KQZ gjatë një mbledhjeje

Politikë

Nesër zgjedhjet/ PS e Vlorës i kërkon KQZ-së shtyrjen e orarit të votimit deri më 22:00! Shkak eventi i ‘Giro D’Italia’ që do zhvillohet në qytet dhe pengesat që mund të sjellë (SHKRESA)

10 Maj, 10:49| Përditesimi: 10 Maj, 11:49

  • Share

Gara e çiklizmit “Giro D’Italia” që po mbahet për herë të parë edhe në Shqipëri, parashikon një plan masash sigurie rrugore dhe rendi nga Policia e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse.

Por ajo prek edhe ditën e zgjedhjeve, të dielën e 11 majit, në etapën që do zhvillohet në qytetin e Vlorës. Për këtë shkak janë parashikuar dhe njoftuar bllokime rrugësh dhe qarkullimi.

Nisur nga kjo ngjarje, dega e PS-së në Vlorë i ka kërkuar KQZ-së edhe zgjatjen e orarit të votimit në qytet nesër, deri në 22:00, nga 19:00 që parashikon Kodi Elektoral.

Shkresa është firmosur nga kreu politik i PS për qarkun Vlorë, Bledi Çuçi dhe Report Tv e Shqiptarja.com e kanë siguruar.

Kjo shtyrje është kërkuar për shkak të Giro D’Italia në mënyrë që të mos pengohen qytetarët për të votuar.

Kërkesa e PS Vlorë:

"Drejtuar: z. Ilirian Celibashi

Kryetar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve

Lënda: Kërkesë për shtyrje të orarit të mbylljes së disa qendrave të votimit në Qarkun e Vlorës

I nderuar z. Celibashi

Në vijim të komunikimit me Bashkinë e Vlorës, ju informoj se në datën 11 Maj 2025, në territorin e kësaj Bashkie do të zhvillohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar "Giro D'Italia". Masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë. Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës, bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese.

Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00. Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin,

Bledar Çuçi, Drejtues Politik i Partisë Socialiste Vlorë".

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?