Politikë

Në 2020 u bllokuan 7 biznese për pastrim parash, PD: 60% të vlerës së ndërtimeve e zënë paratë e pista

26 Nëntor 2021, 19:33| Përditesimi: 26 Nëntor 2021, 19:37

  • Share

Përfaqësuesit e opozitës vijojnë të shigjetojnë sektorin e ndërtimit për pastrim parash. Gjatë diskutimit të Projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit demokrati Enkelejd Alibeaj referuar disa raporteve ndërkombëtare tha se Shqipëria është në listën gri të pastrimit të parave.

“Nga 141 kompani që kanë fituar lejen e ndërtimit në Tiranë, 59% e tyre nuk kishin burime financiare të mjaftueshme. 60% e vlerës së ndërtimeve e zënë paratë e pista. E thotë kjo organizatë ndërkombëtare. Manivali, që është organizata brenda Këshillit të Europës e futi për këto shkaqe vendin në listën gri, krahas Ugandës, Nikaraguas,  Xhamajkës”, deklaroi deputeti Alibeaj.

Në përgjigje, Elvis Koçi, pranoi renditjen në listën gri, por ishte optimist me progresin, i cili sipas tij do të reflektohej në vazhdim.

“Nuk merr progresin e bërë deri tani, pasi këtë progres ne presim ta konfirmojmë në plenaren e shkurtit dhe shpresojmë që pastaj të kemi një vlerësim. Në qershor besojmë se mund të bëjmë një dalje zyrtarisht nga lista gri”, tha Koçi.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave tha se në 2020-ën janë bllokuar shtatë subjekte, të sekuestruar më pas nga prokuroria.

“Lëshuar 7 urdhra bllokimi, në vlerë rreth 1 milion e 200 mijë euro, sekuestruar më pas nga Prokuroria. Numri në total i referimeve në 2020-ën është 268 dhe në prokurori janë 41”, përfundoi Koçi.

Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit kaloi me shumicë votash edhe në Komisionin e Ligjeve.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?