‘Nga nesër reshje bore edhe në lartësitë 300 metra’, specialistja e IGJEUM: Ja cila do jetë dita më e ftohtë e muajit, me temperatura minus 10 gradë

19 Janar, 12:26| Përditesimi: 19 Janar, 15:24

  • Share

Të nesërmen (20 janar), zonat veriore, juglindore dhe jugore të vendit pritet të përfshihen nga reshjet e dëborës. Kështu u shpreh specialistja e IGJEUM, Anira Gjoni në një lidhje skype për “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv.

Gjoni tha se gjatë ditës së nesërme do të ketë reshje shiu me intensitet të lartë dhe gjithashtu theksoi se reshjet e dëborës do të bien deri në lartësitë 300 metra mbi nivelin e detit.

"Sot pasdite presim të kemi rënie të intensitetit të shirave ndërsa nesër presim të ketë sërish reshje shiu me intensitet të lartë. Presim të ketë reshje në Elbasan, si dhe veri të vendit. Problematikë do mbeten reshjet e dëborës në veri, juglindje dhe jug ku do zbresin deri në 300 metra në nivelin e detit"- u shpreh Anira Gjoni. 

Specialistja u shpreh se duke nisur nga e diela (22 janar), do të ketë rënie të temperaturave duke kulmuar me ditën e hënë kur pritet të jetë dita më e ftohtë e muajit janar me temperatura -10 gradë.

“Në zonat malore presim që këto temperatura të zbresin deri në -10 gradë. Të hënën në datë 22 do jetë dita më e ftohtë e janarit. Rënia do të fillojë që të dielën në datën 21”- shtoi specialistja.

Reshjet e shiut dhe dëborës do të ndërpriten nga dita e hënë e në vijim për t’u lënë vendin ngricave gjatë gjithë javës. Ndërsa në fundjavën tjetër, pritet të ketë një valë të ngrohtë që do të përfshihë vendin duke sjellë rritje të temperaturave.

Ora 15:20
Reshje shiu e dëbore në fundjavë, Agjencia e Mbrojtjes Civile publikon hartën me zonat që preken

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot referuar parashikimit nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencës se nesër, e shtunë 20 janar, parashikohen reshje shiu të herëpashershme në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa ka publikuar dhe hartën me zonat që preken.

Përgjatë Ultësirës perëndimore dhe në zonat urbane reshjet do të jenë në formën e shtrëngatave dhe stuhive me shkarkesa elektrike. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemit të kanalizimeve në të gjitha qarqet.

"Sasia e reshjeve pritet të jetë me intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Elbasanit. Në qarqet e tjera të vendit priten reshje intensive dhe mesatare deri lokalisht intensive. Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore", njofton mbrojtja civile.

Reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar priten në qarqet e tjera, ndërsa në datën 21 janar parashikohet ndërprerja e reshjeve te shiut dhe do të ketë reshje dëbore me intensitet të ulët në Alpe dhe në relievet malorë në veri-verilindje dhe juglindje, ku priten ngrica të forta përgjatë akseve rrugore kryesisht në zonat malore.

“Ju kujtojmë se siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale”, thekson Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?