Trajneri i kombëtares së Francës në futboll, Didier Deschamps njoftoi sot se nuk do të rinovojë kontratën e tij si trajner i Bluve dhe për këtë arsye do të largohet pas Kupës së Botës 2026.
Deschamps, 56 vjeç, e ka kuptuar tashmë disa muaj më parë se ka ardhur koha për t'i dhënë fund kësaj eksperience të jashtëzakonshme dhe është i bindur se ka ardhur momenti për të zyrtarizuar gjithçka. Trajneri është në krye të Francës që prej vitit 2012.
"Kur historia është e bukur, nuk do që të mbarojë, por duhet të dish të thuash ‘mjaft’. Ka një jetë më pas, nuk e di çfarë do të jetë ajo, por do të jetë gjithashtu e mirë", tha Deschamps.
Përpara se ta njoftonte vendimin e tij publikisht, Deschamps informoi presidentin e federatës franceze, i cili e kuptoi plotësisht qëndrimin e tij. “Është një vendim personal, përgjegjës dhe elegant, që reflekton karakterin e tij. Ndoshta ai ka ndjerë se më 2026 do të ketë kaluar më shumë se 14 vite në krye të ‘Les Bleus’, gjë që është e jashtëzakonshme”, tha Philippe Diallo për “L’Equipe”.
Me Francën, Deschamps fitoi Kupën e Botës 2018 dhe humbi dy finale të mëdha në Euro 2016 dhe Kupën e Botës 2022. Deschamps fitoi gjithashtu Ligën e Kombeve 2021 dhe ai do të ketë mundësinë ta përsërisë këtë sukses në këtë kompeticion me 'Les Bleus' që do të përballet me Kroacinë në çerekfinale marsin që vjen.
Zinedine Zidane, i cili ka drejtuar vetëm ish-klubin e tij Real Madrid dhe nuk ka qenë trajner që nga viti 2021, tani ka një rrugë të qartë për t'u bërë njeriu i ri në krye të ekipit kombëtar të Francës.
Zinedine Zidane, i cili ka drejtuar vetëm ish-klubin e tij Real Madrid dhe nuk ka qenë trajner që nga viti 2021, tani ka një rrugë të qartë për t'u bërë njeriu i ri në krye të ekipit kombëtar të Francës. Kjo vjen si lëvizje pasi Didier Deschamps njoftoi se do të largohej pas Kupës së Botës 2026.
Gazeta e njohur franceze 'Le Parisien' thekson se Zidane është favorit absolut për të marrë drejtimin nga Deschamps. Kujtojmë se Botërori 2026 do të luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Do të jetë një mundësi ideale që Deschamps t’i thotë lamtumirë në mënyrën më të mirë skuadrës franceze me të cilën u bë kampion bote në vitin 2018.