Kronikë

Nënprefekti i Vlorës: Ka vatër zjarri te Syri i Kaltër në Sarandë, rrezik i madh! Po vepron një helikopter, priten dhe 2 avionë nga Greqia

11 Gusht, 11:44| Përditesimi: 11 Gusht, 11:59

  • Share

Zjarri në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit në jug të vendit nuk përbën më rrezik për banesat, pasi flakët kanë avancuar drejt malit.

Kështu thotë nënprefekti i Vlorës, Kristaq Kiço në një intervistë për Report Tv me gazetarin Andi Kapxhiu, duke theksuar se duhen marrë masa që flakët mos kalojnë drejt Bashkisë së Dropullit.

Z.Kiço tregoi se ekziston edhe një vatër tjetër pranë Syrit të Kaltër, që duhet lokalizuar dhe vendosur nën kontroll me patjetër, për shkak se mund të marrë përmasa të mëdha dhe të rezultojë katastrofik.

Në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë po hedhë ujë nga ajri një helikopter Black Hawk, ndërsa 2 avionë të tjerë Canadair do të mbërrijnë nga Greqia pikërisht në këtë zonë për të neutralizuar flakët.

“Është shmangur rreziku nga fshati, zjarri është drejtuar drejt malit por duhen marrë masa të menjëhershme në mënyrë që ky zjarr të mos kalojë në drejtim të Bashkisë së Dropullit. Kemi një vatër tjetër në të cilën ndodhem në këto momente, është pranë Syrit të Kaltër. Në këto momente është duke operuar një helikopter Black Hawk që bën hedhje të vazhdueshme sepse është një zonë e dendur me pisha dhe ka një rrezik shumë të madh për të marrë përmasa ky zjarr dhe do jetë me përmasa pastaj katastrofike për zonën tonë. Që në mëngjes jemi angazhuar që ta minimizojmë përhapjen e flakëve të këtij zjarri që ndihmohet edhe nga kushtet atmosferike, era dhe temperaturat e larta. Janë duke ardhur edhe dy avionë Canadair që janë nisur nga Greqia me qëllim që t’i vëmë nën kontroll edhe Leshnicën, edhe Syrin e Kaltër”, deklaroi nënprefekti i Vlorës, Kristaq Kiço.


Lajmi kryesor:

Nënprefekti i Vlorës Kristaq Kiço: Zjarret në Finiq ishin katastrofike, u shkaktuan nga rrufeja në mal


V.GJ /E.H/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Zjarrvënia e qëllimshme njësoj si vrasja, si ju duket propozimi i Ramës?