TIRANË-Kryeministri Edi Rama nga takimi me asambletë socialiste të njësive 1, 2, Pezë, Ndroq, Vaqarr u ndal tek reforma në drejtësi, për të cilën tha se është meritë e PS.
Kryeministri theksoi se, shpata iu dha drejtësisë nga PS dhe u morë parasysh edhe fakti që mund të hetonte edhe nga radhët e saj.
‘Arsyeja tjetër pse duhet të jeni krenar është lufta kundër korrupsionit, e kemi bërë ne nëse s’do ta kishim bërë ne, do të duhet të na tregonin se kur ka ndodhur më parë kjo. Unë s’di që nga 1912 dhe deri pasi ne kaluam reformën dhe pasi u ngrit SPAK dhe GJKKO të jetë kap ndonjë person publik politik nga një prokuror dhe gjykatës, të jetë bërë hetimi dhe të jetë bërë dënimi, i lidhur ky person me ata që janë në qeveri. Këtë e kemi bërë ne, se kanë bërë të tjerët. Thonë po si e bëtë kur do kapeshin edhe njerëzit tuaj, sepse misioni i PS është të bëjë shtetin demokratik europian të shqiptarëve, kush merr përsipër të udhëheq duhet të marr përsipër të gjitha dhimbjet që ka një proces.
Kjo është drejtësia dhe zonja që njihet si simboli i drejtësisë, shpatën e kësaj e kishte në dorë qeveria dhe priste kokat që donte dhe falte ato që nuk donte të priste, ne ja dorëzuam zonjës së drejtësisë shpatën duke pasur parasysh që ajo shpatë do pres koka që mund të jenë edhe tonat. Zonja e drejtësisë ka shpatën dhe ka edhe peshoren dhe peshorja është për të peshuar faktet e të dyja palëve dhe ka sytë e mbuluar sepse duhet të jetë e verbër që s’ka kuptim kush është ky dhe ai, por nga anon peshorja. Ne i kemi dhënë shpatën që të ndërhyje sipas vendimeve të veta, por nëse dikush goditet padrejtësisht shkatërrohet një jetë familjare dhe dhimbja është shumë e fortë', tha ai.
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar edhe opozitën duke thënë se më 11 maj, PS do të jetë me “shoqen fitore”, ndërsa opozita me “noc rrokun”.
'Përtej të gjithave ne gjithë këto vite kemi patur një shoqe, që ka qenë melhem për ne, fitore. Shoqja fitore, 9 herë. Kështu që miqtë e mi, më 11 maj i kemi ndarë, ne me shoqen fitore ata me Noc Rrokun", tha ai.
Rama u ndal edhe tek investimet që janë bërë në shëndetësi gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste.
Sipas kryeministrit, me anëtarsimin në BE Shqipëria do të përfitojë më shumë fonde që do të shkojnë për disa fusha, ndër to edhe arsimi e bujqësia.
'Kemi ndërtuar 53 spitale dhe janë shumë për mundësit që kemi pasur, spitalet shumica e të cilëve ishte ndërtuar në vitet 60 ose 70. 400 qëndra shëndetësore që ishin të lëna pas dore. Dhe e fundit për këtë është se BE ndahet në dy pjesë një pjesë kontribuues dhe përfitues, momenti që ne do hyjmë në BE do jetë moment i jashtëzakonshëm edhe në aspektin ekonomik, nuk do të kemi vetëm një buxhet për ne, por edhe një ekstra buxhet. Dhe kjo do të thotë më shumë mundësi për bujqësinë, për arsimin e fusha të tjera', tha ai.
Kryeministri Rama foli edhe për ndryshimet që kanë ndodhur në vend gjatë qeverisjes socialiste, në fushën energjetike, në furnizimin me ujë apo edhe në zhvillimin e biznesit. Rama tha se për herë të parë është ulur çmimi i energjisë në vendin tonë.
“Nëse do ta kishim bërë këtë mbledhje në fundin e vitit të 2013 këtu do të ishim me gjenerator. Sot ne jemi në muajin e dytë të një viti ku kemi ulur çmimin e energjisë, gjë që nuk e ka parë asnjë vend në rajon për shumë vite. Kjo është ulja e parë e energjisë në vendin tonë. Sikur ta kishim ulur 1 lek në 1000 lekë do të ishte tallje, por është 1 lek në 9.5, e ulëm me 10.5%. Kështu që tek të gjithë ata që shohin faturën, duket dallimi në faturë sot shkurt më shkurt për familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.
Kemi pasur 117 mijë subjekte biznesi, kur kemi filluar punën, kemi 250 mijë biznese sot. Kemi pas prodhim të përgjithshëm kombëtar më pak se 10 miliardë euro, sot e kemi afro 25 miliardë. Kemi pasur të ardhura për frymë më pak se 4000 mijë euro, sot i kemi tek 10 mijë euro. Ka pasur vetëm 4 zona në Shqipëri me furnizim 24 orë sot ka 43 zona urbane dhe 98 zona rurale me furnizim 24 orë', tha ai.
Kryeministri Edi Rama nga takimi me asambletë socialiste të njësive 1, 2, Pezë, Ndroq, Vaqarr u ndal edhe tek anëtarësimi i vendit në BE.
Ai tha se futja e Shqipërisë në BE është ngritja e dytë e flamurit pas atij në 1912.
Kryeministri u ndal edhe tek panairi i turizmit në Berlin për të cilin tha se Shqipëria do të ketë vendin e nderit në këtë panair.
‘Anëtarësimi në BE është ngritja e dytë e flamurit pas ngritjes në 1912. PS do ta bëjë shtetin demokratik europian, Shqipëria do ketë flamurin e parë në BE, se na bie të jemi të parët, se e kemi “Albania”. Ne ja kemi ngritur kokën të gjithë shqiptarëve dhe s’na shohin më nga lart poshtëm dhe kjo ka sjell që të bëhemi destinacion turistik. Të hënën do jemi në panairin në Berlin dhe Shqipëria ka vendin e nderit në panairin e turizmit në Berlin, 10 vite më parë nuk bënte vaki’, tha ai.
Rama tha nga takimi me asambletë socialiste se njëherësh po punohet edhe për hapjen e grupkapitujve të tjerë.
“Kaq e vërtetë është kjo saqë ne i kemi filluar negociatat konkretisht vitin e shkuar pasi u çliruam edhe nga vetoja greke, për arsyet që ju i dini dhe sot nëse bëjmë një bilanc të procesit, ne kemi procesin më të shpejtë nga të gjithë të tjerët para nesh. Jo se e kemi sepse e kemi bërë më shpejt se gjithë të tjerët detyrat tona, por sepse vullneti nga ana e tyre është një vullnet shumë i veçantë për shkak të rrethanave historike dhe momentit në të cilin ndodhet BE dhe faktikisht kemi hapur grupkapituj dhe do të vazhdojmë të hapim grupkapituj. Kemi marrë dy letra të tjera për dy hapje të tjera në një kohë shumë të shkurtër, fund janari fillim shkurti. Është jashtëzakonisht ambicioze, unikale. Nuk e ka bërë njeri këtë, se ka bërë asnjë vend tjetër”, tha Rama.
Komente
