VËZHGIMI sot/ Në Kombinat fluks blerësish ngjitur njëri-tjetrin, policia dhe ushtria i këshillon të mbajnë distancën! Ndërgjegjësim në qytetet e tjera!

22 Mars 2020, 21:00| Përditesimi: 23 Mars 2020, 16:36

  • Share

TIRANË- 8 orë në dispozicion kanë pasur qytetarët për të bërë blerjet e domosdoshme, fruta-perime dhe ilaçe.

Panorama që është ofruar ditën e sotme në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë ka qenë më optimiste krahasuar me qytetet e tjera. Qytetarët në Korçë, Lezhë, Kukës, Fier dhe Berat ka pasur më pak lëvizje dhe qytetarët janë ndërgjegjësuar për të ruajtur distancën 1 metër nga njëri-tjetrin, ndërsa më problematike ka qenë situata në tregun e Kombinatit.

Aty ka pasur pak kaos, me blerësit që nuk respektonin distancës, pa mjete mbrojtëse, një pjesë e konsiderueshme e tyre, për pasojë është dashur ndërhyrja e policisë dhe ushtrisë të cilët kanë bërë këshillimin e qytetarëve për ruajtjen e distancës.

Në 13:00 ka nisur ora policore, që detyron të gjithë qytetarët të mos dalin nga shtëpitë e tyre, në të kundërtën do të ndëshkohen. Patrullat e policisë kanë zbritur në terren, për të monitoruar zbatimin e urdhrit.  

Ora 13:53
Ndërgjegjësohen Korça, Lezha, Shkodra dhe Fieri, të gjithë qytetarët izolohen sapo kufizohet lëvizja

Korçarët kanë qenë shumë të rregull me urdhrat e autoriteteve për t'u izoluar në orën 13:00. Menjëherë pas këtij orari rrugët janë boshatisur. Në qytet dallohen vetëm patrullat e policisë qe po monitorojnë situatën. Ndërkohë duket se shkalla e ndërgjegjësimit është rritur. Sakaq edhe në Lezhë, Fier dhe Shkodër ndërgjegjësimi është rritur. Sapo ka mbërritur ora 13:00 asnjë qytetar nuk dallohej në rrugë, ndërsa shquheshin vetëm makinat e autoriteteve.

 

Ora 13:20
Skadoi afati, policia në rrugët e Tiranës: Qytetarë, futuni në shtëpi (VIDEO)

Menjëherë sapo ka përfunduar afati i dhënë nga autoritet për lëvizjen e qytarëve, në orën 13:00 të ditës së sotme, në rrugët e kryeqytetit janë parë makinat e shumta të policisë. Ata i kanë bërë thirrje qytetarëve të nxitojnë për të hyrë në shtëpi, pasi siç ka ndodhur në ditët e tjera do të vijojnë me gjobat.

Ora 12:41
Shumë pak lëvizje te tregu te 'Pazari i Ri'... mbyllet para orës 13:00! Qytetarët nisen drejt shtëpive (VIDEO)

Ndonëse ora nuk ka shkuar 13:00, afati që u lejohet për të qëndruar hapur, Tregu tek "Pazari i Ri" ulur qepenin. Lëvizjet në këtë treg nuk kanë qenë të shumta, ndryshe nga e kaluara, çka ka bërë që të mbyllet përpara orarit, mbi 30 minuta më herët.

Ora 12:39
Pa maska dhe pa doreza, elbasanasit vërshojnë drejt tregjeve, zyrave postare, furrave të bukës pa asnjë masë mbrojtëse (VIDEO)

Ditën e sotme duke filluar nga ora 05:00 e mëngjesit qytetarët e Shqipërisë, nisur nga masat e reja të njoftuara, patën mundësinë të lëvizin lirshëm për të kryer punët e tyre. Ashtu siç pritej parregullsi të shumta mes qytetarëve, më së shumti në Elbasan, ku nuk zbatonin masat e sigurisë.

Qytetarët në Elbasan, të papajisur me maska dhe doreza, kanë vërshuar drejt tregjeve, supermarketeve, zyrave postare, furrave të bukës, kompanitë celulare pa respektuar as distancën e sigurisë. Kjo parregullsi është vërejtur edhe në ditë të mëparshme në Elbasan.      

 

 

 

Ora 11:35
Tregu u Kombinatit më problematiku...nuk respektohet distanca! Ndërhyn Policia dhe Ushtria duke i këshilluar (VIDEO)

Pazari në Kombinat është ndër tregjet më problematike, për mos respektimin e distancës nga njëri-tjetri. Ditën e sotme ka pasur lëvizje në këtë treg, jo si ditët e kaluara, por është mjaft shqetësuese në një kohë kur vetëm 10 orët e fundit ka pasur 4 viktima me koronavirus në Shqipëri. Aty kanë qenë edhe forca të policisë dhe ushtria e cila ka ndërhyrë herë pas herë për të këshilluar qytetarët që të ruajnë distancën.

Qytetarët janë të vetëdijshëm që duhet respektuar pasi vënë në rrezik për jetën e tyre, por nuk tregohen shumë të kujdesshëm për ta zbatuar atë. "S'kisha maska, s'kam njeri në shtëpi. Jam i detyruar të dal, gruan e kam në shtëpi, e drejtë është, shumë faleminderit për shqetësimin", tha një i moshuar.

Ora 11:11
Korçarët shfrytëzojnë orarin për të bërë pazare, ruhet distanca: Njerëz jemi, marrim vesh (VIDEO)

Fasha e orarit nga 05:00-13:00 është shfrytëzuar nga qytetarët që të dalin për të bërë pazar. Ditën e sotme ka pasur lëvizje të qytetarëve që u drejtohen supermarketeve, farmacive dhe furrave të bukës, dhe në pjesën më të madhe, ka ndërgjegjësim të qytetarëve që ruajnë distancën. Masa janë marrë edhe pronarët e bizneseve, të cilët lejojnë që të futen në ambientet e brendshme të biznesit aq persona sa mund t'u lejohet që të mbahet distanca. Qytetarët për mikrofonin e Report TV shprehen se nga shtëpia dalin vetëm për të bërë pazaret e nevojshme.

"Kam dalë të marrë fruta-zarzavate. S'kam ku të shkoj në këtë të ftohtë. Ja jemi me një metër distancë. Po pres radhën. T'i shmangemi koronavirusit që na ka zënë dhe të zbatojmë rregullat"

"Dal nga shtëpia vetëm për ushqime, nuk dal në oraret e tjera. Vetëm pazari na nxjerr nga shtëpia. Respektohet radha se njerëz jemi, marrim vesh", thanë disa qytetare.

Këto masa po respektohen në pjesën më të madhe të qytetit, por sërish ka një pjesë e cila qëndron indiferente.

Ora 10:37
Lezha e ndërgjegjësuar, jo grumbullime në tregjet e fruta-perimeve, të gjithë me maska (VIDEO)

Dita e qëndrimit në shtëpi përgjatë së dielës, i ka zgjuar më të ndërgjegjshëm qytetarët lezhjanë. Të paktë nëpër trotuare, në distancë me njëri-tjetrin, qytetarët janë parë këtë mëngjes me maska e doreza. E njëjta panoramë është shfaqur edhe në tregjet e fruta-perimeve, ku qytetarët kanë shmangur grumbullimet dhe ruajnë distancën nga njëri-tjetrit.

Ora 10:23
Në Bulevardin e Beratit ka lëvizje, por jo grumbullime të mëdha njerëzish...distanca 1 m nuk ruhet nga të gjithë (VIDEO)

Në Berat, këtë mëngjes ka pasur lëvizje, por ofrohet një pamje disi optimiste pasi po respektohet distanca nga njëri-tjetrin. Megjithatë, ka ende shumë vend për përmirësim, pasi një gjë e tillë nuk e shohim në masë. Ndryshe nga herët e tjera, nuk ka grumbullime të mëdha njerëzish, por njerëz që nxitojnë në punët e tyre. 

Ora 10:02
Fieri më pak lëvizje prej shiut, por në tregjet e fruta-perimeve vijon të ketë grumbullime pa ruajtur distancën (VIDEO)

Kjo e hënë edhe pse nën ndikimin e reshjeve të shiut dhe temperaturave më të ulëta, qytetarët fierakë nuk janë penguar të shfrytëzojnë kohën e orarit të lejuar kur mund të marrin shërbime dhe të lëvizin si këmbësorë deri në orën 13:00.

Këtë mëngjes më shume qytetarë vihen re tek tregjet, farmacitë, furrat e bukës e shërbimet ne kompanitë celulare.

Një pjesë e mirë e qytetarëve edhe pse me maska ose jo , ruajnë distancën dhe pritjet në radhë, ndërsa tek tregu i fruta-perimeve ka më shumë dyndje qytetarësh.

Kontrollet vazhdojnë ku më shumë këtë mëngjes në rrugët e qytetit është policia bashkiake e cila kontrollon dhe bind qytetarët të mbajnë distancën në çdo shërbim.

Ora 09:44
Tiranë- Në radhët në sportele ruhet distanca 1 m...qytetarët më të ndërgjegjësuar

1584953127_poshta.jpg

Në një vëzhgim të bërë nga Report Tv në rrugët e kryeqytetit, duke se ka pasur ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve që të ruajnë distancën nga njëri-tjetri. Te Posta Shqiptare, ka radhë, por janë të pozicionuar në një distancë rreth 1 m nga njëri-tjetri, kështu edhe në banka. Megjithatë, nga këmbësorët në rrugë nuk ofrohet e njëjta panoramë, mesa duhet ata nuk janë ndërgjegjësuar ende mjaftueshëm për rrezikun që i kanoset. Edhe pse duhet të theksohet se ka një përmirësim të dukshëm, krahasuar me ditët e tjera.

Ora 09:39
Dëborë në qarkun e Shkodrës, vijnë 137 udhëtarë nga Mali i Zi përmes Hanit të Hotit

Në Qarkun e Shkodrës në orët e para të mëngjesit kanë filluar reshjet e dëborës mbi lartësitë 400 m, që ka prekur kryesisht bashkitë Pukë, Fushë-Arrëz dhe disa njësi administrative në Qarkun Shkodër. 

Nga Dogana e Hanit të Hotit e vetmja pikë kufitare hapur me Malin e Zi, kanë hyrë 137 udhëtarë, 42 shqiptarë dhe 95 të huaj.

Nga autoritetet shëndetësore po ndiqet situata epidemiologjike në të gjithë territorin e qarkut për gjurmimin e të ardhurve nga vendet e infektuara duke i udhëzuar për ndjekjen e vetëkarantinimit.

Nga strukturat e policisë, ushtrisë, policive bashkiake nëpërmjet 15 pikave të postblloqeve dhe në bashkëpunim me inspektoratet po ndiqen e zbatohen urdhrat e akteve normative. 

Ora 09:13
Lushnja një ditë pas izolimit të së dielës, jo shumë qytetarë për pazare (VIDEO)

Moti me reshje shiu ka bërë që rrugët e Lushnjes të mos jenë të mbushura me këmbësorë. Edhe pse lëvizja e qytetarëve ka nisur për të bërë pazaret, deri në orën 13:00 kur është orari i lejuar, ata nuk janë të shumtë. Më shumë shihet lëvizje e automjeteve.

Ora 08:39
Borë në pranverë dhe në kohë koronavirusi në Kukës, Dibër e Bulqizë (VIDEO)

KUKËS- Qyteti i Kukësit është veshur nga petku i bardhë i dëborës.

Mëngjesi i sotëm është shoqëruar me uljen e temperaturave në Kukës, ku nuk munguan reshjet e dëborë. Jemi zyrtarisht në pranverë, por ndryshe nga e kaluara, nuk ka ardhur me lule dhe diell, por dëborë.

Megjithatë, në ditën e 10 të karantinës, dëborë nuk i ka ndalur kuksianët që të bëjnë blerjet në treg. Tek-tuk shihen njerëz në rrugë, ende të pandërgjegjësuar që duhet ruajtur ditastanca.

Po ashtu, në orët e para të mëngjesit të sotëm edhe në Bulqizë e Dibër kanë fillur reshjet e deborës. Në Bulqizë ka 3 centimetër dëborë po ashtu dhe në qytetin e Peshkopisë ndërsa në zonat e thella të Bulqizës dhe Dibrës vijon 10 deri 15 cm. Sipas informacionit të marrë nuk raportohen probleme. Temperaturat shënojnë -7 gradë. Në disa njësi administrative ka pasur dhe mungesë të energjisë elektrike.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • www.youngtribune.com: 23/03/2020 12:45

    Shqiptaret akoma vazhdojne te shesin e te blejne ushqime qe shiten ne rruge. A popull nuk ta ka fajin njeri por kokefortesia e injorance qe ke.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?