Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot referuar parashikimit nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencës se nesër, e shtunë 20 janar, parashikohen reshje shiu të herëpashershme në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa ka publikuar dhe hartën me zonat që preken.
Përgjatë Ultësirës perëndimore dhe në zonat urbane reshjet do të jenë në formën e shtrëngatave dhe stuhive me shkarkesa elektrike. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemit të kanalizimeve në të gjitha qarqet.
"Sasia e reshjeve pritet të jetë me intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Elbasanit. Në qarqet e tjera të vendit priten reshje intensive dhe mesatare deri lokalisht intensive. Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore", njofton mbrojtja civile.
Reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar priten në qarqet e tjera, ndërsa në datën 21 janar parashikohet ndërprerja e reshjeve te shiut dhe do të ketë reshje dëbore me intensitet të ulët në Alpe dhe në relievet malorë në veri-verilindje dhe juglindje, ku priten ngrica të forta përgjatë akseve rrugore kryesisht në zonat malore.
“Ju kujtojmë se siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale”, thekson Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Lajmi kryesor:
‘Nga nesër reshje bore edhe në lartësitë 300 metra’, specialistja e IGJEUM: Ja cila do jetë dita më e ftohtë e muajit, me temperatura minus 10 gradë
B.K/ReportTv.al