Gjatë fjalës së saj në Kuvend, deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka hedhur akuza ndaj mazhorancës dhe kryerparlamentarit Niko Peleshi se po shkelin Kushtetutën me ndryshimet me Komisionet parlamentare.
Tabaku tha se hapësirat e opozitës në Kuvend po ngushtohen, ndërsa po ashtu deklaroi se sesioni i ri parlamentar po fillon me shkeljen e Kushtetutës.
“Javën e shkuar ne të gjithë u betuam mbi Kushtetutën. U betuam që do e zbatojmë këtë kushtetutë dhe në seancën e parë ne e nisim me shkelje.
Sesionin e kaluar u mbyll po me shkelje të Kushtetutës. U mbyll me shkelje të vendimeve të gjykatës Kushtetuese, u mbyll me cenim e nismave të opozitës. U mbyll me një sjellje e ngushta edhe më shumë hapësirën e debatit parlamentar.
Rregullorja e Kuvendit kishte nevojë të ndryshohet, por të ndryshohet me një debat të gjerë. Se si mund të bëhen deputetët më të përgjegjshëm, sesi të shmangim konfliktin e interesit. Se si t’i afrojmë deputetët afër qytetarëve.
Ndërkohë që ju në aktin e parë të parlamentit, nismë një procedurë, e cila sipas Kushtetutës duhet të zgjasë jo më pak se një javë. Kolegët Bardhi, Bylykbashi cituan nenin 83, pika 2 e Kushtetutës. Ne sot duhet të kishim pas një debat parlamentar se si të rrisim hapësirën e opozitës në një moment ku të gjitha hapësirat janë zënë dhe uzurpuar nga mazhonranca dhe jo të bëjmë hapa pas.
Struktura e re e Komisioneve nuk reflekton as Komisionet e Integrimit dhe nuk reflekton prioritetet që ka sot Shqipëria. Është e panevojshme sot kjo që po bëni. Po e nisni duke e shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën.
Mburreni me procesin e Integrimit, por procesi i integrimit është dakordësi dhe zbatim i rregullave. Çfarë vlere ka sesa kapituj hapen kur t’i shkel kushtetutën?
Parlamenti sot nuk reflekton vullnetin e shqiptarëve, kjo është e qartë, por të paktën ju takon që të jeni simbol i unitetit dhe debatit në këtë parlament”, tha Tabaku.
Lajmi kryesor:
Kuvendi ndryshon rregulloren me 79 vota pro, 11 komisione! Opozita braktis sallën: Puç kushtetues! PS: U besuam komisione jetike (VIDEO)
A.D/I.M/ReportTv.al
