TIRANË- Saga e rinumërimit të 1207 kutive në qarkun e Tiranës, përfundoi pas 9 ditësh dhe rezultati ashtu siç pritej nuk prodhoi asnjë surprizë. Rinumërimi nuk ndryshoi asgjë në rezultatin përfundimtar, ku PS ruan 19 mandatet dhe PD-së i mbetet humbja e thellë me 13 mandate, por hapja e fletëve tregoi disa pasaktësi. As partitë e reja, siç dihej, nuk kishin asnjë shans të merrnin mandate, Partia Mundësia mbetet me 2 mandate, PSD, Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga 1 mandat.
Shifrat e reja nga ky proces tregojnë se Partia Demokratike ka humbur më shumë vota. Kështu, bie sërish alibia e Berishës për farsë zgjedhore, ndërsa koalicioni i tij ka humbur dyfishin e votave në raport me votat që ka humbur PS e Edi Ramës.
Konkretisht, PD-ASHM-së i zbriten 612 vota nga rezultati i 11 majit, ndërsa PS-së i zbriten 381 vota. Më pas ndiqen nga Lëvizja Bashkë që i zbriten 57 vota, Nismës Shqipëria Bëhet dhe Partisë Mundësia që i zbriten nga 44 vota secilës dhe 34 vota i hiqen PSD-së. Të vetmet Parti që përfitojnë vota tepër janë Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës që i shtohen 27 vota më shumë se më 11 maj, Koalicionit Djathtas për Zhvillim të Eneklejd Alibeajt i shtohen 8 vota dhe 7 vota më shumë për Partinë Aleanca Kombëtare Shqiptare. Rivlerësimi i votave nga KQZ shtoi numrin e votave të pavlefshme, 1041 të tilla. Vota që gjatë numërimit të parë iu ishin llogaritur partive apo kandidatëve.
Me këto rezultate, Berisha i cili po shpresonte të faktonte masakrën e 11 majit, nuk mundet të marrë as mandatin e 14-të në kurriz të Partisë Mundësia, e cila e ruajti deri në fund mandatin e saj të dytë në kryeqytet. Të gjitha votat që u zbriten partive, pjesa më e madhe janë të pavlefshme ose u janë marrë partive të vogla. Rinumërimi zbuloi probleme të vogla teknike, ‘kurthe’ të vogla komisionerësh apo thjesht pakujdesi njerëzore, duke i lënë shifrat aty ku i gjeti, me përjashtim të pak qindra votave që kanë lëvizur më shumë brenda listave të të njëjtës forcë politike, sesa mes pozitës dhe opozitës.
PD rezulton ‘kampione’, duke i atribuuar vetes më shumë vota që nuk i takonin, ndërsa tashmë edhe ky proces e nxjerr sërish blof Sali Berishën për masakrën zgjedhore të 11 majit, që e përdori si alibi për të justifikuar disfatën e thellë.
Rezultatet e rinumërimit për subjektet politike në qarkun e Tiranës
KANDIDATËT
Lëvizje votash ka pasur edhe mes kandidatëve në listat e hapura, por rezultatet e rinumërimit nuk sjellin asnjë ndryshim, përveç rastit të Asllan Dogjanit që kalon në renditje Mylsym Murrizin, por gjithsesi mbetet jashtë Kuvendit. As Ilir Alimehmeti, i cili kishte pretendime se i ishin vjedhur votat brenda familjes së tij politike, nuk ia zuri dot vendin Jorida Tabakut, e cila ka fituar të vetmin mandat të PD-së në listën e hapur të Tiranës. Mjeku Alimehmeti që kishte pretendime për trafik votash, nga rinumërimi rezulton se kishte marrë 137 vota që s’i takonin, të cilat tashmë i zbriten, ndërsa koleges së tij demokrate, Tabaku, i zbriten 250 vota.
Në kampin socialist lufta ishte mes Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës, ku diferenca mes tyre është ngushtuar nga 140 në 70 vota, por asgjë nuk ndryshon. Ish-ministrja Xhaçka ruan mandatin edhe pse i zbriten 51 vota, ndërsa Gjylametit i shtohen 19 vota.
Ervin Hoxha nga PS dhe Jorida Tabaku nga PD, janë dy kandidatët që rezultojnë se më 11 maj kishin marrë numrin më të lartë të votave që s’u takonin, ministrit i zbriten 303 vota të pamerituara, ndërsa deputetes demokrate 250 vota.
Në PS, të tjerë kandidatë që u zbriten vota janë figura të njohura si Fatmir Xhafaj, që i hiqen 234 vota, Erion Braçes i zbriten 171 vota, ministrit Blendi Gonxhja më i votuari në PS për qarkun e Tiranës i hiqen 179 vota. Apo të tjerë kandidatë si, Pandeli Majko që i zbriten 72 vota, Xhemal Qefalia minus 128 vota, Ornaldo Rakipi 136 vota, apo kandidateve femra, ku ministres Anila Denaj i hiqen 81 vota, Antonela Dedej 108 vota apo Kejsi Elezit 116 vota.
Por rinumërimi zbuloi se kishte edhe kandidatë që ju ishin bërë padrejtësi gjatë numërimit të parë. Hapja e kutive i shtoi vota Etjen Xhafajt, Blerina Gjylametit dhe Plarent Ndrecës. Mes demokratëve rikuperuan vota Ilda Zhulali, Salvador Kaçaj dhe Asllan Dogjani.
Rrëzohen pretendimet e Metës për trafikim votash
Ilir Meta i cili garoi në listën e hapur të PD-ASHM ka mbetur jashtë kuvendit dhe në qeli. As procesi i rinumërimit nuk e ndihmoi, me gjithë pretendimet e tij për trafikim votash, sidomos në Kavajë. Në total nga rinumërimi, Metës i zbriten 54 vota duke shkuar nga 7298 vota që kishte më 11 maj, në 7244 vota. Ndërkohë, hapja e kutive të Kavajës rrëzoi pretendimet e Metës se iu vodhën votat. Në 95 kuti të kësaj bashkie, Metës i zbriten vetëm 2 vota.
KAS i vë vulën procesit
Pas 9 ditësh rinumërim në Tiranë, edhe KAS thotë se u faktua se s’kemi të bëjmë me trafikim votash, akt të cilin e pranon edhe vetë anëtari i PD në KAS, Ledio Braho. Ky i fundit bashkë me Koli Belen i quajtën këto diferenca gabime njerëzore, dhe thanë se asnjë numërues nuk do të dërgohet në prokurori.
"Nuk prodhoi asnjë ndryshim dhe rezultat. Procesi i tabulimit është duke mbaruar. Ka qenë korrekt, ka qenë i mundimshëm për stafin e KQZ.", tha Koli Bele.
"Transparenca i shërben demokracisë. Pavarësisht se nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash që të bëjnë pis procesin. Disa nga qëndrimet e kandidatëve tregojnë se i kanë shërbyer procesit. Nuk kemi më akuza për trafikim votash në subjekte. Ato lëvizje që reflektohen dhe konsiderohen si vjedhje dhe manipulim nuk janë të tilla por gabime njerëzore apo çështje fletësh që janë të diskutueshme në lidhje me qëndrimin se kujt i takojnë”, u shpreh Ledio Braho.
Të hënën në pallatin e sportit “Farie Hoti” do të niset më rinumërimin total të qarkut të Fierit dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora).
Teksa procesi i rinumërimit të votave ka përfunduar, dhe pritet që të tabulohet rezultati në KQZ, anëtarët e KAS Koli Bele dhe Ledio Braho kanë folur për mediat. Bele tha se procesi i rinumërimit ka qënë korrekt, ndërkohë që Braho theksoi se nuk kishte lëvizje të konsiderueshme votash që të bëjnë pis procesin.
"Nuk prodhoi asnjë ndryshim dhe rezultat. Procesi i tabulimit është duke mbaruar. Ka qenë korrekt, ka qenë i mundimshëm për stafin e KQZ.", tha Bele.
"Transparenca i shërben demokracisë. Pavarësisht se nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash që të bëjnë pis procesin. Disa nga qëndrimet e kandidatëve tregojnë se i kanë shërbyer procesit. Nuk kemi më akuza për trafikim votash në subjekte. Ato lëvizje që reflektohen dhe konsiderohen si vjedhje dhe manipulim nuk janë të tilla por gabime njerëzore apo çështje fletësh që janë të diskutueshme në lidhje me qëndrimin se kujt i takojnë. ", shtoi Braho.
Sipas Brahos, lëvizja e këtyre votave duket që është gabim dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash, këto vota do të shkonin te kandidatë të tjerë.
"Kini parasysh fletën e votimit të Tiranës. Emrat e kandidatëve janë të pandara në kuadrate. Nëse shikoni emrat dhe tipologjinë e votimit, ka njerëz që mund të kenë bërë gabime, se si e ka vlerësuar një grup ndryshon nga tjetri. Po të vini re shifrat janë më të larta te ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota. Duket që është proporcionalitet gabimi dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash, këto shifrat e mëdha do ishin te kandidatët që kanë marrë realisht pak vota. Nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash”, tha Braho.
Komente

Si ka mundēsi qē ēshtē akoma nē qarkullim nē vitin 2025 Maloku hajdut kriminel Sali Bajga
Përgjigjungeli duke humb SALI PROTOPAPA hahahahha
PërgjigjuNOC RROKUN e fitoi Sali non grata.....
Përgjigju