Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar disa marrëveshje për të lehtësuar barrierat ekzistuese ndërmjet dy vendeve. Kryeministrat Rama dhe Haradinaj si dhe anëtarët e kabinetit qeveritar të të dy vendeve kanë nënshkruar publikisht 9 marrëveshje.
Disa nga marrëveshjet e rëndësishme të firmosura janë unifikimi doganor, heqja e tarifave roaming, njohja e ndërsjellë e patentave mes dy vendeve etj. Marrëveshjet e firmosura sot në Pejë pritet të lehtësojnë komunikimet mes biznesit dhe qytetarëve të të dy vendeve, duke shmangur ato barriera që ishin pengesë deri sot.
Këto janë marrëveshjet e nënshkruara:
1.Nënshkrimi i Marrëveshjes për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
2.Nënshkrimi i Protokollit për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, në mes të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë.
3.Nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunimin në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet Financiare Ndërkombëtare.
4.Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për pronësinë industriale të RKS dhe Drejtorisë së përgjithshme të pronësisë industriale të Republikës së Shqipërisë.
5.Nënshkrimi i Protokollit ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fito sanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
6.Nënshkrimi i Marrëveshjeve për bashkëpunim në fushën e Rinisë.
7.Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim, nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës.
8.Nënshkrimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve.
9.Nënshkrimi i Projekt “marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, ndërmjet ministrisë shëndetësisë dhe mbrojtës sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës.
Lajmi kryesor: