Dita e Verës në Shqipëri është ditë pushimi zyrtar. Por jo vetëm kaq. Kryeministri Edi Rama ka firmosur urdhrin që ditë pushimi për administratën shtetërore do të jetë edhe 15 marsi që i bie e premte.
Duke i shtuar dhe fundjavën, të shtunën dhe të dielën, administrata i takon që të shijojë vërtet 4 ditë pushim.
“Me këtë vendim të Këshillit të Ministrave u japim mundësi të gjithë punonjësve të shtetit që nuk janë pjesë e funksioneve kritike, të marrin një ditë më shumë pushim mes Ditës së bukur të Verës dhe fundjavës që gjithësesi e kanë pushim! Gëzuar Ditën e Verës”, shkruan Rama.
Data 15 mars do të jetë pushim edhe për nxënësit e shkollave në gjithë vendin.
Pas lajmërimit të kryeministrit Edi Rama se data 15 mars (e premte) do të jetë pushim për punonjësit e administratës publike, në kuadër të Ditës së Verës, edhe Drejtoria e Arsimit Parauniversitar njoftoi që edhe shkollat do të jenë pushim në këtë datë.
“Në mbështetje të neneve 95,pika 2, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave. Vendosi: Caktimin e ditës së premte, datë 15.03.2024, ditë pushimi. Njoftohen të gjitha Institucionet arsimore publike/jopublike, nxënësit dhe punonjësit arsimor në gjithë vendin” – thuhet në njoftim.