Nga data 1 korrik hyn në fuqi vendimi: Pagat e ushtarakëve rriten me 30%

22 Qershor 2022, 12:49| Përditesimi: 22 Qershor 2022, 17:58

  • Share

Për herë të parë pas 30 viteve, pagat e ushtarakëve do të rriten me 30% nga data 1 korrik për të gjitha kategoritë. Ky është vendimi që është marrë sot në këshillin e ministrave dhe hyn në fuqi që nga fillimi i muajit të ardhshëm. Lajmin e bëri me dije ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi i cili tha se tashmë paga minimale në Forcat e Armatosura do të jetë 51 mijë lekë të reja, ndërsa tha se janë 38 pozicione që do të marrin shtesë veç 30% të rritjes së pagës.

‘Kemi marrë një vendim që nuk merret shpesh. Në 30 vite nuk ka pasur një vendim si ky që lidhet me trajtimin me pagë të personelit ushtarak. Rritje historike e pagës, jam krenar dhe mirënjohës që premtimi i kryeministrit është jetësuar. Të gjithë ushtarakët nga data 1 korrik do kenë pagë 30% më të lartë. Ç’ka do të thotë se, paga minimale në FA është më shumë se 51 mijë lekë të reja, shtuar këtu dhe paga shtesë të trajtimit ushqimor dhe trajtime të tjera sipas vështirësive. Kemi krijuar dhe një aneks, ku kjo kategori, merr shtesë mbi pagën shtesë. Si struktura ushtarake e mbrojtjes kibernetike, veç 30% do marr dhe 20 mijë lekë të reja shtesë. Shtesa kemi parashikuar edhe për funksione të tjera, të trupave komando. Trupave speciale, të mjekëve brenda FA, pra janë 38 pozicione që marrin shtesë mbi shtesë', tha Peleshi.

Premtimin për rritjen e pagave të ushtarakëve, e pati bërë pak kohë më parë kryeministri Edi Rama në prezantimin e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2022, ndërsa shtoi se sërish vitin e ardhshëm do të jetë rritje pagash. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria do ketë paga më të larta për këtë sektor dhe nuk do të qëndrojë në fund të listës së vendeve të NATO-s.

Vendimi

Ora 13:38
Agresioni rus, Shqipëria do të dërgojë trupa në Bullgari në përforcimin e krahut lindor të Europës

Shqipëria do të dërgojë trupa në Bullgari dhe krahun lindor që po përforcohet për shkak të agresionit rus. Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, pas mbledhjes së qeverisë.

‘Ne jemi aktiv sot jo vetëm në Shqipëri por dhe në misione dhe operacione ndërkombëtare. Së shpejti do të jemi edhe në Bullgari në krahun lindor që po përforcohet për shkak të agresionit rus. Do të kemi javën tjetër samitin e liderave të NATO-s  ku do të merren vendime të rëndësishme sidomos me konceptin e ri strategjik NATO 2030. Zhvillime të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes të cilave ne po ju shkojmë pas me modernizim, rritje të kapaciteteve dhe me trajtim dinjitoz të ushtarakëve tanë’- tha Peleshi.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?