luani në majën e sulmit te Kombëtarja?
Kam mundësi të shënoj në çdo pozicion ku luaj. Dua të ndihmoj ekipin dhe trajneri më flet shpesh që të jem i fokusuar sepse rasti do dalë, qoftë edhe një. Unë aty jam i përqëndruar. Por nuk jam kundër të jap edhe asist për golin. Nuk e kam mendjen te goli, më mungon, por rëndësi ka fitorja.
Grupi dhe shanset për Botërorin?
Kemi një grup të vështirë me Anglinë dhe Serbinë. Ne do luftojmë deri ndeshjen e fundit, kjo e radhës ka rëndësi të madhe për kalimin në finalet e Botërorit", tha Broja.
Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.
6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit.
Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.
Komente
