Kuvendi do të mblidhet për herë të tretë brenda kësaj jave.
Të enjten në orën 10.00, në foltore do të zbresë kryeministri Edi Rama i cili në nisje të mandatit të tij të 4-t do të prezantojë programin qeverisës.
Për të organizuar kohëzgjatjen e debatit parlamentar u mblodh konferenca e kryetarëve këtë të mërkurë, e cila vendosi që secili deputet do të ketë të drejtën të flasë nga 10 minuta. Demokratët kërkuan debat pa limit nga kryeparlamentari Niko Peleshi, për sa kohë prania e Edi Ramës për debat në Kuvend, është një mundësi përballjeje që e kanë rrallë.
Kjo do të thotë se do të duhen 23 orë për diskutimet e plota, pa llogaritur këtu kohën që merr vetë kryeministri, i cili sipas rregullores së Kuvendit, nuk ka kufizim.
Pas Edi Ramës, Sali Berisha ose Gazment Bardhi kanë të drejtë të shfrytëzojnë foltoren e Kuvendit po aq minuta sa kryeministri do të flasë.
Koha e barabartë mes dy palëve dhe replikat në nisje, do të bëjnë që seanca të ndërpritet në mesnatë dhe të rifillojë të premten.
Në përfundim të maratonës së diskutimeve, Kuvendi do të votëbesojë kryeministrin dhe 16 ministrat e tij, duke votuar dekretet e Presidentit Begaj.
Nëse votimi do të bëhet herët të premten, edhe betimi tek presidenti si akt final, do të bëhet po të premten. Përndryshe, ai shtyhet për të shtunën.
Tradicionalisht Edi Rama, menjëherë pas betimit tek kreu i shtetit, ka zhvilluar dhe mbledhjen e parë të qeverisë së re.
Komente
