Shqipëria ka rënë dakord me BE-në për të shtyrë afatin për plotësimin e kushteve që lidhen me kapitullin e mjedisit përtej vitit 2030 të synuar për anëtarësimin në Union. Ky fakt u konfirmua nga vetë kryeministri Edi Rama, i ftuar në Konferencën "Shqipëria, Horizonti i ri" që u mbajt në Vjenë.
Duke marrë shembullin e Kroacisë, e cila shtyu afatin për mjedisin pas hyrjes në BE, Rama tha se ky është një ndër kapitujt më sfidues. Me dakordësinë e evropianëve, vendi do të mund të anëtarësohet, por do të vijojë me plotësimin e kushteve që lidhen me mjedisin, ndërsa është pjesë e BE.
“Procesi ka një lloj elasticiteti që dmth vendet mund të negociojnë një shtyrje përtej datës së anëtarësimit. Psh Kroacia negocioi për të pasur 10 vjet shtyrje përtej datës së anëtarësimit për pjesën e kapitullit të mjedisit, që është mjaft kërkues edhe për vendet në BE dhe që i kanë këto standarte që t’i ruajnë. Ne kemi rënë dakord tashmë për një shtyrje dhe do të jetë sfidë.”, u shpreh Rama.
Duke komentuar shpejtësinë e madhe me të cilën po ecën vendi në hapjen e grupkapitujve, kryeministri deklaroi se kjo ka ardhur jo vetëm prej meritës së Shqipërisë dhe punës që ka bërë, por edhe për shkak të ndryshimit të qasjes nga BE-ja, sidomos pas luftës që nisi Rusia në Ukrainë.
“Jemi në proces që ka përparuar shumë, praktikisht po çelim kapitujt e negociatave me një shpejtësi që nuk është parë ndonjëherë më parë gjatë procesit të anëtarësimit por është kombinim i meritës tonë dhe qasjes së re të BE kundrejt zgjerimit. Falë ose për shkak të luftës në Ukrainë, që e ka tronditur fort Evropën dhe që i ka përcuar udhëheqësve të BE mesazhin që rëndësia gjeopolitike e Evropës së bashkuar është ekzistenciale dhe që Ballkani Perëndimor natyrshëm është pjesë e së ardhmes së organit të BE. ”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama ishte kritik edhe ndaj qeverisjes së Kosovës, teksa tha se nëse vendi nuk bën hapa përpara për të plotësuar kërkesat e BE-së, rrezikon që të shkojë drejt izolimit. Sipas Ramës, dialogu me Serbinë ka dështuar, ndërsa shtoi se është e nevojshme se Kosova të fokusohet në synimet e veta.
"Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE që është një dështim i madh nga formati i gabuar, vendi duhet të përmbushin kushtet që lidhen me vlerat, parimet dhe mënyrën e jetesës ë BE. Nëse Kosova e bën këtë, është në interesin e saj më të mirë për të mos lidhur veten me Serbinë. Në të kundërt, do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë”, tha Rama.
Kritika pati edhe për mënyrën se si disa vende kanë bllokuar negociatat e një vendi tjetër, thjesht sepse kanë probleme të caktuara dypalëshe. Këtë qasje, Rama e cilësoi si pengmarrje, hipokrizi dhe marrëzi. Kritikoi gjithashtu edhe BE se ofron më shumë fonde ndaj vendeve anëtare, në krahasim me vendet kandidate. Por, siç shtoi kryeministri, Unioni po e kompenson këtë "pabarazi" me Planin e Rritjes ndaj vendeve ballkanike.
Gjatë konferencës, foli edhe për ministren virtuale Diella që do të 'monitorojë' prokurimet publike. Rama u shpreh se kompanitë nuk do të jetë më e nevojshme që të mbledhin dokumente për t’i dorëzuar kur kërkojnë të garojnë për të marrë një tender, po këtë gjë do ta bëjë Inteligjenca Artificiale. Sipas tij, kjo do të jetë një lehtësim për kompanitë, por gjithashtu edhe një proces i shpejtë e transparent.
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria do bëhet pjesë e BE me gjithë dashurinë dhe forcën. Nga Vjena ku mori pjesë në konferencën "Shqipëria, Horizonti i ri", Rama pati kritika për BE-në, kur tha se vendeve anëtarë u jep më shumë ndihma se vendeve kandidate. Rama tha se kanë bërë thirrje në Bruksel që s’mund të jetë ose gjithçka, ose asgjë, duke theksuar se situata ka ndryshuar paksa me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Duhet të jemi pjesë e BE sa më shpejt. Duke u bërë shtet anëtar muzika do të ndryshojë. Ne në fakt e kemi dyfishuar PBB tonë gjatë këtyre viteve, por nuk mjafton në vetvete, kur sheh vende të tjera të cilat janë bërë shtet anëtare dhe sa shumë ndihma marrin nga BE është thuajse tronditëse. Po të shihnim për qytetarë paratë që vende si Kroacia, që është afër nesh dhe prandaj e mora si shembull, ose Bullgaria apo Rumania, fondet që ata marrin nga BE, janë mbi 4 mijë euro për krye. Kur shohim se çfarë marrim ne për frymë, kjo do të ndryshojë ndoshta pak me Planin e Rritjes, por ne kemi pas marrë 132 euro për frymë. Edhe ky hendek tregon këtë divergjencë, por gjërat po ndryshojnë me planin e ri të rritjes, me integrimin gradual që më në fund po ndodh, sepse ne kemi bërë thirrje në Bruksel, që s’mund të jetë o asgjë, ose gjithçka. Thjesht duhet të përmbushësh të gjitha standardet, duhet ti përmbushësh, duhet të bësh gjithçka ai shtet anëtar, por ndërkohë nuk merr asgjë, duhet të jetë diçka në mes këtyre dyjave, ne po i afrohemi Bashkimit Europian, më shumë qaje tek financat, tek tregu i BE. Ka të bëjnë me reformat, me një plan detyrash shtëpie, në do bëjmë detyrat e shtëpisë, do marrim më shumë fonde, para më shumë qasje, gjërat po ndryshojnë, por ka vetëm një përgjigje, bëhu shtet anëtar i BE, bëhu pjesë e kësaj familje, përndryshe kur je jashtë, je si një kushëri që vjen te dera dhe i bie derës, e ke parasysh vetë që pavarësisht dashurisë që ekziston, në momente të caktuara i thua vazhdo punën. Ne do bëhemi me gjithë dashurinë dhe forcën”, tha Rama.
Nga Viena e Austrisë, Kryeministri Edi Rama ka ftuar investitorët që të blejnë prona në Shqipëri pasi çmimet do të vijnë duke u rritur akoma më shumë.
Në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” që u mbajt në Vienë, Edi Rama u pyet nga një investitor për ndihmën që duhet të japë qeveria për të ndikuar në zgjatjen e sezonit turistik, përtej 180 ditëve.
Kryeministri theksoi se sezoni tashmë është zgjatur, megjithatë ai shtoi se sfidë mbetet zgjatja pothuajse në gjithë vitin.
Nga ana tjetër, Edi Rama i ftoi që të investojnë dhe të blejnë toka e apartamente në Shqipëri, pasi çmimet do të vijnë duke u rritur akoma më shumë, madje do të dyfishohet pas anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Në fakt sezoni po zgjatet tashmë. Këtë vit ka qenë shumë e qartë, që numrat janë shtuar tashmë, sigurisht në terma relative duke i krahasuar me vitin e kaluar, por do të thosha që pyetja që ju bëtë ose sfida është e vërtetë. Na duhet që të bëjmë më shumë në këtë drejtim. Vetë investuesit mund të bëjnë më shumë në këtë fushë. Ju mund të na ndihmoni që të ndihmojmë vetë strukturat qeveritare dhe ato vendore që të jenë edhe personat që kanë dalë në pension të vijnë të kalojnë më shumë kohë në Shqipëri. Mendoj që do të ndodhë kjo gjë. Edhe sepse sektori i pronave në Shqipëri po ecën vërtetë përpara dhe ka hapësirë për të blerë prona me një çmim të përballueshëm ende. Ajo që do t’u thosha të gjithëve që kanë shumë para, t’i shpenzoni duke blerë prona, apartamente në Shqipëri, do të jetë investim shumë i mirë në Shqipëri. Sepse çmimet do rriten akoma më shumë edhe kur të bëhemi shtet anëtar i BE. Çmimet rriten pothuajse dyfish. Blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite, dhe e shisni me çmim dyfish. Ejani në Shqipëri dhe blini prona”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Shqipëria aspiron që deri në vitin 2030 të ketë sovranitet të plotë energjetik për të mbuluar nevojat e vendit gjatë gjithë vitit pa patur nevojën të importojë nga jashtë.
Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” që u mbajt në Austri.
Kryeministri theksoi se kur socialistët morën pushtetin në vitin 2013, e gjetën sektorin energjetik me borxhe të mëdha.
Mirëpo situata tashmë ka ndryshuar dhe po bëhen investime të mëdha në këtë sektor, sipas Ramës, duke u mbështetur edhe në burimet e rinovueshme.
“Energjia ka qenë një prej problemeve më të mëdha me të cilat na duhet të merreshim sepse trashëguam një situatë problematike, me një borxh shumë të madh, 50% e njerëzve nuk e paguanin energjinë, ndërkohë që 50% tjetër paguante më shumë.
Jemi tashmë në një pozitë krejt ndryshe. Kemi shumë burime të reja që janë vënë në funksion apo do të vihen në funksionim. Më shumë se 10% e energjisë sonë tani prodhohet nga energjia diellore. Synimi është ta çojmë deri në afro 30%. Kemi shumë besimi që do arrijmë sovranitet të plotë përpara 2030, do jemi të aftë të prodhojmë të gjithë energjinë që na duhet gjithë vitin pa nevojën për të importuar, çka nuk është kështu sot. Po investojmë në energji diellore, të erës dhe po investojmë edhe në një teknologji të re së bashku me 7Craft. Do jemi në gjendje që përmes riciklimit të ujit të mund të marrim energji nga i njëjti ujë dhe praktikisht të rrisim sasinë e energjisë së prodhuar me impiante 800 megavat. Unë mendoj se jemi në një pozitë të mirë dhe do jemi në një pozitë shumë të mirë shumë shpejt gjithashtu falë marrëveshjes që kemi bërë me Emiratet e Bashkuar Arabe dhe Italisë për lidhjen me një kabull nënujor. Për një paketë të re investimesh në energji të ripërtëritshme për të eksportuar në BE. Jemi në një pozitë shumë të mirë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama shprehu kritika për qasjen që ndjekin disa vende të BE, të cilat në disa raste kanë bllokuar negociatat me vende të caktuara për shkak të problemeve mes njëri-tjetrit. Ai i cilësoi si hipokrizi dhe marrëzi veprimet e tilla, teksa përmendi edhe rastin e Maqedonisë së Veriut, e cila ka mbetur shumë pas Shqipërisë sa i përket procesit të negociatave.
“Janë ca i vjetër në këtë punë dhe kam parë edhe ca të tjerë që ishin pararojë. Në fillim ishte Maqedonia, kështu quhej para se të ndryshonte seksin. Tani Maqedonia e Veriut. Nuk është në hartë, më pas ishte Serbia, ndërkohë nuk është gjekundi dhe Shqipëria konsiderohej si ndonjë ditë kush e di. Ndërkohë që tani jemi më përpara por s’duhet të mendojmë në kuptimin e disa vendeve të tjera, duhet ta mendojmë si një mënyrë për të bërë punën tonë dhe këtë mendonim kur ishim shumë mbrapa dhe kur askush nuk mendonin se do të hynim. Shanset janë të mëdha për shkak të kontekstit por me BE nuk i dihet. Ndaj duhet të bëjmë maksimumi në këtë pikë ku e gjithë yjësia është e rreshtuar në favorin tonë, që s’ka ndodhur ndonjëherë dhe të vraprojmë për të mos e lënë këtë mundësi të na shpëtojë. Edhe Mali i Zi po kështu ka një shans të mirë. Me shpresë edhe vendet e tjera. Bullgaria do të jetë më elastike kur vjen fjala për RMV dhe do t’i lërë të negociojnë. Është zakon i keq në BE kjo marrja peng, është një rrëmbimi i një vendi për hir të politikës së brendshme, një vend merr peng një vend, një merr një tjetër dhe e bën mish për top apo si të thuash e gatuan kuzhinën e vet në mënyrë të figurshme. Shpresoj që RMV të ketë rrugëtim normal se është e pakuptimtë që një vjen në BE të bllokojë bisedimet me një vend që do të hyjë në BE për hir të disa çështjeve dypalëshe. I lë bisedimet të vazhdojnë dhe në moment të fundit, mund të thuash jo ka një gjë që duhet ta zgjidhim por është shumë politike, hipokrike e marrëzi. Askush, as Mali i Zi të mos përballet me një gjë të tillë, shpresoj qe Serbia të drejtohet në rrugën e duhur. Edhe për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Do të ishte mirë që të gjithë të anëtarësohen.”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në konferencën "Shqipëria, Horizonti i ri", ka komentuar dhe pozicionin e Kosovës në Ballkanin Perëndimor si dhe dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian me shtetin e Serbisë.
Shefi i qeverisë shqiptare është shprehur se Kosova apo qeveria me në krye kryeministrin Albin Kurti, duhet të fokusohet në synimet dhe qëllimet e veta dhe të mos mendojë për Serbinë.
Rama u shpreh se nëse Kosova nuk bën hapa përpara për të plotësuar kërkesat e BE-së, vendi do të shkojë drejt izolimit.
Kritikat e kryeministrit Rama për Kosovën vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pezulluan Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e qeverisë në detyrë me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
“Më trishton, të shoh që nuk ka aspak përparim në këtë drejtim. Unë kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur, ka një rrugë shumë të qartë, Kosova nuk duhet të mendojë e të shohë Serbinë, por duhet të bëjë pjesën dhe detyrat e veta. Duhet t’i japë BE-së të gjitha atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe të kërkojë të ecë përpara.
Kjo nuk ka të bëjë me përmbushjen apo pranimin e asaj që kërkon Serbia, ka të bëjë me pranimin e asaj që kërkon BE. Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE që është një dështim i madh nga formati i gabuar, vendi duhet të përmbushin kushtet që lidhen me vlerat, parimet dhe mënyrën e jetesës ë BE. Nëse Kosova e bën këtë, është në interesin e saj më të mirë për të mos lidhur veten me Serbinë. Në të kundërt, do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu komentoi dhe pozicionin e Rusisë dhe të Kinës në sferën e politikës botërore. Rama tha se Kina nuk përbën rrezik dhe se interesi i saj është të bëjë biznes, mundësisht në të gjithë botën.
Për Rusinë, Rama tha se Shqipëria nuk ka asnjë punë me shtetin rus dhe se nuk do të kenë marrëdhënie diplomatike.
“Rusia është agresore dhe ka një agjendë për krijimin e trazirave ndërkohë që Kina është një tjetër lojtar. Dallim i madh është se Kina nuk ka asnjë objektiv për të universalizuar mënyrën e vet të jetesës. Interesi i Kinës është të bëjë biznes dhe mundësisht të ketë një dorë që të zgjatet në të gjithë botën. Nuk e shoh Kinën si një kërcënim. Dhe këtu ka nuanca. Kur vjen fjala për sigurinë tonë, qoftë ushtarake apo siguri energjitike, ne e kemi marrë vendimin tonë që prej kohësh. Do t’i qëndrojmë dhe të vazhdojmë të rrimë me partnerët tanë perëndimorë. Kur vjen fjala te pjesa tjetër jemi të hapur. Kjo sa i takon Kinës, me Rusinë nuk kemi asnjë punë për të bërë. nuk na ka marrë malli, nuk kemi asnjë para ruse në ekonominë tonë. Kur vjen fjala tek të mëdhenjtë e Moskës sot, nuk janë shoqëri e mirë dhe nuk na ka marrë malli të rrimë me ta.
Ka në proverbë Rusia që i thotë të gjitha: E ardhmja është e qartë, e shkuara është problem. Që kështu deri sa ta zgjidhim këtë, nuk duhet të merremi. Ne jemi vend i vogël, jemi të bekuar që nuk ka duhet të marrim vendime të mëdha dh gjithashtu jemi të bekuar që jemi miq me vende mjaft të mëdha, që kështu u takon atyre të marrin vendime të mëdha”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama "Shqipëria, Horizonti i ri" që mbahet në Vjenë, foli edhe për ministren Virtuale “Diella”. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se i gjithë procesi i prokurimeve publike do të menaxhohet nga Inteligjenca Artificiale. Kreu i qeverisë u shpreh se kompanitë nuk do të jetë më e nevojshme që të mbledhin dokumente për t’i dorëzuar kur kërkojnë të garojnë për të marrë një tender, po tashmë do të jetë Inteligjenca Artificiale që do t’i mbledhë të gjitha. Rama tha se kjo do të jetë një lehtësim për kompanitë, ndërsa theksoi se procesi do jetë i shpejtë dhe transparent.
“Përfshirja mjaft e madhe e qeverisë me teknologjitë e reja dhe inovacionin. Ka krijuar një paradoks në Shqipëri, që qeveria, ka ecur shumë më parë se sektori privat kur vjen fjala tek novacioni. Sot, e qysh prej disa vitesh për të qenë i sinqertë kemi hequr shërbimet fizike, zyrat e pritjeve dhe radhët e gjata të njerëzve. 95% e shërbimeve ofrohen përmes internetit dhe të gjithë mund ta marrin shërbimit përmes telefonit të tyre celular. Është një ndryshim shumë i madh duke pasur parasysh edhe sa kërkues ishte sistemi i mëparshëm i ndërveprimit fizik dhe sa shumë korrupsion apo ryshfete kishte në sistem, ndërkohë që sot është i fshirë nga sistemi.
Ana e mirë, për t’iu kthyer Inteligjencës Artificiale është kapaciteti për të punuar mbi të dhënat, për t’iu shërbyer edhe më mirë qytetarëve. Ministrja mund të jetë në vende të ndryshme në të njëjtën kohë, do t’iu shërbejë njerëzve në këtë platformë vetëm përmes kërkesave të thjeshta. Sot, njerëzve u duhet të bëjnë disa hapa vetë për të marrë shërbimin, duhet të shkojnë nga një rubrikë tek tjetra. Shumë shpejt do të ndërveprojnë me ministren në kohë reale me zë, duke u thënë kam nevojë për këtë certifikatë, këtë dokument, këtë leje dhe ajo do tua ofrojë. Mjafton të kërkosh, më duhet kjo.
Kur vjen fjala te Prokurorimet është një hap mjaft i madha para dhe diçka krejt e re. Vetëm pak muaj më parë patëm një seminar të madh në Tiranë me përfaqësues të 16 vendeve të ndryshëm, që ndërvepruan me agjencinë tonë në novacionit lidhur me prokurimet publik dhe mundësinë për ta transformuar në një proces të bazuar në Inteligjencën Artificiale. Projekti ynë është i vetmi që ka qasje gjithëpërfshirëse, ka disa programe dhe mënyra të ndryshme për të përfshirë Inteligjencën Artificiale në Prokurimet publike, por vetëm në një pjesë të procesit. Është projekt ambicioz dhe po punojmë me Microsoft dhe shpresojmë shumë që do të realizohet se kemi punuar shumë për të pasur arkitekturën e duhur, në mënyrën që do nisë zbatimin, i gjithë procesi do administrohet nga Inteligjenca, do jetë i shpejtë, transparent dhe do jetë lehtësim për kompanitë, s’do mbledhin letra lart e poshtë e të bëjnë dosje të mëdha për të ofruar informacion që është shumë i kushtueshëm në kuptimin e kohës dhe kostos. Të shkruajnë emra, të hedhin interesin, çmimin dhe të presin”, tha Rama.
Komente
