Sot super koncerti në ‘Bunk’Art 1’, surpriza pafund për të pranishmit/ Programi-Hyrja falas

21 Qershor 2018, 07:10| Përditesimi: 21 Qershor 2018, 07:44

  • Share

Dita Botërore e Muzikës sot në mbremjen e 21 Qershorit do ta gjejë kryeqytetin një super event muzikor në ambjentet e Bunkart1 të quajtur "Bunk'Music". Eventi fillon në orën 19:00 në ish sallën e asamblesë në Bunkart1, nga ku do të performojnë grupet si Marsela Cibukaj & Band dhe All In Band. E lumtur që do të çelë koncertin e para në Bunk’Art 1, Marsela Çibukaj premton se do të jap më të mirën për publikun.

Pra unë do prek pak nga ajo muzikë që ka qenë pjesë e rritjes time artistike, ato lloj influencash, ata lloj artistësh që kanë ndikuar shumë, si këngët e Janis Joplin, këngët e Rei Chard., etj.

Marsela Çibukaj për Report TV

Nuk janë më pak interesantë edhe dhjetë shokët që studionin së bashku në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, anëtarë të grupit All in Band. Trompisti 24-vjeçar, Rajkard Bardhi zbulon një pjesë të surprizave.

Është Besian Herri në bateri, Roland Gjura në bass, Matteo Zgjipi në piano, Eno Gjoka në saksofon, jam unë (Rajkard Bardhi) në trompë dhe gjithashtu bandës tonë do t’i bashkohet edhe Ridvan Shaqja në saks-bariton, Keidi Barbullushi në kitarë dhe Wendy Adimiri në vokal. Do të prekim disa nga zhanret e muzikës: Funk Fusion,Latin, Sëing, e quajtur kundër rrymës. Është edhe një këngë origjinale, të cilën e kemi perfomuar në vitin që shkoi. Është një këngë e bazuar tek muzika Sëing.

Trompisti 24-vjeçar, Rajkard Bardhi

Festa e muzikës, një kënaqësi më vete për tifozët e sportit
Më tej pas orës 20:00 në parkun e Bunkart1, tifozët do të kenë mundësinë të shikojnë live ndeshjen Argjentinë-Kroaci në një ekran gjigant, ku nuk do të mungojë birra e ftohtë dhe barbekjutë. Pas emocioneve të kësaj ndeshje në orën 21:45 eventi transferohet në pyllin e Bunkart1, ku në një atmosferë magjike do të performojnë live grupe të muzikës rrok Jericho dhe Vitmar Basha & Band. Vitmar Basha, premton se do ta kthejnë Bunk’Art 1 në arenë spektakli.

Kemi menduar të bënim një skenë që të jetë ndryshe nga skenat normale që shikojmë në festivale të ndryshme.

Vitmar Basha për Report TV

Kur muzika universale realizohet brenda një vendi që simbolizon një periudhë të errët për Shqipërinë në Bunk’Art 1 merr një domethënie të veçantë për secilin artist.

Këtë ditë që është shumë e rëndësishme që është dita e muzikës, që do të kulmojë në një vend kaq të bukur, skena nuk ka nevojë, do të duheshin miliona euro me bërë një skenë sikur është Bunk’Art. Jam i gëzuar që kam qenë pjesë e stafit organizues dhe artistik, sepse po i japim një penelatë arti muzeut.

Vitmar Basha

Akoma më shumë domethënës ky koncert për mua. Sidomos nga familja e mamit kemi pasur një histori të trishtë persekutimi. Është një vend që pasqyron mungesën e lirisë. BunkArt1 është një muze që përfaqëson një epokë të errët, në të cilën është persekutuar i gjithë ky popull. Mami im ishte me origjinë nga Vlora, nga një familje e persekutuar, dhe ngelën të mbyllur, në errësirë në atë kohë.

Këngëtarja Marsela Çibukaj

Muzika Jazz në atë kohë, as që imagjinohej që të luhej, se normalisht kishte ndëshkime deri me humbje jete. Kështu kjo është ironi që po ndodh në këtë moment. Ne po luajmë jazz në një vend që nuk është lejuar kurrë jazz-i.

Pejsëmarrësi më i ri i këtij koncerti, Rajkard Bardhi

Dhe entuziazmin më të madh do ta ndez Jericho një grup rock i ardhur nga Kosova. “Jericho” njihet edhe për këngët “Zgjohu”, “Tomlin e nonës”, “Kur do t’pushojë kjo kangë”, “Albanian” Rhapsody” e shumë të tjera. 

Hyrja falas dhe autobusa në dispozicion falas për publikun
Kjo do të jetë edhe një natë plot muzikë e emocione futbolli për mos t'u humbur, nga ku hyrja do të jetë falas. Ky event është i mbështetur nga Qendra Ura dhe Bashkia e Tiranës. Për të gjithë ata që dëshirojnë të festojnë 21 qershorin, Ditën Botërore të Muzikës, duke ndjekur “Bunk'Music”, te stacioni i Porcelanit i presin autobusët falas.

Programi i mbrëmjes 21 qershor:
Ora 19.00 - në sallën e Kuvendit te Bunk’art 1 koncerti jazz me Marsela Çibukaj dhe All in band
Ora 20.00 - në parkun e Bunk’Art 1 projeksioni live i ndeshjes se botërorit Kroaci-Argjentinë
Ora 20.00 - barbecue dhe “Birra Tirana party”
Ora 21.45 - në parkun e Bunk’Art1 koncerti rock me Jericho dhe Vitmar Basha

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?