Pas bazës ajrore të Rusisë në Siberi, ku shkaktoi një dëm të vlerësuar rreth 7 miliardë dollarë, Ukrainë sulmoi këtë të martë edhe Urën e Krimesë, e cila është e pushtuar nga Moska prej vitit 2014.
Për të përshkruar efektin që kanë dhënë këto sulme në popullatën ukrainase dhe teatrin në përgjithësi, reporteri i luftës Vudi Xhymshiti, i cili ndodhet në Kiev për llogari të një media britanike, ishte i ftuar në “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv.
(Vudi Xhymshiti është një reporter lufte, i njohur kryesisht për raportimin e tij të guximshëm mbi konfliktet e armatosura. Me një përvojë mbi 18 vjet në gazetari, ai ka raportuar nga disa nga rajonet më të paqëndrueshme të botës, duke përfshirë Pranverën Arabe, Luftën Civile në Siri, agresionin rus në Ukrainë, konfliktin Armeno-Azerbajxhanas dhe tensionet e vazhdueshme në Ballkan.)
Reporteri shqiptaro-britanik rrëfeu për Report Tv se deri më tani nuk ka pasur një kundërpërgjigje ushtarake nga Moska pas sulmeve të forta ukrainase, por sidoqoftë autoritetet në Kiev u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet e panevojshme nga objektet ku strehohen.
“Aktualisht gjendja është e qetë, kemi pasur disa alarme të sulmeve, mirëpo sulmet janë duke ndodhur përgjatë vijave të para të frontit, në rajonin e Kharkivit dhe Sumy, ku forcat ruse i kanë dërguar 50 mijë trupa dhe po përgatiten për një ofensivë verore, të cilën ne po përgatitemi ta mbulojmë. Megjithatë kemi rekomandime strikte nga autoritet e sigurisë në Kiev që të mos dukemi rrugëve dhe të përpiqemi të jemi përgjatë bazave tona ku të paktën shpresojmë të jemi më të sigurt në rast të ndonjë situate ku mund të ketë breshëri bombardimesh në drejtim të kryeqytetit Kiev”,- tha Xhymshiti.
Xhymshiti theksoi se 2 sulmet e fundit ndaj objektivave strategjike të Rusisë kanë ngjallur entuziazëm tek banorët e Ukrainës, të cilët shpresojnë që Moska të frenohet nga goditje të tilla.
“Kur erdha në ditët e para në Ukrainë, e kisha një lloj përshtypjë sikur njerëzit ishin të dëshpëruar që me të drejtë ishin të dëshpëruar, për shkak se janë më shumë se 3 vite luftë dhe nuk ka ndonjë përparim ose zhvillim të mëtejshëm, paqe, përfundim i luftës apo përparim i fitores, ndërkohë që duket se sulmet e organizuara të Ukrainës në Rusi, siç është ajo e bazave ajrore ose e urës së Krimesë, sot kanë nxitur një lloj entuziazmi të popullatës së përgjithshme. Njerëzit duke që janë më të hareshëm dhe duket që e kanë një ndjesi të shpresës që mbase këto zhvillime do mund ta detyrojnë Rusinë që të mendojë ndryshe në raport me këtë luftë. Tani këto janë shpresat, këto janë dëshirat e njerëzve këtu, mirëpo nga takimi i djeshëm që kanë pasur në Stamboll, Moskë-Kiev, duket që nuk ka përparime, duket që Rusia zyrtare është e interesuar të vazhdojë kjo luftë. Ata nuk janë të interesuar së paku në sajë të kritereve ose kushteve që ata i paraqesin për ta nënshkruar të paktën një marrëveshje armëpushimi. Parakushtet që ata paraqesin janë të papranueshme për Ukrainën zyrtare edhe rrjedhimisht duket se lufta do të vazhdojë”,- tha Xhymshiti.
Reporteri shqiptaro-britanik, që aktualisht ndodhet në Kiev, tha se pavarësisht pretendimeve të Moskës se Perëndimi ka suportuar ushtrinë ukrainase për të kryer sulme të atij kalibri, ende asgjë nuk është e faktuar. Gjithashtu, Xhymshiti nënvizoi se forcat ukrainase janë mobilizuar maksimalisht për të përballuar reagimin e ushtrisë ruse.
“Ka pretendime të anës ruse se ka përfshirje të shtetve të tjera, të përfshira në këtë orkestrim, mirëpo ajo nuk është e konfirmuar edhe nuk ka evidencë, nuk ka dëshmi për këto pretendime. Ndërkohë që Moska zyrtare është duke ju përmbajtur deklaratave publike, ata I kanë lëshuar satelitët e tij, llogari të ndryshme të rrjeshme në X, në Facebook dhe po përpiqen të krijojnë lloj lloj alarmesh të çuditshme të cilat nuk politikë zyrtare e Moskës. Tani se sa kjo është e befasishme, nuk e di nëse mund ta quajmë befasi nga një shtet që ju e keni sulmuar vetë, në këtë rast Rusia. Normalisht që Ukraina në këtë rast ka të drejtë të plotë të ndërmarrë operacione të tilla t’i tregojë armikut që nuk do ta ketë të lehtë’,- tha reporti shqiptaro-britanik.
“Autoritetet e Ukrainës janë duke u përgatitur dhe janë të përgatitura për mundësinë e një kundërofensive të ashpër, Ajo çfarë dihet deri tani është se 50 mijë trupa të divizionit të kombësorisë të forcave ruse, janë rreshtuar përgjatë kufirit në rajonin e Sumyt, ku ata po përpiqen të rimarrin rajonin e Kurskit, që e ka marrë Ukrainë tanimë. Deri tani kryetarë të komunave të ndryshme të rajonit Sumy kanë urdhëruar evakuimin e qytetarëve ukrainas nga fshatrat përreth, ku vija e parë e frontit, pritet të jetë në ditët në vazhdim”,- shtoi ai.
Sa i përket kontributit të Perëndimit për zgjidhjen e konfliktit, Xhymshiti e cilësoi aspak serioze, duke siguruar vetëm mbijetesën e Ukrainës.
“Në përshtypjet e mia unë nuk shoh ndonjë qajse serioze nga Perëndimi për ta ndihmuar Ukrainën për të dalë nga kjo luftë. Tani ata po japin armatim, po e furnizojnë me gjëra të nevojshme, por po i japin mjaftueshëm sa për të jetuar, jo për ta fituar luftën”,- tha nga Kievi, reporter shqiptaro-britanik.
Nga Kievi, reporteri shqiptaro-britanik Vudi Xhymshiti tha për Report Tv se presioni i shkaktuar nga propaganda ruse për një përdorim të mundshëm të armëve bërthamore është blof, pasi sipas gazetarit, Moska është e vetëdijshme se në një skenar të tillë do të përballej me përgjigjen e furishme nga Perëndimi.
“Sipas standarteve ndërkombëtare të përdorimit të armëve kimike, nëse Rusia i përdor armët nukleare në Ukrainë, do të ishte e pritshme që Perëndimi t’i përdorte kundër Rusisë në kundërpërgjigje sepse po përdor armë nukleare kundër një aleati të Perëndimit, të cilin Perëndimi po e mbështet për t’i rezistuar pushtimit nga ana e Rusisë. Unë besoj që ata duhet t’i kalkulojnë këto pasoja që mund të vijnë. Ndërkohë që llogari të rrejshme satellite që janë të paguara nga Kremlimi kanë filluar të japin propagandë gjithandej në rrjetet sociale, duke thënë se armë nukleare strategjike kanë filluar të vihen në gatishmëri”,- tha Xhymshiti.
Reporteri i luftës, shqiptaro-britaniku Vudi Xhymshiti solli nëpërmjet Report Tv copëza nga realiteti në Kiev, ku e vendosur dhe zbatuar në mënyrë strikte është edhe ora policore, e cila hyn në fuqi pas orës 12:00 të natës, me qëllim sigurinë e qytetarëve ukrainas.
“Në Kiev është orari i orës policore, ku askush nuk mund të lëvizë pa autorizimin përkatës, rreth orës 12 të natës. Deri më tani ajo nuk ka ndryshuar, ndërkohë që secili ekip editorial që po mbulon anën e informacionit për të raportuar në botën perëndimore nga këtu, i kanë rregullat e tyre të sigurisë. Disa prej ekipeve të ndryshme vendosin mos të dalin më pas orës 19:00, mirëpo në momentin kur nata bie secili është në shtëpitë dhe bodrumet ku shoresojmë të jemi të sigurt në rast se do të ketë një kundërofensivë ajrore të Rusisë”,- than ga Kievi reporteri shqiptaro-britanik.
Komente

Rusia nuk mundet ti perdore armet berthamore pse i vjen fundi i ekzistences se federates Ruse,pra deshira e perendimit eshte qe te coptohet federata dhe keshtu te ndajne pasurit e Rusis sebashku dhe keshtu e futen Ukrainen ne lufte me Rusine dhe refuzuan mareveshtjet e Minskut ,Ukraina e din se Krimea i takon historikisht Rusis por perendimi nuk e lejon dhe keshtu Ukraina beri gabimin qe mori anen e perendimit ne vend qe te shpallte Ukrainen nji shtet federativ ose tu jepte dy rajoneve autonomi dhe keshtu nuk kishte nevoj per gjakderdhje dhe nji humbasje Katastrofike /
Përgjigju