Situata penale e Sali Berishës rëndohet nga dita në ditë, ku pas humbjes së thellë të zgjedhjeve të 11 majit, me rezultatin më të dobët historikisht që pas 1992, tani do të përballet në gjyq edhe për aferën në dosjen “Partizani”, pasi GJKKO kaloi sot për proces çështjen ndaj tij, dhëndrit dhe 3 të tjerëve.
Kështu u shpreh ish-deputeti demokrat, avokati Spartak Ngjela për “Studio Live” në Report Tv, i pyetur për temat më të “nxehta’ të ditës në Shqipëri.
I ftuar nga moderatori Arbër Hitaj me një lidhje në studio, ai vuri theksin tek situata kritike ku ndodhet PD-ja dhe vetë kreu i saj.
“Ka konfliktim mes lidershipit dhe kryetarit. Kryetari është i dëmtuar nga goditjet, shpallja non grata, nën akuzë penale, sot ka qenë edhe në gjyq. Kriza e PD-së dhe ajo politike është e krijuar nga Saliu, ai është autori, sepse shpreson mes saj të shpëtojë. A do e arrijë dot? Do e shohim. Por sot GJKKO e kaloi për gjykim, SPAK e ka marrë të pandehur, situata penale e tij po rëndohet akoma më shumë. Janë bashkëpunëtorë ata, nuk kanë lidhje me shtetin. Të bëjë çfarë të dojë ai është në fushë penale, nëse dënohet sikur 1 apo dy vite, ikën nga politika, e ka ligji. Do shohim se si do eci puna, si do përfundojë, do shohim gjyqin dhe provat. Kjo është llogjika juridike”, tha Ngjela për situatën e kreut të PD-së në frontin politik dhe atë juridik pas zhvillimeve më të fundit.
Në lidhje me zgjedhjet ai u shpreh se PD mori rezultatin historik më të dobët.
“PD mori përqindjen më të vogël që nga 1992 deri sot, një rënie historike. Ata duhet të mbrojnë kryetarin. Është në proces gjyqësor e penal dhe non grata në SHBA. A do dënohet apo jo Saliu me burg, por nëse dënohet ikën nga politika, nuk e lejon më Kushtetuta. PD duhet të zgjedhë një lider të ri, nëse ndodh kjo për pak vite ata mundin Ramën. Me logjikë zgjidhet e keqja më e vogël, ndaj populli zgjodhi Ramën. Ndaj nëse ndryshojnë kryetarin mund të ketë ndryshim te partia, por nëse jo, Rama mund të rizgjidhet sërish”, tha Ngjela.
Për ish-deputetin demokrat, PD nuk vjen dot në pushtet po nuk zgjodhi në krye një kryetar të pakorruptuar.
“PD duhet të gjejë një figurë që i sjell në pushtet, të jetë i pakorruptuar. Kështu ngrihet shpejt. Të rigrupohet, organizohet dhe të vij në pushtet. Saliu është anormalitet, ne këtu ishim, çfarë vjedhjesh?! Votimi është vullnet politik, ia dhanë të majtës dhe e djathta ta ketë parasysh se është dobët. Nëse merresh me jo ma vodhën, jo e blenë, është e kotë, se këtë bën Saliu”, nënvizoi Ngjela për Report Tv.
Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian që u zhvillua më 16 maj në Tiranë la pas gjurmët e suksesit.
Por për avokatin Spartak Ngjela, shenja e tij ishte edhe më e madhe sesa një event gjeopolitik, pasi nënkuptonte edhe anëtarësimin së shpejti të Shqipërisë në BE.
Duke analizuar dhe interpretuar mesazhet e 47 liderëve të Europës në Shqipëri, fjalimet e tyre dhe prezencën pa asnjë mungesë, ish-deputeti i PD-së theksoi se kjo ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin.
“Samiti ishte sukses për Shqipërinë. Nuk po flasim për kryeministrin shqiptar, por ishte sukses për vendin. Pra, një event të rëndësishëm politik Europa e bën në Tiranë. Kjo la të kuptohej edhe sipas analizës ndërkombëtare, se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është i afërt dhe i shpejtë. Nuk më duhet mua individi, mua më duhet integrimi i Shqipërisë në BE. Shqipëria po shkon drejt perëndimit. Kishim një lidership që iku drejt Lindjes, tani kemi një vend afër Europës”, tha avokati për Report Tv.
Dhe nëse Shqipëria nuk del nga rruga që po ndjek aktualisht, mesazhet e krerëve të shteteve të BE-së dhe Europës do të finalizoheshin së shpejti me hyrje në familjen e madhe europiane.
“Entuziazmi i tyre ishte i dukshëm dhe i ekspozuar, të gjithë liderët erdhën në Tiranë, ishin të pranishëm. Ju e patë, Shqipëria u trajtua si një vend i BE-së, edhe fjalimet e tyre ishin të tilla. Dhe e keni të shpejtë, Shqipëria në BE. Nëse ecim në këtë rrugë, është e sigurt që do jemi në BE”, përfundoi Ngjela.
Komente

NUK DUHET TE IKE VETEM SALIU NGA PD O SPARTAK, ,,ATY DUHET TE IKIN TE GJITHE SEPSE TE GJITHE JANE TE PERLYER NE VJEDHJE,,,VOKSHI,,NOKA,,,BARDHI,,,SHEHU,,PALOKA,,,,BACI,,,TE GJITHE ATA QE ISHIN DEPUTETE NE PARLAMENTIN E MEPARSHEM....
Përgjigju