Kultivimin e kanabis sativa në ambiente të mbyllura si “shtëpi bari”, vëllezërit kuksianë, Fatmir dhe Shkëlqim Matraxhi, 38 dhe 28 vjeç, fillimisht e mësuan në Angli. Për disa kohë të dy punuan në vendin ishullor, dhe të gjithë eksperiencën e fituar vendosën ta sillnin edhe në vendlindje. Në shtëpinë e tyre në Laknas, policia, prej disa kohësh dyshonte se kultivohej kanabis, derisa u bind për të ndërhyrë. Brenda saj u gjet ky ambient i përshtatur për rritjen e drogës me llamba.
20 rrënjë kanabisi po rriteshin nën zhurmën e aparaturave të shtrenjta që vëllezërit Matraxhi kishin blerë enkas për këtë punë, gjatësia kishte shkuar 60 cm dhe për pak niste vjelja.
Burime pranë policisë thonë se kjo dyshohet të jetë dora e dytë e mbjelljes, pasi më herët një sasi e kultivuar dyshohet të jetë shitur tashmë. Dy vëllezërit u arrestuan, ndërsa babai i tyre, Zitë Matraxhi, po hetohet në gjendje të lirë pasi kishte dijeni për mbjelljen dhe nuk e raportoi. Bashkë me ta e pësoi edhe Endrit Paja, 29 vjeç, punonjës i OSHEE-së, në akuzë për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar veprimtarinë kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Kjo shtëpi bari konsiderohet e avancuar për grupin hetimor, pasi përveç 5 llambave klasike speciale për ndriçim që ndihmojnë në rritjen e bimëve, 3 ventilatorëve freskues dhe 2 pajisjeve të rregullimit të temperaturës, u gjetën edhe 2 filtra pastrimi të aromave, të cilat ndihmonin vëllezërit të kamufloheshin dhe fqinjët në afërsi apo policia të mos dyshonin se brenda shtëpisë rritej kanabis. Përveç tyre, një sistem me bokse muzikore ishte instaluar në hapësirën e brendshme, i porositur online, me të cilin 2 vëllezërit synonin të kamuflonin aktivitetin e tyre të vërtetë.
Komente
