Besimtarët mysliman festojnë sot festën e Kurban Bajramit.
Me rastin e kësaj feste, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar të gjithë besimtarët.
Me një postim në rrjetet sociale, ai ka uruar për më shumë begati e mirësi për kombin tonë.
Postimi i plotë:
Të dashur motra dhe vëllezër
Nesër, me lejen e Zotit, do të festojmë Kurban Bajramin.
Festën që simbolizon sakrificën dhe bindjen e njeriut ndaj Zotit dhe mëshirën e pamatë që krijuesi ka për krijesën tij më të lartë, që është njeriu.
Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.
Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Kurban Bajrami është festë edhe për haxhinjtë.
Miliona besimtarëve nga e gjithë bota, të cilët po kryejnë Haxhin, u janë bashkuar qindra besimtarë nga Shqipëria, e ne lutemi që atyre t’u pranohet haxhi e të kthehen të gjithë të falur e të pastruar nga mëkatet.
Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit
Paçi gëzime në familjet tuaja.
Zoti i madhërishëm na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë.
Zoti u dhëntë paqe të gjithë besimtarëve në mbarë botën.