I pranishëm në lamtumirën e fundit për nënkomisarin Saimir Hoxha, i shpallur Dëshmorë i Atdheut, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka drejtuar edhe një herë gishtin nga sistemi i drejtësisë, si përgjegjës për ngjarje të tilla. Veliu tha se i riu Aldi Rama ishte arrestuar dhe ishte dërguar para drejtësisë, por që u lirua, pavarësisht se kishte kryer një krim. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, vendimet e drejtësisë së vjetër, i kanë paguar shumë herë me jetë punonjësit e policisë.
"Është kambanë alarmi për ta ndalur përbaltjen e policisë duke i shërbyer frymëzimit të krimit që merr guximin e ngre dorën ndaj punonjësit të Policisë shtetit. Kolegu im dha jetën në përpjekje për të bërë detyrën më së miri, u vra nga një i ri i arrestuar më parë nga polici, por drejtësia e liroi edhe pse ishte dënuar me disa vite burg. Saimiri dhe Policia sot janë vrarë dy herë nga krimi dhe drejtësia e vjetër që shpesh herë vendimet e saj i kanë paguar me jetë punonjësit e policisë së shtetit. Punonjësit e Policisë përballen çdo ditë me krimin, dalin në mëngjes nga shtëpia duke u përshëndetur me familjarët sikur të ishte hera e fundit, sepse e tillë është puna jonë, ndaj është e rëndësishme mbështetja nga qytetarët", tha Veliu.
Lajmi kryesor:
Qeveria i jep 5 mln lekë ndihmë familjes së efektivit Saimir Hoxha, fëmijët do të marrin edhe 170% të pagës së babait! Rama homazhe për nënkomisarin: Një çast i rëndë për të gjithë
//ReportTv.al