Për të tretën herë në vetëm në një muaj, opinioni publik tronditet nga ngjarjet e rënda si pasojë e mjeteve lundruese në plazhe, manovrat e të cilave sjellin viktimën e parë. Pak javë më parë, një çift pushuesish u godit në Jalë, ndërsa njëri prej tyre luftoi për jetën për ditë të tëra tek Spitali i Traumës. Rasti i dytë ishte në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar goditi një fëmijë 7 vjeç, por pa pasoja të rënda. Ngjarja më e rëndë u regjistrua këtë të martë në Himarë. Arjan Tase është polici që goditi me gomone për vdekje 7-vjeçaren Joanda Avdia, e cila po lahej në det.
Por, kush është Komisari që tashmë është arrestuar për ngjarjen e rëndë?
Arjan Tase aktualisht ishte me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Kominitet në Drejtorinë Vendore të Policisë së Elbasanit, ndërsa më herët mbante detyrën e shefit të komisariatit të Himarës. Me urdhër të kryepolicit Gledis Nano, Tase është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit, menjëherë pas arrestimit në Himarë. Emri i tij është lakuar edhe më herët në media, në periudhën kur mbante postin e shefit të komisariatit të Himarës. Në vitin 2020 ai është arrestuar si pjesë e një operacioni të gjerë të trafikimit të narkotikëve, bashkë me kolegë të tjerë policë, kultivues kanabisi dhe trafikantë droge, në një total prej 41 personash. Në atë kohë, Tase u la në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe pezullim nga detyra. Më vonë, Komisari mundi të marrë pafajësi në Gjykatën e Apelit të Vlorës dhe u rikthye në detyrë në Policinë e Shtetit, për t’u përjashtuar pas ngjarjes së rëndë në plazh.
Lajmi kryesor:
Gomonia godet për vdekje fëmijën në plazhin e Potamit në Himarë! Shoqërohet drejtuesi, ish-shef policie! Zbardhet dëshmia e autorit: Skafi mori gaz (VIDEO)
SI.E.//ReportTv.al