Nga ngërçi tek Hetimi Tatimor te shpërthimi i evazionit fiskal/ Zbulohen arsyet e shkarkimit të drejtorit të Tatimeve

11 Korrik 2019, 07:29| Përditesimi: 11 Korrik 2019, 11:12

  • Share

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u shkarkua drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro. Ai u largua nga detyra, vetëm tre muaj pasi kishte marrë këtë post, duke zëvendësuar Vasilika Vjeron. Të pyetur nga Shqiptarja.com, burime nga ministria e Financave dhe Ekonomisë pranuan se ai ka marrë “notë negative” në performancën e administratës që drejtoi për këto tre muaj, duke qenë se nuk arriti të vendosë në pozita pune drejtoritë rajonale dhe departamentin e rëndësishëm të Hetimit Tatimor. Sidomos ky i fundit rezulton të ketë një ngërç të vërtetë në punën e tij, që e kanë kuptuar edhe bizneset, duke sjellë pakësimin e ndjeshëm në nxjerrjen e kuponave tatimorë, deklarimin e xhiros, etj.

Rrethanat
Ekonomia aktualisht ndodhet në kushtet kur disa nga investimet e mëdha të huaja po ngadalësojnë ritmet e punës, duke qenë se po i afrohen përfundimit të objekteve madhore, siç është rasti i gazsjellësit apo hidrocentraleve mbi Devoll. Fakti që, sikurse referon Instat, rritja ekonomike në tremujorin e parë të këtij viti shkon në 2.1 për qind, nga 4 për qind që ishte vitin e kaluar, flet qartë për këtë.

Një paralajmërim në këtë drejtim, me këshillën që administrata fiskale duhet të gjejë sa më shpejt rrugë alternative për të rritur të ardhurat nga taksat, kanë bërë vazhdimisht kohët e fundit Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Njëkohësisht, edhe strategjia qeveritare e mbylljes së lojrave të fatit, që ishte një “minierë” e vërtetë të ardhurash, sërish nuk është pasuar me gjetjen e burimeve alternative të prurjeve të taksave nga tregu. Po kështu, një pjesë e të ardhurave nga TVSH në eksport apo renta minerare janë zbehur si pasojë e një uljeje të pandalshme të vlerës së euros ndaj lekut në tregun e këmbimit valutor.

Evazioni
Këshillat e ndërkombëtarëve, por edhe përvoja e vendeve të tjera, janë shumë të qarta në nevojën për të rritur bazën e taksueshme, jo duke rritur barrën e taksave, por duke shmangur evazionin, që në vendin tonë llogaritet mbi 30 për qind. Por duket se rutina, korrupsioni dhe paaftësia minojnë vazhdimisht punën e Tatimeve, çka nuk ka qenë në gjendje të rregullojë drejtori që tashmë le postin. Vetëm dy muaj më parë, është zëvendësuar edhe drejtori i këtij departamenti të rëndësishëm të Tatimeve. Por ardhja e Martin Micit në krye të tij duket se nuk ka zgjidhur situatën, ndoshta edhe për faktin se ai vjen nga sektori privat bankar dhe jo nga administrata tatimore apo doganore shtetërore.

Buxheti
Si pesëmujor, janë mbledhur në total 188.3 miliardë lekë të ardhura të të gjitha llojeve. Shifra është më e lartë se ajo e një viti më parë, kur të ardhurat shënuan si 5-mujor 176.7 miliardë lekë. Por, ajo që vijon të bëjë përshtypje, është se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar vijon të jetë nën planifikimin. Janë 4.3 miliardë lekë që janë grumbulluar më pak nëpërmjet TVSH-së, nga sa ishte planifikuar. Po ky është totali. Vetëm Tatimet rezulton se kanë krijuar një gropë të vërtetë në arkëtimet e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Diferenca me planin e administratës tatimore në këtë zë është minus 17.9 për qind, por shifra është shumë e ulët edhe po të krahasohet me një vit më parë.

Në periudhën janar-maj 2018, Tatimet kanë grumbulluar 14.4 miliardë lekë nga TVSH-ja, ndërsa një vit më pas, në të njejtën periudhë kohore, rezultati zhgënjen: 12.7 miliardë. Ky është një rezultat 11.6 për qind më i ulët se një vit më parë. TVSH-ja është një nga burimet e rëndësishme të të hyrave në arkën e shtetit, por po ashtu ajo është edhe një tregues i shëndetit të ekonomisë. Një rënie e tillë duhet të jetë shumë shqetësuese për qeverinë. Me sa duket, vendosja e TVSH-së për bizneset e vegjël, ashtu sikurse parashikuan edhe ekspertët ndërkombëtarë, nuk ishte një masë që rregulloi situatën në këtë drejtim, duke qenë se këto biznese vërtet janë shumë, por arkëtimet e tyre në këtë drejtim janë të papërfillshme.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?