Numërimi i votave për zgjedhjet e 11 majit po shkon drejt fundit, teksa rezultati përfundimtar duket pothuajse i ‘salduar’ për forcat politike garuese, ku PS ndodhet mes 83 mandateve, PD është ndalur në 50 mandate, PSD e Tom Doshit me 3 deputetë, Mundësia me 2, Lëvizja Bashkë me 1 dhe Nisma Shqipëria Bëhet po me 1 mandat.
Në studion e “Frontline” në Report mbrëmjen e sotme u analizua rezultati i deritanishëm, faktorët dhe pasojat që sollën këto numra, si dhe risia e partive të reja që morën 4 mandate.
Të ftuar të moderatores Marsela Karapanço në studio ishin deputeti i ‘Djathtas për Zhvillim’ në Kuvendin aktual, Rezart Kthupi, eksperti i sigurisë që ka kaluar te PS nga Partia e Lirisë, Faik Basha, si dhe gazetarët Poli Hoxha e Flogert Muça.
Pothuajse të gjithë ndanë mendimin se partitë e reja zhgënjyen për shkak të dështimit të tyre për t’u bashkuar dhe prodhuar më shumë mandate, duke maksimalizuar votën që shkoi dëm.
“Ka disa faktorë për të lexuar dhe analizuar rezultatin e jashtëzakonshëm. Por kryesori për sa kohë kemi fitore të thellë, është që shqiptarët pranuan ofertën më të mirë të kryeministrit Edi Rama”, tha Faik Basha, duke nënvizuar se te opozita mbizotëroi mungesa e meritokracisë në lista dhe figurat që u zgjodhën.
Besart Kthupi ndau mendimin se të dyja palët fituan, Berisha opozitën dhe partinë, kurse Rama zgjedhjet dhe pushtetin, duke e vendosur këtë rezultat që më 26 korrik 2024 me ndryshimet në Kodin Elektoral dhe listat e mbyllura.
“Sali Berisha mori mandatin e kryeopozitarit dhe është i fituar, populli shqiptar i fituar se njërit i dha pushtetin tjetrit opozitën. BE është e fituar se gjithçka këtu shkon mirë. Asgjë nuk më befason, nuk ka risi, ishte paracaktuar gjithçka që prej vitit 2024 me kodin elektoral, më 26 korrik”, tha ai.
Gazetari Flogert Muça gjeti rastin të ironizonte zgjedhjet dhe rezultatin:
“Ishin befasi për mua këto zgjedhje, Lul Basha nuk mori as 1 për qind. Më befasoi për keq koalicioni Djathtas për Zhvillim, për mirë Arlind Qori, Lapaj, Shehaj, Flamur Noka që tha të tërheq zvarrë dhe Edi Rama që fitoren e ka marrë ku njerëzit e tij po përpiqen ta menaxhojnë me përulësi e kujdes, pasi mund t’u kthehet në bumerang. Doktori nuk më zhgënjeu, ishte në lartësinë e duhur, bëri fushatë spektakolare, sepse në moshën e tij nuk do jemi në nivelin e duhur, do jemi te pampersat”.
Kurse gazetari tjetër, Poli Hoxha u shpreh i zhgënjyer nga rezultati i partive të reja, që nuk e maksimalizuan dot votën për më shumë deputetë, edhe për shkak të delirit.
“Mendoj se Rama duhet ta falenderoj doktor Berishën për rezultatin, edhe pse në fakt nuk ka pse pasi i ktheu borxhin. Rama e bëri faktor Berishën, kur ai kishte vetëm 3 vetë në grup, i dha edhe vulën, e bëri kryetar partie dhe doktori ia ktheu borxhin me zgjedhjet. Jam i zhgënjyer për partitë e vogla e të reja që nuk u bashkuan dhe të prodhonin të paktën 13 deputetë. Nuk e di nëse janë faktorë deliri, por Berishës e Ramës i interesonte përçarja e tyre, por këta nuk e kapitalizuan votën”, u shpreh ai.
Komente
