Tirane- Ish-kryeministri Sali Berisha feston sot 80-vjetorin e tij. Një ditëlindje aspak e zakonte për kryetarin aktual të PD-së, pasi do i fikë qirinjtë e tortës nga “arresti shtëpiak”, ku ndodhet prej 30 Dhjetorit të vitit të kaluar, pas masës së marrë dhe lënë në fuqi nga dy shkallët e GJKKO-së dhe e Larta, me kërkesë të SPAK, për dosjen “Partizani”.
Ndaj tij rëndon akuza e “korrupsionit pasiv”, teksa me të njëjtën masë sigurie ndodhet edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, po për të njëjtën çështje, teksa ka edhe akuzën e pastrimit të parave.
Sipas masës dhe procedurës së Kodit Penal, Berisha nuk mund të takohet me askënd në banesë, pa lejen e SPAK dhe GJKKO, kështu që do të jetë i kufizuar sot në festimin e 80-vjetorit të tij.
I lindur më 15 Tetor 1944, në fshatin Viçidol të Tropojës (Kukës), Berisha njihet si kardiolog që la profesionin në vitin 1991 për politikën, që shërbeu si presidenti i dytë i Shqipërisë në vitet 1992–1997, e më pas më 2005 si kryeministër.
Nën drejtimin e tij ndodhën edhe tre nga tragjeditë më të mëdha të vendit, rënia e piramidave dhe trazirat 1996-1997, Gërdeci më 15 Mars 2008 me 26 të vrarë dhe 21 Janari 2011 me 4 protestues të opozitës së atëhershme, mazhorancës së sotme, të vrarë në bulevard nga Garda e Republikës.