Me pistoletë silenciator, me fishek në fole, gati për qitje, një sasi municioni lufatrak, doreza dhe kapuç në çantën e shpinës, lëvizte i lirë 35 vjeçari nga Shkodra në momentin kur është arrestuar në lagjen “Uji i Ftohtë”
Policia e Vlorës informon se arrestimi i Amarildo Nikolli (Xhanej) u bë në flagrancë ndërsa policia kisthe pasur informacion nga inteligjenca policore për njeriun që lëvizte i armatosur.
“Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi, dhe në çantën e tij të shpinës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje, një sasi municioni lufatrak, doreza dhe kapuç” informoi sot policia.
Operacioni u kodua “Silenciatori”
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti dhe të qëllimit të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.