Gjykata e Apelit i dha vulën e Partisë Demokratike grupit të ish-kryeministrit Sali Berisha, dje (11 qershor). Për avokatin Besard Logu, vendimi i Apelit nuk pritej nga shumica.
Për emisionin “Përballje” në Report Tv, Logu zbardh prapaskenat e takimit të Bashës, pasditen e djeshme kur Basha mblodhi strukturat me dyer të mbyllura. Ai zbulon se janë shqyrtuan të gjitha variantet edhe ai i një bashkimi të mundshëm me Sali Berishën.
“Nuk pritej ky vendim dhe dha një impakt s’po them negativ, por në kufinjtë e shokimit, sepse nuk pritej. PD ka pasur një ndarje jo për vula dhe karrige, por ka pasur një ndarje parimore, një ndarje që ka në thelb të saj partneritetin SHBA dhe BE dhe mbështetjes ndaj punës së SPAK dhe ndaj modelit berishist ndaj drejtimit të partisë. U shqyrtuan të gjitha variantet që nga një bashkim i mundshëm dhe sa garanci jepet nga pala tjetër, duhet parë sepse ndërkohë që i japim prioritet partneritetin SHBA dhe BE kemi kreun e asaj partie që është në konflikt me ta. Por është çështja për sa kohë Berisha pretendon se jemi vend ku Rama ka kapur të gjitha pushtetet, një vendi të tillë shqetësimet dhe problemet reale të këtij sistemi duhet ti vijnë nga jashtë sepse forcat e brendshme nuk janë në gjendje ti shkaktojnë probleme këtij sistemi autokratik. Berisha me fraksionin e tij, me masë sigurimi dhe i izoluar sa është në gjendje që ti shkaktojë probleme nga jashtë Edi Ramës dhe këtij sistemi”, tha ai.
I pyetur se me çfarë vule do të hyjë grupi i Bashës në zgjedhje tani që vulën e mori Berisha, ai tha se nuk është me rëndësi flamuri i partisë, por alternativa që ofrohet për qytetarët.
“Ne do hyjmë me alternativ dhe atë program që prezantuam “Shqipëria meriton më shumë”. Po hymë me tund një flamur po kërkojmë shumë pak”, tha ai.
Për disa demokratë vendimi ishte I pritshëm por jo për disa të tjerë thotë analisti Endri Tafani sot në një intervistë për emisionin “Përballje” në Report Tv
Tashmë që Basha ngeli pa vulën e partisë, sipas tij ky i fundit duhet që të dal me një logo të re.
“Për një pjesë të mirë pritej, ndërsa për një pjesë tjetër ishte i papritur si vendim. U krijua ideja se kryetari ishte Lulzim Basha. Por ky vendim është diçka pozitive, sepse sqaron shumë gjëra në aspektin politik. Dihet që PD ka qenë dhe është parti e Berishës dhe demokratët e kanë lider atë. Tashmë i jepet mundësia atyre që donin të drejtonin PD dhe nuk ishin shumicë, mund të ishin 1 e 3 dhe u jepet mundësia që të tregojnë vizionin në një parti të re. Nëse Basha do ta vijoj projektin e tij politik, duhet ta bëjë këtë me një logo të re”, tha ai.
Tafani ka komentoi dhe presionet e Berishës dhe grupit të Rithemelimit ndaj sistemit gjyqësor
“Kjo loja me presionin që bëhet ndaj gjykatave është e vjetër dhe PD-ja këtë lojë e ka nisur që në vitet ’90 kur futi gjyqtarët e vet. Pra bëhet presion për të marr diçka me të drejtë ose pa të drejtë, dhe drejtohet ndaj çdo lloj institucioni dhe ndaj drejtësisë. Mbaj mend akuzat për Ina Ramën për 21 janarin 2011, ka pasur akuza të rënda ndaj saj. Duke ditur këtë mentalitet, ajo që të lë një shije të keqe është kjo mënyra që drejtësia bëhet e mirë kur të jep ty të drejtë ose nuk përmendet fare. Pse nuk thua që drejtësia funksionon kur të jep të drejtë ty”, tha ai.