Nga ish-kreu i bandës së Durrësit tek Eldi Dizdari, bosët e krimit që dyshohet se fshihen në Dubai! Prençi: Prej atje dirigjojnë aktivitetin kriminal

12 Shkurt, 19:08| Përditesimi: 13 Shkurt, 11:37

  • Share

Pas arrestimit të ish-anëtarit të bandës së Durrësit Julian Meçaj në Dubai, ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi 3 ditë më parë se po bëhen përpjekje për arritjen e një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkura.

Teksa komentoi mundësinë që miti i Dubait të thyhet me firmosjen e një marrëveshje të tillë, gazetari i Report Tv Sokol Dema i ftuar në “Studio Live” përmendi disa prej shqiptarëve më të kërkuar si krerë të grupeve kriminale.  

Dema tha se ka informacione se në Dubai fshihen rreth 25 shqiptarë krerë të grupeve kriminale, por mes tyre përmendi, Plarent Dervishajn, i dyshuar si ish-kreu i bandës së Durrësit, Eldi Dizdarin i cili kërkohet edhe nga disa vende të BE si një prej bosëve të trafikut të kokainës si dhe Florenc Çapjan i cili u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e babë e bir në vitin 2012 në Elbasan.

“Disa prej emrave qëe dyshohet se fshihen atje, i shumëkërkuari Plarent Dervishaj mik i Julian Mecajt që u arrestua para disa ditësh. Dyshohet si koka kryesore e bandës së Durrësit. Kërkohet për të njëjtin atentat ndaj prokurorit Ndoja. Ka informacione se fshihet atje, Eldi Dizdari, bashkëpunëtor i njohur i Dritan Rexhepit që u arrestua së fundmi në Turqi. Një tjetër që vijon të jetë në kërkim por i dënuar për një vrasje të ndodhur në 2012-ën për vrasjen e babë e bir në Elbasan Florenc Capja”- tha gazetari i Report Tv.

Gazetari përmendi vetëm një rast të ekstradimit nga Dubai, të shqiptarit Franc Çopja ndaj të cilit kishte urdhër-arresti ndërkombëtar për ‘vrasje me paramendim’ në Belgjikë. Ai tha se edhe Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë për arritjen e një marrëveshje ekstradimi.

“Kjo besoj se është taktika që do ndjekë Shqipëria për të bërë të mundur ekstradimin e Julian Mecajt. Kam përshtypjen që vizitat e Ballës në Emiratet e Bashkuara kanë qëllim arritjen e një marrëveshje të tillë. Nuk di ta them me saktësi nëse një marrëveshje e tillë mund të firmoset por tentativa për të ekstraduar të paktën një person nga Dubai do të kishte një thyerje të mitit të Dubait që kriminelët shqiptarë mos ta shohim si parajsë”- u shpreh Dema mes të tjerash.

Ndërsa ish-drejtori Emergjencave Civile, Shemsi Prençi tha se bosët shqiptarë të krimit dirigjojnë veprimtarinë kriminale që nga Dubai të cilin e shohin si vendi ku mund të blejnë lirinë për shkak se nuk mund të ekstradohen drejt vendeve ku janë të shpallur në kërkim. 

“Ata që nga atje dirigjojnë vepritmarinë kriminale dhe fushën e veprimtarisë kriminale në vende të ndryshme. Për shkak të dirigjimit që bëjnë, kemi disa operacione në vende të ndryshme ku kapen vetëm shpërndarës. Drejtuesit atje në Dubai janë shumë të rreptë në raport me mbajtjen e nivelit të dytë apo të tretë drejtues, atyre u kapen vetëm spaçatorët”- tha Prençi.

Ndërsa teksa foli për ngjarjet kriminale në vend, Prençi i cili ka mbajtur më herët edhe postin e drejtorit të policisë, tha se 'zona më e nxehtë' e krimit është Lezha duke e argumentuar këtë me faktin se disap rej eksponentëve më të lartë të krimit, si Gëzim Çela apo Ervis Martinaj, e kanë origjinën e aktivitetit të tyre në këtë qark. 

Ndërsa gazetari, Sokol Dema, duke dhënë detaje lidhur me vrasjet në vend, tha se ka pasur një ulje gjatë vitit 2023 krahasuar me vitin 2022 i cili po ashtu ishte një vit ku numri i vrasjeve pësoi një rënie të konsiderueshme. 

Ora 19:45
‘Lezha zona ‘bombë’ e krimit’, ish-drejtuesi i policisë: Origjina dhe vendbanimi i disa prej eksponentëve më të lartë kriminalë

Ish-drejtori Emergjencave Civile, Shemsi Prençi i ftuar në Studio Live me gazetarin Arbër Hitaj teksa foli për gjendjen e kriminalitetit në vend, e cilësoi qarkun e Lezhës si ‘bombën e krimit’.

Prençi iu referua atentatit më të fundit me armë zjarri në Lezhë ku mbeti i vrarë ekonomisti Selman Mihana dhe u plagos pronari i firmës së inerteve, Ardjan Gjeloshi. Duke komentuar ngjarjen, Prençi përmendi faktin se nga kjo zonë kanë origjinën edhe eksponentë të tjerë të krimit si Gëzim Çela, Ervis Martinaj dhe mbetet një ndër zonat më problematike.

“Në atë zonë kanë origjinën dhe vendbanimin disa eksponentë të botës së krimit. Është zonë ‘bombë’. Këtë vetëm nuk e di policia e shtetit. Atje origjina dhe vendbanimi i Gëzim Çelës, vendstrehimi i aktiviteteve të Vis Martinajt me shokë. Policia e shtetit dhe ministri Balla dhe të tjerët a kanë patur ndonjëherë një strategji apo plan për krehjen e zonës. Në atë zonë falsifikohen mjetet e transportit detar nga më modernët”- nënvizoi ish-drejtuesi i policisë. 

Ora 19:34
‘Janë rreth 35 krerë grupesh kriminale’, Prençi: Kokat e krimit shqiptar fshihen në Dubai! E shohin si vendin e artë ku blejnë lirinë

Ish-drejtori Emergjencave Civile, Shemsi Prençi i ftuar në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv foli për aktivitetin e disa prej krerëve të grupeve kriminale shqiptare që strehohen në Dubai.

Ai tha se duke qenë që Dubai nuk ka marrëveshje ekstradimi me asnjë shtet, kriminelët shqiptarë por jo vetëm, e shohin atë si vendin ku mund të blejnë lirinë. Mes të tjerash Prençi deklaroi se ka pasur edhe gazetarë që kanë udhëtuar në Dubai duke nënkuptuar se mund të kenë marrë pagesa nga krerë të grupeve kriminale.

“Të gjithë janë në aktivitet. Janë rreth 35 krerë të grupeve të strukturuara kriminalë.  Grupe të strukturuara në Shqipërië dhe gjithkund vendin e artë ku blejnë lirinë kanë parë Dubain. Në cdo rast ku kapet një grup i strukturuar, kokat janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe mendohet se janë strehuar në Dubai. Po t’i referohesh edhe analizave të bëra, të gjithë thonë se janë në Dubai. Policia dhe prokuroria e dinë shumë mirë këtë gjë.  Ka pasur edhe gazetarë që kanë shkuar më të lehtë dhe janë kthyer më të rëndë në peshë. Kam të dhëna që SPAK-u për disa prej tyre ka koordinata të sakta dhe mendoj se do jetë i gatshëm për t’i dhënë emra policisë së shtetit për të pasur të gatshme marrëveshjen”- u shpreh Prençi.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Loni: 12/02/2024 21:33

    Po pse ore zoti premci krere bageti jan ato qe i perçmon... na mbushe mendjen me keto teori degjoni tan hoxhen e ndonje qe flet e beni roman... aman ku jan organizimi ketyre. Te ishin te organizuar nuk do kapeshin e nuk do ja degjoje emrin ore ciceroni 2024 per grupet kriminale ne skiperi...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?