Takimi i ditës së sotme i Federatës së Opozitës

‘Mosbindja civile’ dhe protesta e 7 tetorit, Federata e Opozitës mblidhet në selinë e PD. Mungon Meta, i pranishëm dhe Alimadhi

1 Tetor, 09:52| Përditesimi: 1 Tetor, 16:23

  • Share

Tiranë- Situata e përshkallëzuar politike pas dënimit me 1 vit burgim për "kallëzim të rremë" të Ervin Salianjit, për dosjen “Babale”, vendim i lënë në fuqi më 26 Shtator nga Apeli i Tiranës dhe i ekzekutuar një ditë më pas me burgosjen e ish-deputetit, ka vënë në lëvizje edhe opozitën për protestën e paralajmëruar të 7 Tetorit.

Flamur Noka, në mungesë të Sali Berishës, që prej 30 Dhjetorit 2023 ndodhet i izoluar me arrest shtëpiak dhe i pandehur tashmë për dosjen “Partizani”, me akuzën korrupsion pasiv, ka mbledhur sot (1 Tetor) në selinë e SHQUP, aleatët e PD-së, e njohur edhe si Federata e Opozitës. Takimi u mbajt në orën 12:00.

Mes tyre ishin Vangjel Dule i PBDNJ, Nard Ndoka i Demokristianëve, Agron Duka i PA-së dhe ai që ra më shumë në sy ishte kreu i Ballit, Adriatik Alimadhi, i cili pak ditë më parë u pa tek pozonte nga Italia në drekën me Adriatik Llallën dhe duket se u kthye e urgjencë në vend, për t’iu bashkuar opozitës në “mosbindje civile”.

Dhe në fund ishte Tedi Blushi i PL-së së Ilir Metës, pasi ky i fundit nuk mori pjesë vetë në këtë nivel takimi.

Mbledhja u drejtua nga deputeti Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, që në fjalën e tij tha ndër të tjera se “opozita është në një agresion të pandalshëm për ta asgjësuar atë, por nuk do ja dalin”.

PD ka lajmëruar mosbindje civile, teksa pretendohet se mazhoranca ka burgosur liderët e opozitës, ose i ka marrë nën hetim dhe akuzë me drejtësinë e re që e përdor, duke përmendur rastet e Sali Berishës, Fredi Belerit dhe Ervin Salianjit, por edhe hetimet ndaj Ilir Metës dhe gjyqi i Fatmir Mediut.

Takimi me “Federatën e Opozitës” vjen pas dënimit me 1 vit burg të deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji nga Gjykata e Apelit të premten e 26 Shtatorit 2024 

PD ka deklaruar ndërprerjen e marrëdhënieve institucionale me mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama, ndërsa një ditë më parë në shenjë revolte deputetë të opozitës dogjën karriget jashtë në shkallët e Kuvendit e Shqipërisë. Po dje opozita bojkoti të gjitha komisionet parlamentare.

Më 7 tetor Partia Demokratike ka lajmëruar një protestë e cila pritet të nisë para godinës së Kryeministrisë, por është paralajmëruar se grupe protestuesish do të bllkojnë akset rrugore, kryqëzime.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?