Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 0 kundër dhe 2 abstenim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”.
Projektligj i cili u prezantua nga Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla.
Në fjalën e tij, Balla u shpreh se, ndryshimet mundësojnë që informacioni që do të mblidhet të ketë më shumë cilësi.
Fjala e plotë:
Ndryshimet që keni përpara dhe që presin miratimin tuaj sot mundësojnë një realizim edhe më të plotë të misionit të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) për krijimin, por edhe për përdorimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapsinor në Republikën e Shqipërisë.
Ndryshimet do të sigurojnë që informacioni i mbledhur gjeohapsinor të prodhohet pikësëpari me cilësi, në kohë dhe me standardet e duhura.
Dhe po ashtu do të rritet ndërveprimi mes institucioneve shtetërore, por pa harruar asnjëherë dhe sipërmarrjet private prodhuesve, përdoruesve, për rëndësinë e përdorimit të informacionit gjeohapsinor gjatë procesit të vendimmarrjes në përputhje me te gjitha dispozitat ligjore. Ky ndërveprim mes institucioneve do të përmirësohet, duke siguruar dhe komunikimin online të parashikuar dhe në aktet nënligjore .
Prandaj do t'i ftoja kolegët deputetë që të miratonim këtë ndryshim të rëndësishëm që lidhet me një qasje të re në përdorimin dhe në shfrytëzimin e informacionit të mbledhur gjeohapsinor.
Votimet e tjera
Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 4 abstenim dhe 0 kundër edhe projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”.
Kuvendi miratoi me 72 vota pro, 2 abstenim dhe 0 kundër edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 43/2020, “Për aktivitetet e turizmit detar”.
Lajmi kryesor:
Kuvendi miraton pr/ligji për studentët e Mjekësisë, 3 vite punë të detyruar ose paguaj studimet! Shteti duhet ta punësojë brenda 3 muajsh ose t'i japë 80% të pagës për 9 muaj
S.B//ReportTv.al