Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në konferencën "Shqipëria, Horizonti i ri", ka komentuar dhe pozicionin e Kosovës në Ballkanin Perëndimor si dhe dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian me shtetin e Serbisë.
Shefi i qeverisë shqiptare është shprehur se Kosova apo qeveria me në krye kryeministrin Albin Kurti, duhet të fokusohet në synimet dhe qëllimet e veta dhe të mos mendojë për Serbinë.
Rama u shpreh se nëse Kosova nuk bën hapa përpara për të plotësuar kërkesat e BE-së, vendi do të shkojë drejt izolimit.
Kritikat e kryeministrit Rama për Kosovën vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pezulluan Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e qeverisë në detyrë me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
“Më trishton, të shoh që nuk ka aspak përparim në këtë drejtim. Unë kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur, ka një rrugë shumë të qartë, Kosova nuk duhet të mendojë e të shohë Serbinë, por duhet të bëjë pjesën dhe detyrat e veta. Duhet t’i japë BE-së të gjitha atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe të kërkojë të ecë përpara.
Kjo nuk ka të bëjë me përmbushjen apo pranimin e asaj që kërkon Serbia, ka të bëjë me pranimin e asaj që kërkon BE. Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE që është një dështim i madh nga formati i gabuar, vendi duhet të përmbushin kushtet që lidhen me vlerat, parimet dhe mënyrën e jetesës ë BE. Nëse Kosova e bën këtë, është në interesin e saj më të mirë për të mos lidhur veten me Serbinë. Në të kundërt, do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu komentoi dhe pozicionin e Rusisë dhe të Kinës në sferën e politikës botërore. Rama tha se Kina nuk përbën rrezik dhe se interesi i saj është të bëjë biznes, mundësisht në të gjithë botën.
Për Rusinë, Rama tha se Shqipëria nuk ka asnjë punë me shtetin rus dhe se nuk do të kenë marrëdhënie diplomatike.
“Rusia është agresore dhe ka një agjendë për krijimin e trazirave ndërkohë që Kina është një tjetër lojtar. Dallim i madh është se Kina nuk ka asnjë objektiv për të universalizuar mënyrën e vet të jetesës. Interesi i Kinës është të bëjë biznes dhe mundësisht të ketë një dorë që të zgjatet në të gjithë botën. Nuk e shoh Kinën si një kërcënim. Dhe këtu ka nuanca. Kur vjen fjala për sigurinë tonë, qoftë ushtarake apo siguri energjitike, ne e kemi marrë vendimin tonë që prej kohësh. Do t’i qëndrojmë dhe të vazhdojmë të rrimë me partnerët tanë perëndimorë. Kur vjen fjala te pjesa tjetër jemi të hapur. Kjo sa i takon Kinës, me Rusinë nuk kemi asnjë punë për të bërë. nuk na ka marrë malli, nuk kemi asnjë para ruse në ekonominë tonë. Kur vjen fjala tek të mëdhenjtë e Moskës sot, nuk janë shoqëri e mirë dhe nuk na ka marrë malli të rrimë me ta.
Ka në proverbë Rusia që i thotë të gjitha: E ardhmja është e qartë, e shkuara është problem. Që kështu deri sa ta zgjidhim këtë, nuk duhet të merremi. Ne jemi vend i vogël, jemi të bekuar që nuk ka duhet të marrim vendime të mëdha dh gjithashtu jemi të bekuar që jemi miq me vende mjaft të mëdha, që kështu u takon atyre të marrin vendime të mëdha”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Negociatat me BE, Rama në Vjenë: Mjedisi, më sfiduesi! Kemi rënë dakord për ‘shtyrjen’ e këtij kapitulli përtej datës së anëtarësimit (VIDEO)
K.B/I.M/ReportTv.al
