VIDEO/ Vodhën makina me vlerë 1 mln euro në Itali dhe i shisnin në Afrikë e Ballkan, vlera 1 mln euro! Arrestimet në 6 shtete, mes tyre dhe në Babicë të Vlorës

16 Qershor 2023, 13:26| Përditesimi: 16 Qershor 2023, 17:01

  • Share

Operacioni i nisur në orët e natës deri në orët e mëngjesit të 14 qershorit me kontrollet e një ferme në fshatin Babicë të Vlorës ishte pjesë e një operacioni të përbashkët të ndërmarrë në disa shtete njëkohësisht.

Bëhet fjalë për një operacion ndërkombëtar për arrestimin e personave të shpallur në kërkim për vepra penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë, në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë, si dhe u koordinua nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion.

Në total gjatë këtij operacioni, në Itali dhe në Shqipëri, janë arrestuar 14 shtetas dhe për 3 shtetas të tjerë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Policia thotë se mjetet pasi vidheshin ishin destinuar për tu tregtuar në vendet  afrikane Gambia, Egjipt apo dhe në vendet e gadishullit ballkanik, Slloveni dhe Shqipëri dhe vlera e tyre arrinte në 1 mln euro.

“Si rezultat i hetimeve të përbashkëta është gjurmuar vjedhja e 12 automjeteve me vlerë të lartë ekonomike dhe e 10 makinave të tjera për bujqësi dhe ndërtim, të cilat rezultojnë të vjedhura në veri të Italisë.

Vlera totale e mjeteve, të gjitha të destinuara për t’u tregtuar në vendet afrikane (Gambia dhe Egjipt) dhe në vendet e gadishullit ballkanik (Slloveni dhe Shqipëri), llogaritet mbi 1 milion euro. Disa nga këto mjete, konkretisht 6 automjete dhe 9 makineri operuese, janë lokalizuar dhe sekuestruar në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë” informoi sot, (16 qershor 2023) policia e shtetit

Arrestimi në Vlorë
Në Vlorë u arrestuan me qëllim ekstradimi drejt Italisë të Eduard Alikaj, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe Fetah Shametaj, 28 vjeç, banues në Vlorë. Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtarë për vjedhje me dhunë të 10 mjeteve motorike në Itali veriore.

“Shtetasit Eduard Alikaj, 51 vjeç, dhe Fetah Shametaj, ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Torinos, me vendimin e datës 04.05.2023, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” vijon njoftimi i policisë së shtetit.

Operacioni policor u kodua “Motors”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet që këta shtetas përdornin, në fshatin Babicë, u gjetën dhe u sekuestruan 1 mjet ekskavator i dyshuar i vjedhur, 1 mjet kamion, brenda të cilit është gjetur 1 mjet lundrues gomone me gjatësi rreth 13 metra, me 3 motorë (marka “Yamaha”), me fuqi 415 KF, që dyshohet se mund të përdorej për ngjarje kriminale.

Operacioni i përbashkët u zhvillua nga Fast Albania, në bashkëpunim me DVP Vlorë, Interpol Tiranën, Zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe Interpol Romën.  Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, drejt Italisë.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?