Politikë

Nesër nis rinumërimi për qarkun e Fierit, do të hapen 587 kuti votimi! Lapaj 'kërkon' t'i marrë një mandat PS

29 Qershor, 14:55| Përditesimi: 29 Qershor, 18:58

  • Share

Pas përfundimit të qarkut të Tiranës, ku u provua se nuk kishte trafikim votash, mëngjesin e së hënës pritet të nisë rinumërimi për qarkun e Fierit. 

Janë 587 kuti që do të rihapen në Pallatin e Sportit "Farie Hoti" në Tiranë, ku administrata e KQZ do të rivlerësojë çdo fletë votimi për partitë dhe kandidatët në qarkun e dytë më të madh të vendit, që prodhon 16 mandate. Në këtë qark, PD mori vetëm 4 mandate përkundrejt 12 që fitoi PS.

Por kush rrezikon? Në këtë qark, Koalicioni “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt e humbi mandatin për rreth 500 vota. Nëse nga rinumërimi 'siguron' aq vota që mund t'i jenë hequr pa meritë, atëherë Azmer Duleviç bëhet deputet. Kështu PS do të humbiste mandat dhe ajo që ngel jashtë është Zegjine Çaushi. 

Zegjine Çaushit mund t'ja "rrëmbejnë" mandatin edhe brenda PS, pasi ajo fitoi përballë Maldrita Bardhos me një diferencë prej 64 votash. Nëse KAS i gjen asaj një numër të tillë votash të pamerituara, atëherë Çaushi mund ta humbasë mandatin. 

Ndërkohë, PD nuk rrezikon asgjë nga rinumërimi. Edhe partia Mundësia, që të mund të marrë mandatin në qarkun e Fierit, do të duhet të sigurojë 519 vota nga rinumërimi dhe t’i marrë PS një deputet. Çdo ndryshim tjetër është i pamundur. Që PS të humbasë edhe një mandat tjetër, në favor të PD, kjo e fundit duhet të marrë rreth 6300 vota më shumë, ose PS të ketë rreth 19,000 vota më pak. 

Të premten, përfundoi rinumërimi i qarkut të Tiranës, ku nuk pati ndryshim rezultati. Pati humbje votash, më shumë PD me 612 vota, të cilët i zbriten nga rezultati i 11 majit. PS-së iu zbritën 380 vota. Në përfundim të procesit, KAS tha se ndonëse pati lëvizje votash, nuk përbëjnë precedent për trafikim votash. Koli Bele dhe Ledio Braho i quajtën këto diferenca si gabime njerëzore dhe jo të qëllimshme.

Pasi të përfundojë rinumërimi i Fierit, do të rihapen 360 kutitë e Durrësit, ku përfshihen edhe disa kuti materialesh zgjedhore dhe kutitë e diasporës. 

Rinumërimi në qarkun Fier: 
Të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët
9 KZAZ
587 qendra votimi

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?