Kombëtarja shqiptare e futbollit luan nesër në 18:00 kundër Moldavisë në Chisinau, për duelin e parafundit në grupin E kualifikues të Euro 2024. Një pikë u mjafton djemve të Sylvinhos për të shkuar zyrtarisht në fazën finale të "Gjermani 2024", ndërsa do jenë 800 tifozë kuqezi në stadium.
Para ndeshjes për mediet foli edhe trajneri i vendasve, Serghei Clescenco. Ai tha në konferencën zyrare se të tijtë janë gati të lënë edhe jetën në fushë në duelin kundër "Shqiponjave", sesa ta lënë gjithçka për sfidën e fundit kundër Çekisë.
"Jemi duke u stërvitur mirë që prej ditës së parë dhe jemi gati për ndeshjen me Shqipërinë. E dimë që është një sfidë e vështirë, pasi jemi përballur me ta edhe në Tiranë, ku humbëm 2-0, por mendoj se meritonim një barazim. Shpresoj që lojtarët të kenë nxjerrë mësimet e duhura dhe të reagojnë siç duhet nesër. Në këto momente nuk mendojmë aspak për Çekinë, pasi më mirë të vdesim në fushë nesër, sesa të lëmë gjithçka për sfidën në Pragë", tha Serghei Clescenco.
Trajneri kërkon shpirt gare si në përballjen me Poloninë, ndësra shton se tifozët do jenë një mbështetje e madhe.
"Ne nuk mund të ndryshojmë mënyrën tonë të lojës për një ndeshje, ndaj sigurisht që do të provojmë të mbyllim hapësirat dhe të dalim shpejt. Gjithsesi dua të shoh të njëjtin shpirt gare si në ndeshjen ndaj Polonisë, kur përmbysëm gjithçka në pjesën e dytë. Do të kemi edhe përkrahjen e fansave tanë, që kanë treguar se janë gjithmonë aty dhe bëhen një lojtar i 12 për ne", tha tekniku moldav.