Foto ilustruese

Politikë

Mbledhja sekrete/ Bosët e qumështit pranojnë përzierjen me pluhur, në etiketë e paraqesin si natyral! 'Ekonomia' fshehu konsultimin e mbuloi mashtruesit

9 Nëntor 2021, 09:03| Përditesimi: 9 Nëntor 2021, 22:53

  • Share

Në Shqipëri futet çdo vit mbi 1 mijë ton qumësht pluhur, duke u përzier me qumështin natyral dhe nënproduktet e tij. Kjo sasi u konfirmua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë të datës 2 nëntor 2021. Dy ditë më pas, në 4 nëntor, pronarët e fabrikave të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, duke lobuar kundër një takse të re për qumështin pluhur, pranuan në një mbledhje sekrete të Komisionit të Ekonomisë, se ata përdornin qumështin pluhur në produktet e tyre të paktën në masën 2 %. 

Kjo deklaratë tërhoqi vëmendjen dhe shqetësoi disa nga deputetët e pranishëm, pasi pothuajse të gjitha fabrikat e përpunimit të qumështit, të cilat shesin qumësht, kos, djathtë etj., në etiketë e prezantojnë produktin si 100 % natyral. Dyshimet shtohen nga fakti se tregtarët e qumështit, sigurisht në bashkëpunim me drejtuesit e Komisionit të Ekonomisë, janë kujdesuar për ta zhvilluar dhe mbajtur të fshehtë mbledhjen në Kuvend, duke pamundësuar zbulimin e pronarëve të fabrikave, të cilët shesin qumësht dhe kos me etiketë si produkt natyral, por që në fakt e përziejnë me qumështin pluhur. 

Ky proces abuziv dikton veprime të tjera si zhdukje dokumentesh të përdorimit të qumështit pluhur, falsifikime etj., të cilat mund të jenë objekt i organeve ligjzbatuese. 

Tre ditë pas mbledhjes sekrete, deputeti Erion Braçe shkroi në rrjetin social Facebook se “Për herë të parë dëgjova të pohonin se ata përdorin qumësht pluhur në produktet e tyre, por deri në 2 %. Dhe vetëm 2 %, nëse do të vendosej taksa për qumështin pluhur, do të rritej çmimi për produktet e tyre!!! Aty u tha se qumështi pluhur ishte në kartën teknologjike dhe me etikete të miratuar nga AKU! Pra, këta përdorin qumësht pluhur dhe duhet ta kenë të shkruar në etiketë.! Urdhëroni; Shihni etiketën e këtij qumështi dhe këtij kosi! Këtu thuhet: Prodhuar me qumësht të freskët nga fermat më të mira. Qumësht të freskët, jo qumësht pluhur. Pra këta e përdorin qumështin pluhur, por ne etikete nuk e thonë asnjëherë. Tani ndajeni mendjen; Ose më qumësht të freskët, ose me qumësht pluhur! Kjo është njëra anë. Tani ana tjetër; Nuk di cili është zyrtari i qeverise që është tërhequr nga taksa mbi qumështin pluhur, por i ka patur sytë hapur? Akoma nuk e keni marrë vesh që, qumështi pluhur si produkt përdoret për të përzierë e prodhuar produkte me “qumësht të freskët”, kurse si faturë përdoret për të grabitur shtetin me TVSH?! Si ka mundësi që nuk mendoni pak me gjatë, pyesni, hetoni e gjykoni?!”, 

Lobimi për taksën e re 
Fenomeni abuziv i përzierjes së qumështit me qumësht pluhur pa e deklaruar doli në pah gjatë debateve sa publike aq të nëndheshme për një taksë të propozuar për qumështin pluhur. 

Paraditen e 2 nëntorit 2021, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u paraqit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të prezantuar parashikimet e paketës së re fiskale, e cila do të shoqërojë buxhetin e vitit 2022. Përpos të tjerave, ministrja tha se ishte parashikuar edhe një taksë për qumështin pluhur që futet në Shqipëri, 100 lekë për litër, për të mbështetur prodhimin vendas dhe fermerët shqiptarë. 

“Futen 1 mijë ton qumësht pluhur në vit, referuar vitit 2019, pasi viti 2020 ka qenë vit pandemik. Me taksën 100 lekë për litër, futen në buxhet rreth 100 milionë lekë në vit”, tha ministrja. 

Kur deputeti socialist Erion Braçe e pyeti ministren nëse ishte konsultuar me gupet e interesit ky propozim, ajo u përgjigj me ‘po’. Por, pohimi i saj u përgënjeshtrua pas disa minutash nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi. 

“Duhet të konsultohemi patjetër me grupet e interesit. Jemi në kohë për të parë se çfarë mund të reflektojmë dhe ndryshojmë brenda paketës, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do të duhet një analizë e plotë për efektet qoftë për tregun e qumështit dhe nënprodukteve të tij, qoftë edhe të produkteve bujqësore. Ka disa shqetësime nga grupet e interesit që këto masa mund të mos shtynë drejt formalitetit, por përkundrazi...”, tha Shalsi.  

Pronarët e fabrikave të qumështit dhe nënprodukteve të tij duket se kishin nisur ndërkohë në prapaskenë lobimin intensiv për të rrëzuar propozimin e qeverisë për taksën për qumështin pluhur. Ata kishin përgatitur një material me kundërshtimet e tyre që në datën 1 nëntor 2021. Dhe ky lobimi jo transparent rezulton efektiv në interesin e tyre, pasi taksa u hoq pa asnjë shpjegim.  

Në projektligjin e dërguar nga qeveria në Kuvend për taksat kombëtare reflektohet tërheqja nga taksa për qumështin pluhur. Në nismën ligjore për taksat e reja, është shtuar një nen që mban numrin 4 dhe parashikon që “Përjashtohen nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”. 

Neni 4 në projektligjin për taksat kombëtare

Konsultat e fshehta
Nga prezantimi i taksës për qumështin pluhur nga ministrja Delina Ibrahimaj në 2 nëntor deri tek tërheqja nga taksa, nuk kishte asnjë konsultë apo negociatë publike mes ligjvënësve, Ministrisë së Financave dhe pronarëve të fabrikave të qumështit. 

Shqiptarja.com zbuloi nga disa indicie se Komisioni i Ekonomisë kishte zhvilluar një seancë me bisedime me përfaqësuesit e kompanive të qumështit në datën 4 nëntor 2021. Ndryshe nga sa është operuar zakonisht, ku seancat dëgjimore me grupet e interesave janë publike dhe të hapura, seanca për taksën e qumështit pluhur në Komisionin e Ekonomisë, është mbajtur e fshehtë. 
Në faqen e Kuvendit, ku shfaqen të regjistruara të gjitha mbledhjet e komisioneve parlamentare sipas datave, mungon vetëm seanca e Komisionit të Ekonomisë me tregtarët e qumështit. 

Anila Denaj konfirmoi konsultat 
Ish ministrja e Financave, Anila Denaj, aktualisht deputete dhe anëtare e Komisionit të Ekonomisë, konfirmoi konsultat e fshehta me pronarët e fabrikave të përpunimit të qumështit. Rreth orës 15:00 të datës 4 nëntor 2021, pas mbledhjes që nuk u bë publike, Anila Denaj shkruan: “Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave zhvilluan konsultime me grupet e interesit për paketën fiskale 2022. Vlerësuam propozimet e përfaqësuesve të shoqatave të biznesi; Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata e Prodhuesve dhe Përpunuesve të Mishti dhe Qumështit, Industrinë e Përpunimit të Qumështit...”. 
 

Postimi i Anila Denajt për mbledhjen

Shpjegimi i Kuvendit për fshehjen e seancës dëgjimore

Shqiptarja.com pyeti përfaqësuesit e Kuvendit për shtypin se pse nuk ishte pasqyruar mbledhja e Komisionit të Ekonomisë me përfaqësuesit e fabrikave të përpunimit të qumështit, të cilët kërkon që të hiqej taksa e propozuar 100 lekë për litër. Ata e justifikuan mospublikimin e mbledhjes në faqen e Kuvendit si mbledhjet e tjera, se bisedimet kishin qenë informale. Në fakt, 4 ditë më vonë, të njëjtët përfaqësues u shfaqën në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, duke prezantuar propozimet e tyre për paketën fiskale. Dhe kjo mbledhje ishte publike, fakt i cili ngre dyshime për fshehjen e mbledhjes nga Komisioni i Ekonomisë. 

Propozimi i tregtarëve të qumështit në Komisionin e Ekonomisë 

Shqiptarja.com ka siguruar propozimin e tregtarëve të qumështit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Propozimi është përfshirë në qëndrimin e Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë me në krye Nikolin Jakën, për paketën fiskale. Në propozim, ndër të tjera thuhet se “Vendosja e taksës 100 lekë për kg për qumështin pluhur jo vetëm që nuk i vjen në ndihmë fermerëve shqiptarë, por mbyll të gjitha iniciativat e industrisë agropërpunuese që prodhojnë produkte, ku si lëndë e parë është qumështi pluhur. Të përjashtohen nga pagesa e kësaj takse të gjitha fabrikat e përpunimit të produkteve të qumështit apo edhe produktet e tjera për qumësht pluhur, krem qumështi, hirrë qumështi të cilat kanë kartat teknologjike të produktit fundor me përbërje qumësht pluhur”.  

(Propozimi i pronarëve të fabrikave të qumështit)

Erion Braçe befasohet nga tërheqja nga taksa 

Tre ditë pas konsultave, deputeti Erion Braçe, anëtarë i Komisionit të Ekonomisë, përmes një postimi në Facebook, shprehu habinë për tërheqjen e Ministrisë së Financave nga taksa për qumështin pluhur. Qëndrimi i Braçes nënkupton qartë se në Komision nuk është rënë dakord për heqjen e taksës, por tërheqja është bërë më pas. 

“Qeveria është tërhequr nga taksa e qumështit pluhur? Po përse? Dhe ku xhanëm? Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ligjin për taksat kombëtare me takse te re për qumështin pluhur. Ne Komisionin e Ekonomisë kemi nisur shqyrtimin e tij; Po aty, bëmë një dëgjesë me fabrikat e përpunimit të qumështit”.

Statusi i deputetit Erion Braçe

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 10/11/2021 03:11

    Keto numera nuk behen vetem ne Shqiperi.Ketu ku jetoj, shesin juice (leng frutash),ne paketim shkruhet 100% leng frutash nga koncentrati.Tani nuk jam eksperte ne teknologjine ushqimore,por 100% leng frutash dhe koncentrat ne te njejten fjali,sikur te vret veshin!S.d.q ka alternativa te tjera,nuk je i detyruar t'a blesh,por ama eshte ne shitje dhe ne etiketa.

    Përgjigju
  • Veterineri: 09/11/2021 22:33

    Ca na duhet akademia e barinjve nese nuk taksohet importi i qumeshtit pluhur?!

    Përgjigju
  • Ina: 09/11/2021 19:26

    Ku shkoi iniciativa per te vendosur takse mbi importin e qumeshtit pluhur? Perse u bllokua? Eshte e qarte se te gjithe jane pale ne shkaterrimin e shendetit te shqiptareve. TURP!

    Përgjigju
  • Vini: 09/11/2021 14:19

    Abandonojini kto produkte derisa te detyrohen te shkruajne ne etikete se ka qumesht pluhur .pastaj kush te doje le ta bleje

    Përgjigju
  • MbrojtjaKonsumatorit: 09/11/2021 10:51

    Lexova vetë pak rrjeshta dhe më mjaftoj. Pyetyje!!!! Po tani c‘fare do te bëhet??? Normalisht as edhe nje gjë. E dini njerëz se si është himni i këtyre matrapazeve? Si te ai skeçi apo humori => HANI DERRA, PINI DERRA, ESHTE HIMNI JON. Ju uroj shëndet njerëz. Përshëndetje gazetarëve që nuk lodhen asnjëherë.

    Përgjigju
  • Parruca: 09/11/2021 10:50

    Po Timonieri i Perbotshem i di keto gjera? Apo eshte duke u marre me ceshtje te medha te arenes nderkombetare dhe nuk ka kohe te merret me gjera banale si buka, qumshti, energjia etj?

    Përgjigju
  • Den: 09/11/2021 09:56

    Mafie,mire ja bejne ketij populli qe ka me shekuj qe fle gjume.Bejne me krenari shenjen e shqiponjes,por shqiponja fluturon lart dhe e lire,ne jemi zvaranike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?