Kronikë

Qeveria i jep 5 mln lekë ndihmë familjes së efektivit Saimir Hoxha, fëmijët do të marrin edhe 170% të pagës së babait! Rama homazhe për nënkomisarin: Një çast i rëndë për të gjithë

29 Shtator 2021, 12:30| Përditesimi: 29 Shtator 2021, 20:42

  • Share

TIRANË- Dhjetëra kolegë e familjarë të nënkomisarit Saimir Hoxha i kanë dhënë atij lamtumirën e fundit ditën e sotme. Homazhet në nderim të tij u mbajtën në Pallatin e Kongreseve, ndërsa nënkomisari u përcoll për në banesën e fundit rreth orës 14:40 dhe do të prehet te Varrezat e Dëshmorëve.

Hoxha u vra në krye të detyrës një ditë më parë, ndërsa ditën e sotme u shpall me vendim qeverie "Dëshmor i Atdheut". Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se familjarët do të trajtohen menjëherë financiarisht nga shteti. Këshilli i Ministrave ka vendosur dhënien e një ndihme prej 50 milionë lekësh për familjen e efektivit të vrarë një ditë më parë në Lezhë, Saimir Hoxha. Ndërkohë, kryeministri Rama deklaroi se përveç ndihmës financiare nga shteti, dy fëmijët e mitur që Saimir Hoxha la pas, do të marrin edhe 170% të pagës së babait të tyre deri kur të mbushin moshën madhore.

Vendimi i Këshllit të Ministrave

Presidenti Ilir Meta tha se Policia duhet mbështetur në luftën kundër krimit, teksa i akordoi Hoxhës "Dekoratën e Artë të Shqiponjës". Kreu i PD-së, Lulzim Basha, teksa i shprehu ngushëllime familjes së Saimir Hoxhës, akuzoi qeverinë se ka braktisur policët, duke i lënë ata të pambrojtur kundër krimit.  Homazhet në nderim të nënkomisarit nisën në orën 12:00 dhe zgjatën deri në orën 15:00.

 

 

 

 

Ora 15:27
Nënkomisari Hoxha përcillet për në banesën e fundit, Ardi Veliu: Saimiri dhe Policia sot janë vrarë dy herë, nga krimi dhe drejtësia e vjetër që liron të dënuarit

 

I pranishëm në lamtumirën e fundit për nënkomisarin Saimir Hoxha, i shpallur Dëshmorë i Atdheut, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka drejtuar edhe një herë gishtin nga sistemi i drejtësisë, si përgjegjës për ngjarje të tilla. Veliu tha se i riu Aldi Rama ishte arrestuar dhe ishte dërguar para drejtësisë, por që u lirua, pavarësisht se kishte kryer një krim. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, vendimet e drejtësisë së vjetër, i kanë paguar shumë herë me jetë punonjësit e policisë.

"Është kambanë alarmi për ta ndalur përbaltjen e policisë duke i shërbyer frymëzimit të krimit që merr guximin e ngre dorën ndaj punonjësit të Policisë shtetit. Kolegu im dha jetën në përpjekje për të bërë detyrën më së miri, u vra nga një i ri i arrestuar më parë nga polici, por drejtësia e liroi edhe pse ishte dënuar me disa vite burg.  Saimiri dhe Policia sot janë vrarë dy herë nga krimi dhe drejtësia e vjetër që shpesh herë vendimet e saj i kanë paguar me jetë punonjësit e policisë së shtetit. Punonjësit e Policisë përballen çdo ditë me krimin, dalin në mëngjes nga shtëpia duke u përshëndetur me familjarët sikur të ishte hera e fundit, sepse e tillë është puna jonë, ndaj është e rëndësishme mbështetja nga qytetarët", tha Veliu.

Ora 13:53
Vrasja e nënkomisarit në Lezhë, Rama: Fëmijët do marrin 170% të pagës së babait! Një çast i rëndë për të gjithë

Kryeministri Edi Rama ishte sot  pranishëm në homazhet për nder të nënkomisarit Saimir Hoxha, duke e konsideruar lamtumirën për të një moment të rëndë për policinë, shoqërinë dhe vetë shtetin. Kryeministri bëri me dije se dy fëmijët e mitur që Dëshmori i Atdheut la pas, përveç mbështetjes financiare nga shteti, me hyrjen në fuqi të ligjit për Fëmijët nën kujdesin e Republikës, do të marrin edhe 170% të pagës së babait të tyre deri kur të mbushin moshën madhore.

"Padyshim që është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të policisë së shtetit, patjetër edhe për shoqërinë dhe për shtetin, por mbi të gjitha për familjen. Duke iu shprehur ngushëllimet vëllazërore familjes, duke i shprehur ngushëllimet më t ë ndjera të gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë Dëshmor të ri të Atdheut dhe të gjithë punonjësve të policisë, dua të bëj me dije se qeveria sot ka vendosur mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen, por me të hyrë në fuqi ligji për fëmijët nën kujdesin e Republikës, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170% të pagës së tij deri në moshën e pjekurisë. Përgjegjësia e Republikës është që fëmijët e Dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës mos të mbeten vetëm por të ndjehen të mbështetur, të përkrahur dhe inkurajuar për të hyrë në rrugën e jetës së tyre, duke qenë krenarë për prindin dhe shtetin të cilit babai i shërbeu deri në ditën e fundit", tha Rama

Ndërkohë, sot Këshilli i Ministrave ka vendosur dhënien e një ndihme prej 50 milionë lekësh për familjen e efektivit të vrarë një ditë më parë në Lezhë, Saimir Hoxha. Sipas vendimit i cili është miratuar sot nga qeveria, ndihma prej 5 milionë lekësh (të reja) do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ora 13:17
Homazhet në nder të nënkomisarit, Basha te Pallati i Kongreseve: Policët janë braktisur e poshtëruar, duhet një qeveri në krah të tyre dhe kundër krimit

 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha mori pjesë sot në homazhet e zhvilluar për nder të nënkomisarit Saimir Hoxha, i cili u vra në krye të detyrës ditën e djeshme. Nga Pallati i Kongreseve Basha tha se Policët janë braktisur e poshtëruar dhe e duhet një qeveri që të punojë për ta kundër krimit.

"Jam këtu për t'i dhënë lamtumirë e fundit nënkomisar Saimir Hoxhës. Dua të shpreh solidaritetin dhe mbështetjen time për vëllezërit dhe motrat me uniformë të Saimir Hoxhës që përballen çdo ditë me rrezikun vdekjeprurës të luftës kundër krimit dhe mbrojtjes së ligjit, jetës e sigurisë së çdo qytetari. Sot nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por si drejtues i dikurshëm i tyre ju them se dhimbjen e tyre të përditshme për braktisjen dhe poshtrimin e tyre e ndjej çdo ditë. Unë dhe PD do bëjmë gjithçka që dinjitetin e tyre ta vëmë në vend dhe hapi i parë do të jetë një qeveri në krah të policisë dhe kundër krimit", tha Basha.

Ora 13:14
Nënkomisari Saimir Hoxha shpallet 'Dëshmor i Atdheut', trajtim financiar familjarëve

 

Pasi u vra dje në krye të detyrës, nënkomisari i Lezhës, Saimir Hoxha është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim qeverie. Çuçi tha se familjarët do të trajtohen menjëherë financiarisht nga shteti.

‘’Siç e dini, dje humbi jetën në mënyrë tragjike në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha. Morëm vendimin ëpr shpalljen “Dëshmor i Atdheut” nënkomisar. Qeveria mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve. Me marrjen etitullit, kur të hyjë në fuqi ligji i ri që miratuam në mbledhjen e parë të kësaj qeverie ato do të trajtohen, posaçërisht fëmijët si fëmijë në përkujdesje të Republikës. Në asnjë moment gjatë gjithë jetës së tyre nuk do i mungojë përkujdesja nga shteti. Kjo do të  thotë  se fëmijët do të marrin një trajtim deri në 18 vjeç dhe nëse vijojnë shkollën e lartë deri në 25 vjeç do të marrin pagë prej 170% të pagës së nënkomisarit. ‘’- tha Çuçi.

Ora 13:00
Meta homazhe në nder të nënkomisarit Saimir Hoxha: Moment reflektimi për luftë frontale kundër krimit të organizuar! I akordon 'Dekoratën e Artë të Shqiponjës'

 

Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në homazhet në nder të nënkomisarit Saimir Hoxha, që po zhvillohen në Pallatin e Kongreseve. Meta i dha lamtumirën nënkomisarit, ndërsa i shprehu ngushëllimet edhe familjarëve. Sipas Metës, është momenti për një reflektim për një luftë frontale kundër krimit të organizuar. Ai shtoi se Policia duhet mbështetur në këtë luftë.

"Është një moment i dhimbshëm që ti japim sot lamtumirë ne fundit një oficeri hero të Policisë së Shtetit, që nuk e meritonte të ndahej nga jeta, nga familja. Është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar, por edhe dekurajimin e krimit ordiner, sikurse është prioritet lufta kundër trafikut të drogës, atyre që jo vetëm përfitojnë prej saj por edhe për të shpëtuar sa më shumë të rinj e fëmijë që për fat të keq bien pre e këtij fenomeni shkatërrimtar që janë përgjegjës për akte të tilla që trondisin një shoqëri të tillë. Është momenti për të mbështetur më shumë policinë në këtë luftë.

Po ashtu Meta i akordoi nënkomisarit "Dekoratën e Artë të Shqiponjës", me motivacionin: "Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike"

//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?