Zgjedhja dhe votimi si deputete e qarkut të Shkodrës shikohet si një privilegj dhe përgjegjësi e madhe për Marjana Koçekun, teksa rezultatet mund të ishin më të mira pasi ishin afër edhe një deputeti tjetër
E ftuar në studion e ‘Frontline’ në Report Tv mbrëmjen e sotme ishte “Neomalësorja” e Shkodrës, deputetja e sapozgjedhur për Kuvendin e ardhshëm, nën siglën e Partisë Socialiste.
Ajo foli për fushatën, emocionet e përjetuara si përfaqësuese rishtare në politikë, projektet si ligjvënëse dhe mendimi e misioni i saj për sektorin e bujqësi-blegtorisë nga dhe vjen si fermere-biznesmene dhe turizmi në malësinë e Dukagjinit edhe nga ka origjinën.
“Kam pasur privilegj dhe përgjegjësi të madhe për Shkodrën, fushata ime ishte e fokusuar për logon e PS dhe numrin 5, ka qenë e qetë edhe për mua si në garë edhe në moshë të re në politikë. Duke pasur parasysh edhe punën që është bërë nga Bashkia dy vitet e fundit nga Benet Beci dukej përmirësimi dhe rritja progresive, ishim shumë afër, por siç dihet edhe mentaliteti në Shkodër është djathtas, duket se me rezultatet e të majtës po frynë një erë e re majtas. Me projektet që janë realizuar jo vetmë në qytet por edhe përreth qarkut, progresi dhe zhvillimi është i dukshëm, duke sjellë edhe rezultatin në rritje”, tha deputetja e re e PS për Kuvendin e ardhshëm.
Ajo u shpreh se fushata brenda partisë kaloi e qetë dhe pa probleme.
“Gara dhe konkurrenca është njerëzore, ku xhelozitë janë edhe në kuadër të pritshmërive, por jam krenare me ekipin që kemi pasur. Nuk kemi pasur as probleme apo përplasje dhe incidente”, nënvizoi Koçeku për Report Tv.
Ajo u pyet nga paneli edhe për bagëtitë në fermë pasi të nisë Parlamenti, teksa u përgjigj me delikatesë dhe diplomaci, teksa vuri theksin tek qëllimet në të ardhmen dhe projektet politike për ta zhvilluar edhe më shumë këtë sektor dhe turizmin në malësinë e Shkodrës.
“Shikoj se puna e bagëtive të mia ka indinjuar shumë njerëz kështu që bëj thirrje që kush është i interesuar për bagëtitë e mia është i ftuar sepse ka vende të lira. Megjithatë unë deri në shtator kur të betohem në parlament do të jem këtu pranë punës dhe bagëtive të mia. Qarku i Shkodrës ka potencial të madh prodhues, në të gjitha dhojet dhe duhet bërë gjithçka për produktet e vendit, për ta vlerësuar atë që kemi, si dhe nga ana politike për të subvencionuar fermerët dhe bujqit për ta zhvilluar më tej këtë sektor. Ju pres, aplikoni dhe ju, ju pres që të shkarkoni edhe stresin e Tiranës”, tha “Neomalësorja”.
Koçeku u pyet edhe për ‘Paketën e Maleve”, duke e vlerësuar dhe deklaroi se do investohet politikisht në këtë drejtim që turizmi malor në Shkodër të zhvillohet edhe më shumë.
“Më vjen mirë që vëmendja po drejtohet drejt këtyre zonave që për shumë vite ka qenë e harruar nga pushtetet e mëparshme. Synimi është turizmi dhe zonat malore, por qëllimi im janë alpet e Dukagjinit, pasi edhe interesi është shumë i lartë, qoftë nga amigrantët dhe brenda, që të kthehen në origjinën e vetë dhe të investojnë për turizmin. Ndaj edhe unë do investohem në këtë pikë për ta çuar turizmin para dhe zhvilluar zonën”.
Komente

Suksese urojmë qe Mariana te jete ministre e bujqesise sepse i di mire problemet ! Ministre bujqesisee ose zevendes ministre e meriton mund ta ndryshoje shume Kete industry
Përgjigju