Elon Musk dhe Donald Trump

Bota

Nga lindja e dashurisë te ndarja përfundimtare midis Trump dhe Musk

6 Qershor, 10:39| Përditesimi: 6 Qershor, 10:45

  • Share

"I kërkova të largohej dhe ai u çmend. Mënyra më e mirë për të kursyer në buxhet është t’i jepet fund subvencioneve dhe kontratave qeveritare për Elonin.” – “Mosmirënjohës, i fitoi zgjedhjet prej meje. Emri i Trump ndodhet në dosjet Epstein.”

Nëse deri më tani kishin dalë disa shenja të tendosjes së marrëdhënieve mes Trump dhe Musk, përplasja tani ka shpërthyer hapur, duke shënuar përfundimisht një ndarje të bujshme dhe pa kthim mes presidentit amerikan dhe atij që deri vonë konsiderohej “first buddy”.

Fillimi i aleancës

Edhe pse në vitin e fundit Trump dhe Musk u panë si aleatë, marrëdhënia mes tyre nuk ka qenë gjithmonë e tillë. Shenjat e para të afrimit vijnë menjëherë pas atentatit ndaj Trump gjatë një mitingu në Pensilvani në korrik të kaluar. Pikërisht atëherë, Musk  që më herët e kishte kritikuar shpesh Trump-in dhe mbështetur publikisht Ron DeSantis  ndryshon qëndrim dhe poston në X: “Mbështes plotësisht Presidentin Trump dhe i uroj shërim të shpejtë”. Nga fjalët kalon në vepra: krijon një komitet politik veprimi në mbështetje të fushatës së Trump-it. Nga ai moment, Musk kthehet në figurë kyçe rreth Trump-it, jo vetëm për kontributin financiar (me të paktën 270 milionë dollarë të investuar në fushatë), por edhe si këshilltar politik dhe mbështetës i zjarrtë në publik, i pranishëm në shumë mitingje pranë presidentit.

Roli i Musk në administratën Trump
 

Pas rizgjedhjes së Trump, ngritja e Musk është thuajse e pandalshme. Ai merr pjesë në betimin presidencial, udhëton me Air Force One, fle në dhomën historike “Lincoln Bedroom” në Shtëpinë e Bardhë dhe merr pjesë në mbledhjet e kabinetit qeveritar. Për të, Trump krijon rolin “special government employee”, duke i besuar drejtimin e “Department of Government Efficiency” (DOGE), me mision për të “përmirësuar efikasitetin qeveritar”. Për katër muaj, Musk qëndron në qendër të vëmendjes nga përshëndetja naziste me sharrën elektrike të Javier Milei-t, te Shtëpia e Bardhë e kthyer në sallon luksoz për të shitur Tesla, e deri te përplasja me Trump për ligjin e tij të buxhetit, të njohur si “Big, Beautiful Bill”.

Kriza në marrëdhënie

Në fund të majit, Musk dorëhiqet nga roli i tij në administratën Trump. Edhe pse ndarja zyrtare u mbulua me fraza të buta (“Elon është fantastik! Do të jetë gjithmonë me ne”, deklaroi Trump), tensionet ishin të dukshme. Musk kishte shprehur më parë kritika ndaj politikës së tarifave të Trump, duke e cilësuar si kërcënim për recesion ekonomik. Tarifat goditën dhe Tesla-n, e cila pavarësisht se prodhon shumicën e automjeteve në SHBA, varet nga komponentët kinezë. Një tjetër përplasje vjen pas marrëveshjes së madhe të Musk në Abu Dhabi me OpenAI-n e Sam Altman, ish-partneri dhe tani armiku i tij i betuar. “Wall Street Journal” raportoi se Musk, sapo mësoi se Altman do të bashkohej me Trump-in në udhëtimin drejt Emirateve, vendosi të bashkohej edhe ai. Dyshja themeluan OpenAI në 2015, por rrugët u ndanë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi drejtimin e fondacionit. Më pas, Musk ka paditur OpenAI dhe planin e saj të riorganizimit. Përkeqësimi i marrëdhënies thellohet edhe më tej me shkarkimin e Jared Isaacman si kreu i NASA-s – kandidat i sponsorizuar nga vetë Musk dhe mik i tij. Ky ndryshim shihet nga shumëkush si një hakmarrje personale e Trump për kritikat e Musk.

Shpërthimi përfundimtar: “Big Beautiful Bill”

Pika kulmore arrin me përplasjen për ligjin e buxhetit. Për Musk, “Big Beautiful Bill” i Trump-it rrezikon të rrisë deficitin federal dhe është një “abominacion i neveritshëm”. Ai ankohet se nuk është informuar kurrë për draftin e ligjit dhe se ky është miratuar “në mes të natës”.

Reagimi i Trump nuk vonon. Nga Zyra Ovale, ai deklaron se është “shumë i zhgënjyer nga Musk” dhe thekson se e ka ndihmuar shumë. Musk shpërthen në X me një sërë reagimesh të menjëhershme dhe ironike, duke e kthyer edhe takimin e Trump me kancelarin gjerman Friedrich Merz, të përqendruar mbi luftën në Ukrainë, në arenë për përplasjen e tyre personale. Trump kërcënon se do të dëmtojë bizneset e Musk. Ky i fundit nuk qëndron prapa: e akuzon Trump-in se emri i tij ndodhet në “dosjet Epstein” dhe se kjo është arsyeja pse nuk janë bërë publike, duke përfunduar me "mbështetje sociale" për një përdorues që hipotetizon shkarkimin e presidentit të SHBA-së./TGCOM24

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?